Lajme:

 

USHT, shënoi 15 vjetorin e themelimit

 

Aktivitetet për shënimin e 15 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, gjatë ditës së enjte më 17.12.2009 filluan me homazhet dhe vendosjen e kurorave me lule të freskëta tek busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdilselam Eminit, nga ana e drejtuesve të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Rektori i USHT-së, Prof.dr. Agron Reka, i shoqëruar nga djali i dëshmorit, prorektorët, dekanët, dhe një numër i madh i profesorëve dhe studentëve, pasi vendosi kurorë me lule të freskëta, tek busti i dëshmorit të arsimit, deklaroi se me këtë homazh përkujtimor, gjithë sa jemi, e kujtojmë, dhe e madhërojmë, Abdilselam Eminin, dëshmorin e arsimit i cili bëri një kthesë historike drejt krijimit të Universitetit, institucionit të shenjtë në gjuhën shqipe.

 

 

“Dëshmori i arsimit Abdilselam Emini sakrifikoi jetën e tij për arsimin  shqip andaj kombi ynë kurrë nuk do të harrojë veprën e tij heroike për themelimin e këtij institucioni të arsimit shqip. Drejtuesit e Universitetit gjithmonë do të kenë në konsideratë veprat e atyre të cilët u flijuan në altarin e lirisë me idealin e lartë për liri dhe të drejta të barabarta, për shkollim në gjuhën shqipe.

 

 

Universiteti Shtetëror i Tetovës do të ishte vetëm një shpresë e parealizuar për ne, poqese iniciativa për themelimin e Universitetit  nuk do të mbështetej nga qytetarët, kurse rënia e dëshmorit Abdilselam Emini përjetësoi njëherë e përgjithmonë aspiratën e kombit për arsimim në gjuhën shqipe”, theksoi rektori i USHT-së, Prof.dr. Agron Reka.
Kurorë me lule të freskëta tek busti i dëshmorit të arsimit, Abdilselam Eminit, vendosën edhe përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të USHT-së.

 

 

Aktivitetet për shënimin e 15 vjetorit të themelimit të universitetit, vazhduan me turnirin në futboll të vogël, që u zhvillua në organizim të Fakultetit të Kulturës Fizike, në sallën sportive të qytetit, dhe në të cilën morën pjesë katër ekipe, edhe atë ekipi i studentëve të vitit të I-rë, të II-të, III-të dhe të IV-rt.

 

 

Pas disa ndeshjeve mjaft interesante, kampion u shpall ekipi i studentëve të vitit të dytë, të cilët në finale, ishin më të suksesshëm se ekipi i studentëve të vitit të katërt, duke fituar me rezultat 7:6. Dekanati i Fakultetit të Kulturës Fizike, ndau kupa për më të mirët.

 

 

Kupat i ndau Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Doc.dr. Isa Asllani, ndërsa të pranishëm ishin edhe profesori i këtij fakulteti dhe njëherit deputet në Kuvendin e RM-së, Doc.dr. Vullnet Ameti, profesori Visar Ganiu dhe Shpresa Memishi.

 

 

Kulminacioni i organizimeve për shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm për Universitetin Shtetëror të Tetovës, ishte Akademia Solemne e cila u organizua në Qendrën Kulturore të Tetovës dhe ku mernin pjesë, përpos drejtuesve të USHT-së, stafit akademik dhe studentëve, edhe zv.kryeministri i Qeverisë së RM-së, Abdylaqim Ademi, kryetarët e BDI-së dhe DR-së, Ali Ahmeti dhe Imer Selmani, përfaqësues të korit diplomatik në vend, ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë të ndërmarrjeve shtetërore si dhe mysafirë nga universitetet tjera në vend.

 

 

Akademia filloi me Himnin e universiteteve “Gaudeamus igitur”, interpretuar nga Kori kamertal i USHT-së, nën dirigjimin e profesorit Selami Kolonja.
Rektori i USHT-së, Prof.dr. Agron Reka, në referatin e tij theksoi “Universiteti Shtetëror i Tetovës, i themeluar 15 vjet më parë, në historinë e tij, tradicionalisht këtë datë të rëndësishme e ka shënuar si ditëlindje të vet, me ç’ rast   shënohen rezultatet dhe rrita e këtij institucioni të arsimit sipëror,  zhvillimi dhe përparimi të tij, si Universitet i vetëm publik me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë.

