6

Profesori gjerman Horst Bredzinski foli për perspektivën e Maqedonisë në BE

Në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, para stafit akademik dhe studentëve, të mërkurën, më 16 maj, për “Perspektivën e Maqedonisë për t’u pranuar në BE”, foli prof. Horst Bredzinski nga Universiteti Teknik “Bergakademie Freiberg” të Gjermanisë. Prof. Bredzinski u mbështet në disa fakte dhe analiza, të cilat kanë rrjedhën nga periudha e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e deri në vitin e kaluar.

Ai tha se pranimi i shteteve të reja nuk mund të shkojë lehtë, ngase duhen të plotësohen shumë kushte. “Në ish-Jugosllavi, Maqedonia ishte shteti më pak i zhvilluar dhe problemet nuk u zgjidhën as pas shpërbërjes. Kjo ndikoi në perspektivën e Maqedonisë. Së pari, në vitin 1994 ishte embargoja nga Greqia, më 1999 fluksi i refugjatëve kosovarë që erdhën në Maqedoni dhe së fundi vetë konflikti i armatosur i vitit 2001 mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo do të thotë se Maqedonia mbeti dhjetë vjet pas në krahasim me shtetet tjera përreth”, theksoi prof. Bredzinski. Si pika tjera të rëndësishme, profesori gjerman përmendi edhe makroekonominë, stabilizimin ekonomik dhe privatizimin, që duhet të fillojë nga e para. Pra, duhet të formohen ndërmarrje të reja, që do të kishin plane afatgjate. Po ashtu, edhe investimi në infrastrukturë, kontrolli i korrupsionit etj. Si një shembull të zhvillimit të suksesshëm, profesori nënvizoi rastin me Irlandën. Sipas tij, irlandezët bënë një ndarje nga traditat dhe zhvilluan një program të ri, që u përkrah nga të gjitha subjektet politike dhe të gjitha qeveritë që vinin në pushtet. Bredzinski bëri me dije se deri në vitin 1992, në Irlandë nuk kishte asnjë investim i huaj. Suksesi, sipas tij, qëndron në atë se atje u vendos një sistem i tatimit për ndërmarrjet. Sipas zhvillimit të tanishëm të Maqedonisë, ku pagat vjetore kanë një rritje prej 3-4 për qind, kjo do të thotë se këtij vendi i duhen edhe 40 vjet për të arritur standardin evropian. Në anën tjetër, është pozitiv kontrollimi i rritjes së inflacionit. Në këtë drejtim Maqedonia ka një përparësi se nuk ka shumë borxhe, por duhet rregulluar cështja e deficitit tregtar. Një politikë të mirë ka zhvilluar Maqedonia me atë që ka bërë një promovim të mirë në gazetat evropiane, ku ftohen investitorët e huaj që të konkurrojnë në Maqedoni ngase tatimet në vend janë të ulëta dhe është me rëndësi se dokumentacioni kryhet për 3 ditë. Në fund profesorët dhe studentët patën mundësinë që të parashtrojnë pyetje. Ndërsa profesori Horst Bredzinski mbajti një konferencë për shtyp. Zyra për informim e USHT-së  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.