Dekani i Mjekësisë vizitoi Klinikën universitare të Mannhaim-it
Me ftesë të Drejtorit të përgjithshëm të Klinikës Universitare të Mannhaim-it, Heidelberg, Prof. Dr. Med. Stefan Post dhe në bashkëpunim me specialistin e kirurgjisë Salih Berishën, nga data 6 dhjetor deri më 12 dhjetor 2009 u realizua vizita e dekanit të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të USHT-së, Doc. Dr. Nevzat Elezi në këtë klinikë. Dekani Elezi me këtë rast realizoi takim me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Med. Harald Kluter dhe menaxherin e fakultetit në fjalë.

Sipas dekanit të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Doc. Dr. Nevzat Elezi, gjatë kësaj vizite janë njoftuar me infrastrukturën e fakultetit, planprogramet studimore, të cilat janë reformuar që para katër viteve me një shkurtesë MaReCum, të cilët parashohin që pas vitit të dytë akademik që është i përgjithshëm, të gjithë studentët futen në provimin shtetëror me çka studentët më të mirë kanë të drejtë studimin në fakultetin e mjekësisë, me ç‘rast 80 % e tyre vazhdojnë drejtimin e mjekësisë së përgjithshme, ndërkohë që 20 % e studentëve më të mirë kanë të drejtën e vazhdimit të shkallës së tretë dhe marrin titullin magjistër të shkencave mjekësore. Ky fakultet sipas Elezit, nuk e aplikon sistemin e Bolonjës, por programin MaReCum.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësisë, Doc.dr. Nevzat Elezi dhe drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Mannhaim-it, kanë arritur marrëveshje që studentët e USHT-së të Fakultetit të Mjekësisë të mund të aplikojnë me sistem transferi deri në një vit të studimeve akademike në këtë fakultet.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së USHT-së, Doc.Dr. Nevzat Elezi, gjithashtu në emër të rektorit të USHT-së, u bëri ftesë drejtorit të përgjithshëm Prof. Dr. Med. Stefan Post, dekanit të Fakultetit Prof. Dr. Med. Harald Kluter si dhe kuadrit tjetër akademik, që të vijnë e të mbajnë një sërë ligjëratash si dhe të ofrojnë ndihmë në aspektin e organizimit të mbajtjes së sistemit MaReCum (Reformat e Kurikulemeve të Majhaimit), që për studentët mjekësisë së USHT-së janë me interes të shumëfishtë.
Zyra për Informim - USHT.
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044-356-500, lokal 542
|