 

 

17 Dhjetori i vitit 1994 do të shënojë  kthesën kombëtare për shkollimin e gjeneratave të reja në gjuhën shqipe. Ky vit historik, nga inteligjencia jonë u vlerësua si rilindje e shqiptarëve në Maqedoni. Iniciativa për themelimin e Universitetit, atë kohë fuqimisht u mbështet nga kuvendet e komunave: Dibër,Gostivar dhe Tetovë, duke mos harruar edhe kontributin e jashtëzakonshëm që dha populli ynë për jetësimin e së drejtës për arsimim në gjuhën shqipe. 
Me rastin e këtij përvjetori jubilar, në cilësinë e Rektorit, kam nderin t’u shpreh mirënjohje dhe falënderime të përzemërta,  të gjithë atyre që kontribuan për themelimin dhe të arriturat e derisotme të këtij Universiteti, në veçanti, u shpreh  mirënjohje familjeve që shtëpitë e tyre i shndërruan në shkolla  të para të këtij Universiteti. Me këtë rast i falënderojë dhe profesorët  të cilët dhanë gjithçka  për  themelimin e këtij tempulli të dijes dhe mbarëvajtjes së procesit edukativo-arsimor dhe shkencor, sidomos profesorëve nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës. Po kështu me këtë rast Ju shpreh mirënjohje qytetarëve që e ndihmuan financiarisht ngritjen e këtij institucioni. Për themelimin e
Universitetit Shtetëror të Tetovës kontribuan edhe qytetarët tanë në diasporë me ç’ rast i falënderoj dhe ju shpreh mirënjohje të jashtëzakonshme për ndihmën e dhënë këtij institucioni të lart arsimor dhe shkencor. I falënderoi autoritetet politike për kontributin e pakursyer për ngritjen dhe zhvillimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Si dhe të gjithë ata që në njëfarë forme sakrifikuan për të sotmen e Universitetit tonë.

 

 

Mysafirë të nderuar, 
Viti që lamë pas, Universiteti ynë ka shënuar reforma të mëdha,si në planin akademik ashtu dhe në atë administrativ, të cilat e ndihmojnë Universitetin tonë në përmbushjen e qëllimeve dhe detyrave të tij.
Në planin e bashkëpunimit me universitetet tjera, si në vend ashtu dhe në rajon, në Evropë dhe SHBA, Universiteti ynë ka shënuar suksese dhe rezultate të konsiderueshme.
Një kujdes i veçantë në Universitetin tonë i kushtohet dhe  fushës kërkimore-shkencore, seminareve, simpoziumeve, tribunave shkencore dhe aktiviteteve të ngjashme. Duhet theksuar se këtë vit është organizuar Seminari i III Ndërkombëtar i Albanologjisë, përmes të cilit përmbushet një segment shumë i rëndësishëm, i bashkëpunimit me karakter ndërkombëtar.

 

 

Ky vit akademik 2009/2010 për Universitetin tonë do të jetë vit i konsolidimit të plotë të këtij institucioni të arsimit sipëror, si në planin organizativ ashtu dhe në sferën e veprimtarisë arsimore dhe shkencore. Universiteti Shtetëror i Tetovës,  ka rol me përgjegjësi kombëtare dhe akademike, për krijimin e vlerave, gjithmonë në funksion të misionit të madh në përgatitjen e kuadrove të reja, të cilat paraqesin shtyllë kryesore të zhvillimit të një shoqërie progresive. Kjo është ajo porosia e vërtetë e  institucionit në të cilin  hapen dyert e ardhmërisë më të lumtur për brezat e rinj.
Në fund, më lejoni që të gjithë mësimdhënësve, studentëve, kuadrit drejtues dhe personelit administrativ të USHT-së dhe Ju  mysafirë të nderuar të Universitetit t’u uroj përvjetorin e 15-të me dëshirë që në të ardhmen të shënojmë suksese dhe të arritura të reja”, tha në fjalën e tij Rektori i USHT-së, Prof.dr. Agron Reka. 
Të pranishmit i përshëndeti edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së RM-së, Abdylaqim Ademi, i cili me këtë rast theksoi se Qeveria e RM-së, vazhdimisht do të jetë në përkrahje të këtij tempulli të dijes.

