6

Profesori austriak Andreas Wieglein mban ligjerat me temën “Anatomia klinike mbi sinuset paranasale”

Profesori austriak Andreas Wieglein i Universitetitit të Gracit, të hënën (04.06.2007) mbajti një ligjëratë në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, para stafit akademik dhe studentëve, me temë: “Anatomia klinike mbi sinuset paranasale tek fëmijët dhe të rriturit”. Përndryshe profesor Wieglein është anëtar i më shumë institucioneve shëndetësore në Austri dhe ekspert në plastifikimin e enëve të gjakut.

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti tha se “kjo vizitë do të jetë një nxitje më tepër për ne që të zhvillojmë edhe më tej raporte të rregullta bashkëpunimi, duke e bërë universitetin tonë pjesë aktive të universiteteve të Evropës që u garanton gjeneratave të reja të studentëve studime cilësore dhe nivel akademik të barabartë me moshatarët e tyre në Evropë”, tha rektori Bexheti.

Para fillimit të ligjëratës, profesor Weiglein tha se do të jetë i nderuar që edhe më tutje të bashkëpunojë me USHT-në, sidomos pas fillimit të funksionimit të Fakultetit të Mjekësisë në këtë institucion. Në ligjëratën e tij, profesori austriak u përqendrua në metodat më bashkëkohore të kryerjes së operacioneve paranasale.

Ai përmendi të ashtuquajturin SFES (Sinus Flor Elevation Surgery), ose Operacioni i sinuseve dhe sqaroi metodologjinë e përdorimit të këtij sistemi, i cili tashmë praktikohet në shumicën e klinikave. Profesori bëri të ditur se në Universitetin e Gracit tashmë ekziston një laborator trajnimi i përbërë nga 18 profesorë doktorë, ku studentët njihen me 10 kurset e parapara mbi përdorimin e SFES. Laboratori është i pajisur me mjetet e nevojshme, ku studentët drejtpërsëdrejti vështrojnë një operacion të sinuseve. Gjatë ligjëratës vëmendje të vecantë i kushtoi sinuseve maksilare dhe përdorimin e metodave të sofistikuara për mënjanimin e tyre tek fëmijët dhe tek të rriturit. Në fund të ligjëratës, profesorët dhe studentët patën mundësinë që të parashtrojnë pyetje lidhur me temën në fjalë.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.