6

Profesori i shquar Michel Cullin për zgjedhjet presidenciale në Francë

 

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin Shtetëror të Tetovës, i cili njëherësh është edhe ligjërues në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Michel Cullin, të hënën, më 14 maj, mbajti një ligjëratë para studentëve dhe stafit akademik të Universitetit, me temë: “Zgjedhjet presidenciale në Francë”. Në këtë ligjëratë atë e shoqëruan edhe dy analistë, Alexandre Mirlesse dhe Aziliz Gouez.

Pas prezantimit të pikëpamjeve të tij për zgjedhjet ne Francë, të pranishmit patën mundësinë që të parashtrojnë edhe pyetje. Prof. Michel Cullin pas mbajtjes së ligjëratës u shpreh: “Deshëm që studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës t’u prezantojmë informata lidhur me zgjedhjet presidenciale në Francë, si dhe për fitoren e Nicolas Sarkozy. Franca është një fuqi evropiane dhe ajo do ta drejtojë Evropën në të ardhmen. U përqendrova mbi sistemin e zgjedhjeve franceze, duke vënë në pah se të gjitha forcat politike franceze konfrontohen mes vete, por në esencë gjithnjë mbrojnë politikën franceze”, nënvizoi ai, duke shtuar se Franca në të ardhmen do të bëjë një politikë shumë të kujdesshme ndaj ngjarjeve në rajon dhe botë. Gjatë ligjëratës, prof. Michel Cullin nënvizoi se Franca nuk është shtet presidencial, por rolin kryesor e ka Parlamenti.

Ai përshkroi kandidaturat për president të Nicolas Sarkozy dhe Segolene Royal, për të shtuar se zgjedhjet e fundit në Francë dëshmuan se ekzistojnë dy rryma politike, ajo e djathta dhe e majta. Analistët Alexandre Mirlesse dhe Aziliz Gouez paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me atë se cka e pret Francën me presidentin e ri, si dhe vunë në pah premtimet e presidentit të ri Nicolas Sarkozy. Mirlesse nënvizoi se zgjedhjet e fundit u debatuan shumë edhe në Francë. Sipas analistit Mirlesse, presidenti i ri Sarkozy është më liberal në krahasim nga kundër kandidati i tij. Analistja Azaliz Gouez u përmbajt në premtimet e kandidatëve për të drejtat e grave, si dhe mundësia e tyre për t’u futur në jetën politike. Bindja e Gouez ishte se presidenti i ri kishte një qëndrim më të mirë ndaj këtyre proceseve. Në fund pjesëmarrësit në këtë ligjëratë parashtruan edhe pyetje që kishin të bëjnë me vlerësimet e Francës dhe kryetarit për cështjen e Kosovës, pranimin e Turqisë në BE, papunësisë në Francë, pjesën myslimane në France etj.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.