6

Përfitimet e përvojës s dijes universitare nga jashtë

Cikli në vijim i “Debatit Universitar”, që të enjten u zhvillua në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në bashkëpunim me Televizionin shtetëror maqedonas, programi në gjuhën shqipe, për temë kishte përvojat e ligjëruesve nga qendrat universitare evropiane, si dhe relacionet profesorë- studentë. Mysafirë të radhës në këtë debat universitar ishin profesorët Agni Dika, Agim Vinca, Doruntina Bexheti, Izer Maksuti dhe Bardhyl Selimi, të cilët kanë studiuar jashtë vendit dhe që janë ligjërues të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Prof. dr. Agni Dika nga fusha e informatikës, tha se një kohë të gjatë po punon si profesor dhe përvoja e tij është e madhe, ndërsa lëvizjet gjatë kësaj periudhe në mjedise të ndryshme kanë qenë të nevojshme. Ai vuri në pah se kuadrot në fushën e informatikës mungojnë tek shqiptarët, madje edhe në gjithë rajonin. Sipas tij, në drejtimin e informatikës janë bërë ndryshime pozitive dhe se kuadrot në këtë universitet janë të mira, ndërsa me punë ato edhe më shumë mund t’i të përforcojnë pozitat. Doruntina Bexheti, ligjëruese në Universitetin Shtetëror të Tetovës, e cila momentalisht është duke vijuar studimet e doktoratës në Londër, duke sjellë përvojën britanike nënvizoi se ka dallime të krahasueshme këtu dhe jashtë. Sipas Doruntina Bexhetit në Londër shumë më lehtë e ka studenti të konsultohet me një profesor për cështje të ndryshme, kur has në pengesa se sa që kjo praktikë po zbatohet këtu. Ajo bëri të ditur se studimet në Angli janë shumë më rigoroze, nga fakti se një student mund vetëm dy herë gjatë një viti të hyjë në provim, në të kundërtën studenti humb vitin. Në Angli studenti nuk ka mundësi të ankohet nëse nuk është i kënaqur me notën. Prof. dr. Agim Vinca, ligjërues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, tha se me përvojën e tij 35 vjecare në këtë fushë mund të bëjë disa dallime për kohën e studimeve më parë dhe tash. Ai vuri në dukje vështirësitë evidente gjatë studimeve në dekadat e kaluara, për dallim nga tash, kur komunikimi është shumë më i lehtë, qarkullimi është i lirshëm dhe i shpejtë. Kjo mundëson që profesorët pa asnjë pengesë të punojnë në vende më të largëta, që në fakt jep edhe një mundësi të mirë që një institucion të ketë në gjirin e vet profesorë eminentë. Izer Maksuti, i cili ka diplomuar në Vjenë, tha se për studimet ka investuar shumë, por kërkoi që edhe këtu në Maqedoni të krijohen kushte të mjaftueshme për punë dhe përcjellje të përvojës nga jashtë. Ai u angazhua për një kooperim mes universiteteve gjermane dhe këtyre në vend, në mënyrë që të ngrihet cilësia e mësimdhënies. Profesor i diplomuar i arkitekturës në Vjenë, Bardhyl Selimi, tha se ishte motivuar nga rektori Bexheti që të vijë në Tetovë dhe të ligjërojë në USHT, duke parë seriozitetin që ky institucion po përpiqet të ngrihet në nivel evropian, që sipas bindjes së tij edhe mund të arrihet me punë.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.