6

Manifestim në USHT me rastin e Ditës së Evropës-9 majin

Në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës të mërkurën (9 maj 2007), para stafit akademik dhe studentëve, me rastin e Ditës së Evropës- 9 maj, u mbajt një debat organizuar nga USHT dhe Aleanca Rinore në Tetovë me temë: “Sfidat euro-integruese”. Me këtë rast, nikoqiri, rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti, në fjalën e rastit tha se: “kjo ditë, që i kushtohet 9 Maj-it të vitit 1950, kur Ministri i Jashtëm Francez, Robert Shuman, hodhi propozimin për krijimin e Bashkimit Evropian, që sot është shndërruar në simbol të unitetit të vendeve të kontinentit tonë. Ky unitet i kushtohet dokumentit themelor të Bashkimit Evropian dhe simboleve të tij, krijimit të monedhës së përbashkët evropiane, flamurit dhe himnit të Evropës së bashkuar. Evropa tregon interesim të hapur për zgjerimin e saj edhe me vendet e Ballkanit, njëra prej këtyre vendeve është edhe Maqedonia.

Dëshiroj që edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës të jetë pjesë e pandarë e këtij procesi, duke e dhënë kontributin tonë në rrugën e integrimit, sidomos në fushën e arsimit, për realizimin e plotë të reformave që janë të domosdoshme, në promovimin e vlerave që paraqet Deklarata e Bolonjës dhe procesi i gjithëmbarshëm i reformave në arsim.

Ne thellësisht jemi të interesuar që këto reforma të filluara të vazhdojnë dhe përfundojnë me sukses”, përfundoi rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti. Nebojsha Zaharievski, drejtor ekzekutiv i Aleancës Rinore në Tetovës falënderoi USHT-në për organizimin e tillë. Ai tha se ideja për një Evropë të bashkuar nisi nga një pikësynim, ndërsa sot e kësaj dite ajo zgjerohet. Zaharievski parashtroi pyetje retorike se c’është Evropa? Duke u përgjigjur se Evropa është rini, ndërsa Maqedonia ka një rini të shëndoshë dhe në krahasim me shumë shtete është vend relativisht i ri për nga mosha. “Aleanca Rinore e Tetovës ka një shtrirje të gjerë në tërë Maqedoninë dhe tash janë nënshkruar marrëveshje me Universitetin e Tiranës, Sofjes dhe së shpejti me të Prishtinës që dëshmon se përgatitemi edhe për rajonin”, tha në fund Nebojsha Zaharievski. Prof. Dr. Galip Veliu nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe Arteve, departamenti për Filozofi dhe Sociologji, sqaroi se kur USHT dhe Evropa do të ishin një. “Kjo do të bëhet atëherë kur në universitetin tonë do të diskutohet si në Evropë dhe për Evropë, sic është rasti i sotëm.

Evropa përvec akcesit shkencor kërkon njohjen e mirë të gjuhës angleze, ngase është gjuhë shkencore”, tha ai duke përfunduar se edhe një cështje është me rëndësi për Evropën që USHT të promovojë dijen dhe të dalë në treg. Studenti Afrim Imeri, që kësaj radhe vjen nga Aleanca Rinore e Tetovës, foli për atë se c’do të thotë të jesh i ri në Ballkan dhe në Evropë. Ndryshimet sipas Imerit janë evidente, në Ballkan është një numër i madh i të papunëve në krahasim me vendet tjera të Evropës. Ai bëri të ditur se ka shumë organizata rinore që përpiqen t’i cojnë gjërat përpara, por pak prej tyre janë aktive dhe të mirëpritura nga komunitetet lokale.  

 

 

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.