 

 

“Dita e sotme dhe shënimi i kësaj date të madhe, paraqet një ndër të arriturat tona më kapitale. Është kjo datë e cila përmbushi kërkesën më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë.
Prandaj, ndjehem i nderuar me privilegj që më është dhënë, për të përkujtuar sado pak rrugën  shumë të mundimshme nëpër të cilin kaloi institucioni ynë më i lartë e më i nderuar, Universiteti ynë – UNIVERSITETI I TETOVËS. 
Të nderuar pjesëmarrës,
Dëshira dhe synimi i përhershëm i të gjitha gjeneratave tona: të mësuesve, arsimtarëve e profesorëve për një institucion siç është Universiteti tashmë ka përmbushur këto dëshira dhe ideale. Universiteti është realitet. Ai është pronë e jona më e madhe, më e fuqishme dhe e shenjtë.

 

 

Përkushtimi për ndërtimin e këtij tempulli të dijes, në fakt paraqet një mozaik ngjyrash, ku në një vend, gërshetohen rënje - ngritjet e dëshirave dhe mundësive. Ku në një vend të vogël, po me ambicie të mëdha, përnjëherë shënohen fitoret dhe pësohen humbjet.
Kështu ishte ecja 15 vjeçare e këtij institucioni më të lartë të dijes shqiptare, këtu në Tetovën tonë arsimdashëse. Dhe vargu i pandalshëm i përpjekjeve dhe sakrificave edhe të përgjakura solli fitoren tonë historike.
Andaj, u shpreh mirënjohje të gjithë atyre që vunë çdo tullë në ndërtimin e kësaj kështjelle të dijes.
Zyrtarizimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës hapi mundësinë e zgjerimit të tij me shumë programe të reja të kohës me çka ky institucion po bëhet qendër e zhvillimit tonë të përgjithshëm, përfshi këtu edhe atë ekonomik. Prandaj, mbetet obligim i të gjitha strukturave politike dhe shtetërore që të ndërlidhin bashkëpunimin reciprok për të mirën e përgjithshme. Për dallim nga universitetet tjetra, Universiteti shtetëror i Tetovës si universitet publik do të dijë të vendos raport përkatës me nevojat e vendit dhe popullatës për tu bë në plotë kuptimin e fjalës universitet publik.
Natyrisht për këtë do të nevojitet edhe ndihma dhe kujdesi përkatës i shtetit që nuk do të mungojë.

 

 

Të vetëdijshëm për nevojën e madhe që populli ynë ka për arsimim të lartë ne sot jemi të preokupuar që Universitetin me të vërtetë ta shndërrojmë në një qendër që do të jetë në shërbim të qytetarëve respektivisht të studentëve dhe profesorëve.
Të vetëdijshëm edhe për gjendjen dhe nevojat e përgjithshme ekonomike të qytetarëve tanë, udhëheqja e Universitetit është e preokupuar që sipas kushteve dhe mundësive, këtë institucion ta afrojë sa më shumë te qytetarët. Për këtë edhe është bë disperzimi i disa fakulteteve edhe në qendra të tjera në Maqedoni, siç janë: Kumanova, Shkupi, Gostivari, Kërçova dhe Struga.  

