6

Estrada muzikore përgatit himnin e Universitetit

Selami Kolonja, ligjërues në USHT, zbuloi një nga befasitë e Universitetit. Ai bëri të ditur se këtyre ditëve Universiteti do të ketë edhe himnin e vet. Për këtë janë të angazhuar këngëtarë të njohur të estradës muzikore shqiptare, si këngëtarët Sinan Vllasaliu, Redon Makashi, Selami Kolonja, Blerim Grubi, Elita 5 dhe Kori i Tetovës.

Kjo u tha në kuadër të ciklit të “Debatit universitar”, që u mbajt në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës më 25 maj 2007 (e premte), me rastin e një program të kombinuar me debat dhe muzikë, ku merrnin pjesë maturantë të Gjimnazit të Tetovës dhe profesorët e tyre, si dhe ligjërues të programit studimor të muzikës në USHT, Selami Kolonja, Blerim Grubi, Bajram Cupi, Besjana Mehmeti, Bajramali Idrizi, interpretuesit Shkëlzen Baftjari, Arijana Kuriu-Grubi dhe grupi AVI “Studentët.

Në lidhje me temën “Sfidat e maturantëve në botën universitare”, mendimin e tyre e paraqitën maturantët e Gjimnazit të Tetovës dhe profesorët e tyre. Maturantët u shprehën se për ta është një sfidë bota studentore, ku pritet që të ballafaqohen me një botë të pa sprovuar, që atyre u sjell një ndjenjë emocionuese.

Kjo vjen nga shkaku se është ky një moment i përcaktimit të fatit jetësor, ndërsa cdo gjë tjetër është në plan të dytë. Maturantët u shprehën mjaft të matur lidhur me atë nëse profesorët kanë pasur rastin që gjatë katër vjetëve t’i mësojnë nxënësit e tyre dhe të vlerësojnë aq lehtë mundin dhe dijen e tyre gjatë shkollimit, sidomos këtyre ditëve kur përfundoi notimi që nuk ishte edhe pa lëshime dhe mangësi, por kishin edhe tolerancë të kufizuar.

Profesori i fizikës në Gjimnazin e Tetovës, Neset Izairi tha se reformat në arsim kanë ndihmuar që nxënësit të kenë vetëdije të lartë. Ai njoftoi se gjimnazi ka tri drejtime, edhe atë matematikë-natyror, i përgjithshëm dhe ai gjuhësor-artistik. Ndërkaq, profesori i matematikës, Bajram Shahini tha se brenda gjimnazit ekzistojnë grupe punuese, ku nxënësit shprehin afinitetet e tyre në drejtimin e aktrimit, vizatimit e gazetarisë, ndërsa lidhur me këtë të fundin duhet përmendur botimin e revistës “Gjimnazisti”. Blerim Grubi njoftoi maturantët me risitë e programit studimor të artit muzikor, i cili në vete ngërthen shumë drejtime dhe module. Po ashtu ai zbuloi se pritet që të vijnë profesorë nga rajoni, të cilët do të ligjërojnë në USHT, me cka vlerëson se do të jetë një drejtim atraktiv.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.