Lajme:

 

 

Ekspertët me vlerësime të kundërta për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë

 

Më 18 shkurt 2010, në ambientet e Rektoratit të USHT-së, Fakulteti Juridik organizoi tryezën e rrumbullakët, me temë: “Mësimi i maqedonishtes nga klasa e parë, kushtetues, apo jo kushtetues”, në të cilën përpos Ministrit të arsimit dhe shkencës, z. Nikolla Todor, morën pjesë edhe profesorë të së drejtës kushtetuese nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, profesorë të Fakultetit Juridik të USHT-së, si dhe ekspertë të tjerë të shkencave juridike. Në tryezën e rrumbullakët ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve, të përfaqësive diplomatike të BE-së dhe OSBE-së, në Maqedoni.

 


Ministri Todorov, në fillim të tryezës theksoi se, ashtu siç kam premtuar do t’i dëgjoj ekspertët juridikë të dy komuniteteve dhe theksoi se në këtë tryezë do të jetë vetëm në rolin e vëzhguesit.
Eksperti juridik dhe njëkohësisht edhe dekan i Fakultetit Juridik të USHT-së, mr. sc. Agim Nuhiu, konstatoi se vendimi i Ministrit Todorov, për mësimin e gjuhës maqedonase, nga nxënësit pjesëtarë të bashkësive etnike, si akt nënligjor duhet të ketë bazë konkrete ligjore të mbështetur në Ligjin për arsimin fillor.

 


Nuhiu më tej shtoi se: ”Vendimi i Ministrit nuk mund ta ndryshojë vullnetin e ligjvënësit, të shprehur me rastin e sjelljes së Ligjit për arsimin fillor. Një gjë e tillë bëhet vetëm me ndryshimin e Ligjit nga ana e ligjvënësit”, theksoi eksperti juridik Agim Nuhiu, duke përfunduar se vendimi i ministrit, si akt nënligjor, mund të shërbejë për realizimin e asaj zgjidhjeje ligjore në praktikë, por assesi nuk mund ta ndryshojë atë zgjidhje.

 


Ekspertja e të drejtës kushtetuese, dr. sc. Fatmire Lumani, theksoi se vendimi i Ministrit të arsimit dhe shkencës, Nikolla Todorov, jo vetëm që është jokushtetues dhe joligjor, por si i tillë është edhe diskriminues ndaj nxënësve pjesëtarë të bashkësive etnike, duke u referuar në amendamentet e Kushtetutës së RM.

 


Eksperti tjetër i së drejtës kushtetuese, prof. dr. Osman Kadriu, konstatoi se vendimi i ministrit, jo vetëm që është politizuar, por si i tillë edhe është problematizuar. Sipas profesor Osman Kadriut, ky vendim i ministrit Todorov duhet të trajtohet në disa nivele, siç janë, niveli juridik dhe politik, sepse, siç theksoi ai, si pasojë e këtij vendimi ka ardhur në një mënyrë deri te përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike, duke pasur parasysh që fusha e arsimit është një lëmi shumë specifike dhe në këtë rast duhet pasur kujdes për sjelljen e këtyre vendimeve, siç është edhe ky për mësimin e gjuhës maqedonase nga klasa e parë, për nxënësit e bashkësive etnike.

 


Ministri i arsimit dhe shkencës, Nikolla Todorov, në fund të tryezës së rrumbullakët, theksoi se ndjehet mjaft ngushtë për shkak të një debati kaq të vështirë, ku vërehen qartë dallimet në vlerësime nga ana e ekspertëve, varësisht nga përkatësia e tyre etnike.

 

Zyra për Informim - USHT
Kontakt: e-mail: press@unite.edu.mk
Tel: 044/356 500, lokal 542

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE
Studentët e diplomuar

 

 

 

 

ISO 9001 - 2000