 

 

Të nderuar të pranishëm.
Ndër idealet tona ka qenë dhe është krijimi i një strukture të reja më të madhe kuadrosh të përgatitura për udhëheqje të shoqërisë. Kjo është ajo që e pret populli dhe të gjithë ne nga universiteti i Tetovës. Në këtë drejtim është i përqendruar edhe angazhimi i jonë. Ne jemi të përcaktuar për krijimin e kushteve sa më të mira për përgatitjen e kuadrove cilësore si të kuadrit mësimdhënës ashtu edhe të studentëve.
Shoqëria jonë ka nevojë shumë të madhe për kuadro cilësore, posaçërisht ne si shqiptarë. Prandaj, është e patjetërsueshme se mbi të gjitha vëmendja duhet drejtuar nga kualiteti dhe vlerat e mirëfillta akademike.
Tashmë është çështje kohe kur Republika e Maqedonisë do ti fillojë negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë në këtë familje të madhe të shteteve demokratike. Por, negociatat paraqesin një aktivitet shumë të madh, të rëndësishëm dhe përmbajtësor, për të gjithë ne. Ato do të pasqyrojnë edhe përgatitjen tonë profesionale dhe shkencore për të mbrojtur interesat e vendit, interesat tona, të kësaj popullate. Aty do të dëshmohet edhe përgatitja dhe aftësia jonë intelektuale dhe shoqërore, aftësia dhe kapaciteti ynë për ndërtimin e shoqërisë demokratike.
Ne si shqiptarë në këtë aktivitet duhet të participojmë me potencialin tonë të përgjithshëm kadrovik e profesional. Ne duhet të bëhemi pjesë e procesit për tu bë aktorë të drejtpërdrejtë për fatin tonë në të ardhmen. Një pjesë e asaj që do të dëshmojmë gjithsesi i takon edhe Universitetit shtetëror të Tetovës, dhe të gjitha strukturave tjera shoqërore, intelektuale, politike e shtetërore.
Të nderuar pjesëmarrës,
Jubileu i sotëm është edhe një nxitje për punë sa më të organizuar, cilësore dhe vizionare. Ardhmëria i takon dijes. Dijes që fitohet në institucionet e këtij lloji.
Prandaj, duke Ju përgëzuar për këtë jubile, shpreh bindjen se strukturat e universitetit angazhimet e veta do ti orientojnë kah ndërtimi sa më i shëndoshë i këtij tempulli. Natyrisht gjithnjë në funksion të qëllimit parësor të Universitetit”, tha në fjalën e tij përshëndetëse zv.kryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi.

 

 

Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Shaban Arsllani, duke ju drejtuar të pranishmëve, theksoi: “Parlamenti Studentor i USHT-së në 15-vjetorin e themelimit të Universitetit përgëzon gjeneratat e para të studentëve të cilat pa hamendje regjistruan studimet në Universitetin e Tetovës.
Këto gjenerata me vendosmërinë e tyre për të studiuar , institucionalizuan arsimimin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.
Në këtë Akademi Solemne, ne studentët e USHT-së nuk do të harrojmë kurrë edhe kontributin e mësimdhënësve të parë të këtij Universiteti, i cili nga viti në vit u shndërrua në alternativën e sigurt për të ardhmen e kombit shqiptarë në RM-së. Rrugëtimi ndër vite i USHT-së siç e dimë të gjithë nuk ishte i lehtë, prandaj kontributi dhe ndihma nga të gjithë faktorët ishte më se e nevojshme.

 

 

Si rezultat i bashkëpunimit të faktorit shqiptarë në këto hapësira dhe më gjerë Universiteti Shtetëror i Tetovës në vitin 2004 arriti të finalizoi kërkesën legjitime për legalizimin e tij.
Nga viti 2004, padyshim studentët e ndien vetën më të sigurt në misionin e tyre për të fituar arsimim universitar duke u para-përgatitur për sfidat e botës së qytetëruar.
Në këtë përvjetor të themelimit, PS-USHT-së inkurajojmë të gjithë studentët  që kanë për synim që ky  institucion  të arrijë  trendët bashkëkohore të shkollimit të lartë dhe bashkëngjitjen  në familjen e universiteteve evropiane dhe botërore.
Këtë vit kur festojmë 15-vjetorin e themelimit, Parlamenti Studentor bashkë me udhëheqësinë e USHT-së ka arritur të thelloi bashkëpunimin ndër-universitar me një numër të konsiderueshëm Universitetesh nga vendi, rajoni dhe bota”, tha Arsllani.

