6

ATA prezantoi para studentëve të USHT-së universitetin veror në Manastir

Prej 9 deri më 22 korrik të këtij viti, në universitetin “Shën Kliment Ohridski” të Manastirit do të mbahet shkolla verore, ku pritet të marrin pjesë studentë nga gjithë Maqedonia, rajoni e më gjerë. Me këtë rast, të enjten, në amfiteatrin e Rektoratit përfaqësues të ATA (Academic Training Assotiation) mbajtën një prezantim para studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Kryetari i Unionit të Studentëve të USHT-së, Kushtrim Ahmeti para studentëve u shpreh se është hera e tretë që ky universitet bashkëpunon me ATA për pjesëmarrje në universitetet verore, ndërsa për herë të parë USHT do të financojë harxhimet e 100 studentëve të vet, të cilët do të shkojnë në universitetin veror në Manastir. Gligor Pandillovski, përfaqësues i ATA bëri të ditur se në këtë universitet veror janë paraparë 20 kurse intensive, në fakultetet e drejtësisë, ekonomisë, biznesit, shkencave humane dhe arteve dhe administratës publike, ku do të bëhet trajnimi për mësimdhënie nga 20 profesorë lokalë dhe 20 të huaj, ndërsa trajnimi do të zhvillohet në gjuhën angleze. Pandillovski tha se për këtë vit janë paraparë të pranojnë 600 studentë, edhe atë 460 do të jenë nga universitetet brenda Maqedonisë, 100 nga Evropa Juglindore dhe 40 studentë nga bota, të cilët do të vendosen në konviktet e universitetit. Këtyre studentëve do t’u paguhen harxhimet e rrugës, ndërsa një student do të duhet të participojë vetëm me 10 euro. Ai nënvizoi se studentëve të suksesshëm do t’u ndahen edhe certifikata me 3 ECTS kredi, të cilat njihen nga institucionet përkatëse ku ata studiojnë. Gjithashtu, në këtë universitet veror është paraparë edhe program rekreativ, me darkë solemne, ahengje, muzikë dhe filma. Do të organizohen ekskursione në Ohër, Prespë, Strugë dhe turne të ndryshme sportive, si futboll, basketboll, volejboll, ndërsa me kërkesë të studentëve do të organizohet edhe një mini-olimpiadë në shah, si dhe një garë me bicikleta në malin Pelister. Ky edicion i Universitetit veror në Manastir vlen për studentët e juridikut, ekonomikut, shkencave humane dhe arteve, ndërsa kritere për aplikim janë nota mesatare e lartë dhe njohja e gjuhës angleze. Afati i paraqitjes ka filluar më 27 mars dhe do të vazhdojë deri më 5 maj, prej kur fillon testimi në njohjen e gjuhës angleze që do të vazhdojë deri më 25 maj, ndërsa lista e të pranuarve do të shpallet më 5 qershor. Studentët e interesuar për Universitetin veror në Manastir mund t’i bëjnë aplikimet e tyre nëpërmjet faqes së internetit www.academiktraining.org ose nëpërmjet zyrës së Unionit të Studentëve të USHT-së.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.