6

Prezantim i suksesshëm i USHT-së në gjysmë maratonën në Shkup

Në gjysmë maratonën që u mbajt më 13.05.2007 (e diel) morën pjesë edhe dy përfaqësues të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Adem Selmani në konkurrencë të meshkujve dhe Zarife Elmazi në konkurrencë të femrave. Në maratonë morën pjesë mbi 300 pjesëmarrës nga Ballkani dhe më gjerë.

Në një konkurrencë të tillë të madhe, përfaqësuesit e USHT-së, zunë pozita të mrekullueshme, që paraqet një sukses të madh si për garuesit ashtu edhe për USHT-në. Adem Selmani në konkurrencën e maratonistëve nga Maqedonia u pozicionua në vendin e katërt, për cka iu nda edhe medalje e bronztë, ndërsa në plasmanin e përgjithshëm e zuri vendin e 14. Zarife Elmazi në konkurrencën e femrave e zuri vendin e pestë.

Duhet të theksohet se kjo nuk është hera e parë që marrin pjesë këto maratonistë. Të dy maratonistët janë garues të reprezentacionit të Maqedonisë, dhe këtë vit morën pjesë në maratonën e Prishtinës të mbajtur më 6 maj 2007, ndërsa në plan kanë edhe maratonën në Nish, që do të mbahet më 2 qershor, dhe në Podgoricë që do të mbahet më 5 tetor këtë vit. Adem Selmani është një nga maratonistët më me përvojë të Maqedonisë dhe deri më tash ka marrë pjesë në shumë maratone në Maqedoni dhe jashtë. Në garën e parë të maratonën nëpër mal që mbahet në Maqedoni zuri vendi e pestë, nga kjo maratonë ka mbetur edhe gara në Kocanë. Nëse Selmani e siguron plasmanin e paraparë do të mund të marrë pjesë në kampionatin evropian për maratonë nëpër mal që do të mbahet në Francë.

Në vitin 2006 ai ka marrë pjesë në kampionatin botëror të maratonit nëpër mal që është mbajtur në Uludag të Turqisë, gjithashtu në vitin 2006 në Suedi për 20 ditë ka arritur të vrapojë ultramaratonin prej 900 kilometrash. Ka marrë pjesë në më shumë maratone të Ballkanit, sic janë ato të Beogradit, Kroacisë, Sllovenisë, Stambollit, si dhe në disa maratona të tjera në Itali. Zarife Elmazi është studente e vitit të tretë të Fakultetit për kulturë fizike të USHT-së. Para saj ka një ardhmëri të ndritshme si maratoniste, dhe për këtë shkak ajo do të stërvitet dhe do të jetë nën mbikëqyrje të Selmanit si maratonist me përvojë, i cili do të mund t’ia përcjell përvojat. Në saj të suksesit të arritur, këta dy maratonistë u pranuan personalisht edhe nga rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, i cili u uroi për suksesin e arritur dhe uroi për shumë rezultate tjera të mira në të ardhmen.

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.