 

 

Në pamundësi për të qenë të pranishëm në Akademinë solemne me rastin e 15 vjetorit të themelimit të USHT-së, me anë të telegrameve të urimit akademinë e përshëndetën, rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr. Dhori Kule, dhe Drejtori i Agjensionit nacional për programe arsimore dhe mobilitet, Boshko Nellkovski.
Në telegram urimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, thuhej: “Të nderuar kolegë, studentë, qytetarë të Tetovës, vëllezër dhe motra, në emër të Universitetit të Tiranës, të stafit akademik, ndihmës e studentëve si dhe në cilësinë time të Kryetarit të Rrjetit të Universiteteve shqipfolëse, më lejoni t’Ju shpreh nga zemra: Gëzuar 15 – vjetorin e krijimit të Universitetit tuaj!
Çdo universitet është një dritë më shumë, është drita e së ardhmes, është drita e dijes, është drita e integrimit në shoqërinë shumëkulturore.
Por, Universiteti shtetëror i Tetovës, është një dritë e veçantë sepse doli nga dëshira mbarëpopullore për arsimim në gjuhën amtare, për njohje të identitetit kombëtarë në një shoqëri multietnike. Ndaj është rasti për t’i shprehur mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan për këtë tempull të dijes. Një mirënjohje e veçantë i shkon popullsisë shqiptare të Tetovës dhe gjithë Maqedonisë, stafeve të profesoratit në Maqedoni, në Kosovë dhe Shqipëri, kolegëve rektorë në vite, e personalisht juve Zotëri Rektor që drejtoni sot Universitetin shtetëror të Tetovës.

 

 

Gjej rastin të përsëris vullnetin e institucionit që unë drejtoj për të rritur e forcuar bashkëpunimin në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit në mënyrë që së bashku, e në ndihmë të ndërsjellë, të përballojmë sfidat që shtron para nesh procesi i integrimit në Kartën e Bolonjës, duke i shërbyer shoqërisë sonë si udhërrëfyese të zhvillimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës.
Atdheu mirënjohës tempullit të dijes”, thuhej në fund të telegram urimit dërguar nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.dr. Dhori Kule.
Ndërsa në telegram urimin e Drejtorit të Agjensionit nacional për programe arsimore dhe mobilitet, Boshko Nellkovski, thuhej: “Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Agjensionit nacional për programe arsimore dhe mobilitet t’Ju uroj jubileun dhe t’Ju dëshiroj punë të suksesshme edhe gjatë shumë viteve të ardhshme.
Poashtu, Ju njoftoj se për shkak të obligimeve të parapara që më parë, takimeve të pa anulueshme në Republikën e Maqedonisë dhe jashtë vendit, nuk do të kem mundësi të marr pjesë në Akademinë solemne që organizohet me rastin e jubileut.
Duke ju uruar edhe një herë për jubileun, Ju siguroj se në rastin e parë të ardhshëm do ta vizitoj Institucionin Tuaj.
Shpresoj se në të ardhmen bashkëpunimi ynë do të jetë më intensiv dhe më i fuqishëm ashtu siç ka qenë edhe deri më tani, duke marrë parasysh sfidat të cilat gjenden para nesh”.

 

 

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof.dr. Agron Reka, i ndau mirënjohje zv.kryeministrit Abdylaqim Ademi, për mbështetjen e vazhdueshme institucionale që i ka dhënë USHT-së.

 

 

Rektori i USHT-së, poashtu dekoroi edhe pesë studentët më të dalluar të universitetit, Nora Osmanin, Fisnike Bekteshin, Vebi Fazliun, Shirjete Aliovskën dhe Arlinda Abdilbaki.
Akademia Solemne kushtuar 15 vjetorit të themelimit të USHT-së, përfundoi me një potpuri këngësh përpunuar dhe përgatitur nga Selami Kolonja, interpretuar nga Korri kamertal i Universitetit Shtetëror të Tetovës.

 

 

Me pas për të gjithë mysafirët, u shtrua një koktej rasti ne restorantin Arra në Tetovë.

 

Zyra për Informim - USHT.
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
044-356-500, lokal 542

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE

PROGRAMI ERASMUS

ISO 9001 - 2000