6

Mbledhje përkujtimore për studentin e ndjerë Faton Rushiti

Në amfiteatrin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 20 prill 2007 (të premten) u mbajt një mbledhje përkujtimore për studentin e ndjerë Faton Rushiti, i cili para një jave humbi jetën tragjikisht në fushën sportive të Shkollës së Mesme Bujqësore në Tetovë, në afërsi të USHT-së.

Në këtë mbledhje përkujtimore, ishin të pranishëm anëtarë të familjes së të ndjerit Faton Rushiti, stafi akademik, studentë dhe miq të tij, të cilët me një minutë heshtje nderuan të ndjerin dhe dhanë lamtumirën e fundit. Faton Rushiti u lind më 27 dhjetor 1985, në fshatin Zajas të Kërcovës, pranë një familje të edukuar dhe e kulturuar, e cila ka dhënë një mbështetje të madhe në arsimin shqip. Këto vlera i tregon vetë fakti real, emri i shkollës fillore që mban emrin e stërgjyshit të Fatonit, Rec Rushit-Zajazi, ku dhe Fatoni mbaroi arsimin fillor. Vullneti dhe intelekti i tij për një të ardhme ishin pikësynimi i tij. Pas mbarimit të shkollës fillore, Fatoni vazhdon shkollimin e mesëm në Tetovë, në Qendrën për Arsim të Mesëm “Mosha Pijade”, në drejtimin teknik i komunikacionit, ku u vlerësua si nxënës i dalluar.

Formimi dhe edukimi i tij profesional do të vazhdojë me regjistrimin e tij në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Qendrën për Studime politeknike, duke zgjedhur drejtimin e ndërtimtarisë. Vlerësohej si një nga studentët më të talentuar në këtë degë. Dëshironte që të ndiqte studimet pasuniversitare jashtë vendit, që i mbeti pezull përgjithmonë. Fjalim rasti mbajti rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti, i cili shprehu ngushëllimet e thella familjes së studentit Faton Rushiti. “Studenti ynë dhe djali juaj, Fatoni, papritmas ndërroi jetë, që neve në këtë universitet na tronditi shumë, duke marrë parasysh kohën kur të gjithë ne me shpresa të mëdha pritnim që ai të kurorëzojë me sukses studimin e tij në drejtimin e ndërtimtarisë, ku u dallua si student i zellshëm. Kur të gjithë ne prisnim që Fatoni të japë ndihmën e tij profesionale, duke u angazhuar edhe si bashkëpunëtor i Departamentit të Ndërtimtarisë, për fat të keq me dhimbje të madhe u ndamë prej tij. Ne, Fatonin nuk do ta harrojmë, por do ta kujtojmë me respekt të madh.

