
Lajmet:
Në USHT filloi viti i ri akademik 2009/2010
Në të gjitha Fakultetet dhe Programet studimore të USHT-së ka filluar sot viti i ri akademik 2009/2010. Pritja solemne e studentëve të rinj në Fakultetet e disperzuara në Shkup, Kumanovë, Kërçovë dhe Strugë ka shoqëruar fillimin e procesit mësimor-shkencor, i cili sipas rekomandimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, këtë vit ka filluar pesëmbëdhjetë ditë më herët. Po ashtu në Amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së është organizuar solemniteti qendror për pritjen e studentëve të rinj. Me këtë rast rektori i USHT-së, doc.dr. Agron Reka, studentëve të rinj u ka ndarë Indekset e USHT-së, ndërsa në fjalimin e tij përpara studentëve dhe stafit akademik theksoi:
Fjala e Rektorit, doc. dr. Agron Reka, Tetovë, 15 shtator 2009 Të nderuar dekanë, profesorë dhe bashkëpunëtorë,
Duke marrë parasysh krizën e përgjithshme, e cila i ka mbërthyer të gjitha vendet e botës dhe sidomos institucionet arsimore, kemi bërë lehtësime të dukshme në sferën e pagesave nga ana e studentëve, me qëllim të lehtësimit gjatë regjistrimit dhe gjatë studimeve. Këta masa të ndërmarra nga organet drejtuese të Universitetit janë një lehtësim i dukshëm për standardin e studentëve dhe lehtësim për buxhetin e familjeve të tyre. Ne edhe në të ardhme do të vazhdojmë me masa të këtilla, me të vetmin qëllim, studentët tanë ta ndjejnë këtë universitet si vatrën e tyre, e cila nuk i pajis vetëm me dituri, por edhe me shpresa më të mëdha për jetë më të dinjitetshme dhe ardhmëri të sigurt. Stafi drejtues i Universitetit bën gjithçka që është e mundur për konsolidimin e plotë të këtij institucioni, ta shpie atë në familjen e madhe të universiteteve evropiane. Ky përcaktim e mban vital Universitetin në këtë kohë, që ai të paraqet institucion të zbatimit të teknologjive bashkëkohore, ku do të studiohet në mënyrë moderne dhe efikase.
Të nderuar kolegë, të dashur studentë, Me këtë rast dua tua përkujtoj edhe një herë, se stafi drejtues i Universitetit, punon me përkushtim të madh për realizimin dhe zbatimin e planeve dhe programeve të reja mësimore në frymën e procesit të Bolonjës dhe Sistemin Evropian të Transferit të Kredive. Ky proces tani më i filluar na jep më shumë shpresë për të ardhmen dhe për cilësinë e studimeve, që garantojnë kuadër të përgatitur në të gjitha fushat e studimeve, sipas nevojave të tregut global të punës. Jemi të vetëdijshëm se na presim edhe shumë punë, sidomos për sigurimin e hapësirave të nevojshme të mësimit dhe infrastrukturës tjetër universitare; t’i kompletojmë dhe furnizojmë laboratorët me pajisjet e nevojshme; t’i pasurojmë bibliotekat e katedrave përkatëse me literaturë profesionale dhe ta thellojmë bashkëpunimin me universitetet tjera me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe kuadrit arsimor. Në fund, edhe një herë Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe mbetemi me shpresë se do të takohemi edhe herëve të tjera, me rezultate dhe me suksese në studimet tuaja. Paçim një vit të suksesshëm dhe na priftë e mbara! Edhe Fakulteti Juridik i USHT-së në mënyrë të organizuar ka pritur studentët e rinj të cilët studimet deridiplomike do t’i vijojnë në USHT. Dekani i Fakultetit Juridik mr .sc Agim Nuhiu përpara auditorit në fjalimin e tij veçoi:
Të nderuar brucosh të Fakultetit Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, i nderuari staf akdemik, i nderuari staf administrativ, të nderuar të pranishëm, sot dyert e fakultetit Juridik janë të hapura dhe me përgjegjësi e kompetencë po e fillojmë vitin e ri akademik 2009/10. Sot jemi të përgaditur për një fillim të suksesshëm të vitit të ri akademik. Me kohë i kemi marrë të gjitha masat në pikëpamje organizative dhe funksionale. Kemi bërë angazhimet e profesorëve dhe bashkëpuntorëve për lëndët konkrete. Janë siguruar kapacitetet hapsinore për studimet e disperzura për drejtësi në qytetin e Kërçovës dhe të Shkupit, kemi rritur kapacitet organizative të administratës së Fakultetit, kemi siguruar kushte që garantojnë një fillim të mbarë. Misioni i Fakultetit Juridik është përgaditja e studentëve për detyra profesionale, mësim për sjelje të përgjegjëshme dhe paisje me informacione për të arriturat e shkencës juridike si dhe zgjerimi i bashkësisë akademike me kuadro të reja profesionale.
Juristët e ardhëshëm që do të profesionalizohen në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës do të jenë të aftë të marrin pozita dhe të zënë vende të punës në fushën e jurispodencës, në administratën shtetërore në institucionet dhe organet e ndryshme të pushtetit shtetëror dhe në ekonominë e privatizuar. Gjatë viteve të studimit, ju të nderuar brucosh të Fakultetit Juridik, do të aftësoheni të sjellni vendime në mënyrë individuale dhe grupore, vendime profesionale dhe të krijoni karierë të bujshme të një juristi të mirëfilltë. Do të paiseni me njohuritë nga të arriturat e shkences juridike të ndërthurur me përcaktimet e legjislacionit pozitiv dhe me zgjidhjet e praktikës gjyqësore. Me programin studimor bashkëkohor, me ndihmën e stafit profesional akademik dhe me përdorimin e metodës interaktive, gjatë viteve të studimit do t'i trajtojmë detyrat teorike dhe do t'ju qasemi çështjeve praktike që janë me interes krucial për kuadrot e reja profesionale ne fushën e drejtësisë. Kuadrot qe do të përgaditen në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës do të posedojnë dituri konceptuale, aftësi komunikimi për nevojat e sukseseve në hapësirat lokale e globale, që pësojnë ndryshime të shpejta.
Stafi akademik i Fakultetit Juridik, në kuadër të programeve profesionale do të jenë të udhëhequr praj praktikës bashkëkohore mësimore – shkencore duke plotësuar standardet për institucionet e arsimit të lartë të përcaktuar në kornizat e standardeve dhe normativës të ISCEDI-it, OCED-it dhe Deklaratës së Bolonjës për zhvillim të arsimit të lartë. Kur jemi në këtë ditë solemne të fillimit të ligjeratave të para për ju brucosh të Fakultetit Juridik, dëshiroj që në emrin tim, të kolegëve të mi dhe në emrin e të arriturave të Fakultetit Juridik, t'ju shpreh mirënjohjë për punën e palodhshme të stafeve të më hershme udhëheqëse të Fakultetit Juridik duke filluar nga viti 1994 e deri më sot. Dhe në fund të nderuar brucosh më lejoni që në emrin e stafit udhëheqës të Fakultetit Juridik, stafit akademik dhe stafit administrativ, t'ju urojë shëndet, fat dhe suksese të larta në studime.
15 shtator 2009 u.d. Dekani
Zyra për informim e USHT-së |






PARLAMENTI I STUDENTËVE 