Përpjekjet e tij që të kontribuojë dhe të ngrihet profesionalisht nuk u realizuan për pak kohë, por për ne do të mbeten të paharruara. Fatoni do të mbetet gjithmonë student i Universitetit tonë dhe si të tillë do ta përkujtojmë përgjithmonë. Fatoni ka qenë në grupin e studentëve që së bashku ishim jashtë, kështu që shumë pak kohë kam pasur për ta njohur, por pavarësisht besoj se kolegët dhe studentët tanë duhet ta kuptojnë se edhe përkundër të gjitha festave që do t’i realizojmë, do të jetë vështirë ta harrojmë”, tha në fund të fjalimit të tij, rektori Bexheti. Babai i të ndjerit Faton Rushitit, Agimi, të pranishmëve u shprehu falënderimet e familjes së tij, me theks të vecantë studentëve të Universitetit dhe shokëve të Fatonit që kanë dhënë një përkrahje morale dhe deri diku kanë lehtësuar dhimbjen e familjes. Ai u shpreh falënderues dhe krenar për miqësinë e shumtë që ka pasur Fatoni. Kryetari i Unionit të Studentëve të USHT-së, Kushtrim Ahmeti, duke e ngushëlluar familjen e studentit Rushiti, tha se “sot jemi mbledhur këtu të përkujtojmë kolegun dhe shokun tonë, Fatonin. U bë vetëm një javë që ai më nuk është në mesin tonë dhe mungesa e tij është e pranishme kudo: i mungon familjes, na mungon neve studentëve, i mungon fakultetit. Na mungon buzëqeshja, mirësjellja dhe ngrohtësia e tij, sepse i tillë ishte Fatoni, pa përjashtim, gjithmonë i buzëqeshur me të gjithë i sjellshëm dhe i shoqërueshëm. Ai na la në momentin kur më së paku prisnim, atëherë kur na duhej më së shumti, kur ishim në përfundim të ditëve tona studentore dhe kur pritnim t’i kurorëzonim me sukses studimet tona”. “Na goditi pa masë humbja e tij, Universiteti humbi një student të shkëlqyeshëm, ne humbëm një shok dhe koleg të mrekullueshëm, familja humbi një anëtar të pazëvendësueshëm. Por, ai vetëm fizikisht nuk do të jetë në mesin tonë, sepse shpirtërisht do të vazhdojë të jetojë. Është këtu, është gjithkundi ku ishim së bashku, sepse i përhershëm do të jetë përkujtimi për të dhe të paharruara do të mbeten ditët studentore të kaluara së bashku”, u shpreh Ahmeti. Prof. dr. Sulejman Meta, profesor i Faton Rushitit, në fjalimin, duke iu drejtuar familjes së tij, tha: ”Tentova që të shkruaj për Fatonin, por s’kisha fuqi. Isha profesor i parë i tij, ishte student i disiplinuar dhe i rregullt. U dallua në grupin më të ngushtë, arriti në vitin e tretë, absolvent, së shpejti duhej të dalë tabloja, por fati deshi që të na e marrë Zoti, për të cilin do të ketë vend të posacëm. Kam porosi për të gjithë studentët, që Fatonin tonë kurrë mos ta harrojmë dhe ai le të na shërbejë si udhërrëfyes, si shëmbëlltyrë, me buzëqeshjen e tij”. Në emër të kolegëve të Fatonit, fjalë rasti mbajti Fatmire Dehari, e cila me këtë rast shprehu ngushëllimet më të sinqerta dhe më të forta familjes. “Është një brengë e madhe, një ndjenjë tmerruese pa kufi që na mëton të gjithëve. Ndaj jemi këtu së bashku sado pak ta shprehim dhe ndajmë dhimbjen për humbjen tragjike. Nuk mund të harrohet ky engjëll i bardhësisë, sinqeritetit, i cili ka qenë gjithmonë i dashur me të gjithë dhe nuk ndodhet më midis nesh. Ai është dhe do të mbetet në zemrat dhe shpirtin tonë. Ai gjithmonë thoshte: do ta japë jetën vetëm të mos vdes. Dhe, me të vërtetë ai nuk do të vdes, pasi që ai cdo moment do të jetojë në kujtesën tonë. Fatoni ishte një njeri që bënte cmos të largonte monotoninë dhe mundohej të sillte humor. Të mos qajmë se të humbëm, por të falënderojmë Zotin që të patëm”, përfundoi studentja Dehari. Fjalë rasti mbajti edhe profesor Ismail Murati, i cili me këtë rast u shpreh: “Tani kur Fatonin s’e kemi në mesin tonë shpresojmë se kujtesa për të do të jetë e përjetshme. Ardhmëria jonë, ju që jeni fryt i kombit, duhet të jepni të gjitha forcat tuaja që të dilni nga këto dyer me sukses. Duke u dëshiruar suksese dhe punë të mbarë gjithë stafit të USHT, që të shihemi në raste të tjera më të mira, në diplomimet, ku kujtimet për Fatonin do të jenë të paharruara. Studentja Blerta Xhambazi, me këtë rast recitoi një poezi për kolegun e tij, Faton Rushiti. Në fund rektori, prof. dr. Sadi Bexheti, familjes Rushiti ia dorëzoi Diplomën e nderit për studime të kryera të studentit Faton Rushiti, për titullin e arritur profesional Bachelor në fushën e ndërtimtarisë- rrugë dhe infrastrukturë të Qendrës për studime politeknike. Të pranishmit në këtë tubim përkujtimor për studentin e ndjerë Faton Rushiti, ndjenjat e tyre të ngushëllimit i shprehën në librin e zi që ishte vendosur aty.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.