Lajmet:

 

Fjalimi i Rektorit doc. dr. Agron Reka në konferencën për shtyp
  

 



Të nderuar dekanë, profesorë dhe bashkëpunëtorë, sot jemi këtu para jush të konfirmojmë interesimin e studentëve në afatin e parë të regjistrimit që ka filluar dje. Deri më tani në të gjitha Fakultetet dhe Programet Studimore janë paraqitur për regjistrim mbi 1200 studentë të rinj. Duhet të theksojë se aplikimi për studime bëhet njëjtë si në qytetin e Tetovës ashtu dhe në qytete tjera ku kemi fakultete të disperzuara .Stafi drejtues i Universitetit vlerëson se ky proces ka rrjedh dhe vazhdon pa pengesa , i organizuar mirë me lëshime të vogla të natyrës teknike. Jemi të kënaqur me nivelin e interesimit të studentëve dhe deri në fund të procesit parashikimi ynë për pranimin e mbi 4000 studentëve do të plotësohet . Me këtë rast duam të theksojmë aplikimin e konsiderueshëm për studimet e disperzuara në Kumanovë, Strugë, Kërçovë dhe Shkup.
Për këtë arsye jemi përpara jush që edhe në këtë formë të kërkojmë nga qeveria të përgatit ne mënyrë urgjente vendet e destinuara për zhvillimin e mësimit te disperzuar dhe të kryejë të gjitha obligimet tjera ndaj USHT-së.
Stafi menaxhues i USHT-së e ka vizionin e qartë për konsolidimin përfundimtar të këtij Institucioni arsimor, por aspak më të vogla nuk janë edhe obligimet e qeverisë ndaj këtij Universitetit.
Të nderuar brucosh e studente, Këshilli i Rektoratit ka bërë përgatitjet e duhura për fillim të mbarë të procesit mësimor-shkencor dhe ka përfshirë masa lehtësuese të natyrës financiare për të gjithë studentët e USHT-së. Koeficienti i ndryshimit të pagesave prej 67%, do të ndihmojë dukshëm buxhetin e çdo studenti dhe familje dhe në përgjithësi do t’i ndihmojë arsimit sipëror në vend. Ky vit mësimor, ofron më shumë mundësi për studime shkencore për gjeneratat e reja në Universitetin tonë.
Fillimi i këtij viti akademik është njëri nga momentet kur në kuadër të aktiviteteve tona sigurojmë kohë që ta shohim se nga kemi filluar dhe cila është rruga jonë e mëtejshme dhe vizioni për ardhmërinë e Universitetit. Ky është njëri nga momentet kur e shprehim se cili është vizioni ynë dhe sa energji investojmë për përparimin e arsimit sipëror në vendin tonë. Sot është momenti kur ndjehemi edhe më të përgjegjshëm që të realizojmë edhe më tepër, që t’i inkurajojmë gjeneratat e reja të studentëve për ardhmëri më të mirë, më të lumtur dhe më me perspektivë. Këshilli i Rektoratit i ka vënë vetes për detyrë që në të ardhmen me kujdes do analizojë dhe shqyrtojë të gjitha detyrimet pagesore dhe në përputhje me ligjin do të ul vlerën e pagesave edhe për kuota të tjera të obligimeve materiale të Universitetit.

Mu për këtë, stafi drejtues i Universitetit bën gjithçka që është në mundësinë e tij, që ta shpie Universitetin më sigurt në rrjedhat evropiane dhe botërore të arsimit sipëror kualitativ. Ky përcaktim e mban vital Universitetin në këtë kohë, që ai të paraqet institucion të zbatimit të teknologjive bashkëkohore, ku do të studiohet në mënyrë moderne dhe efikase, që do të përfaqësojë një ambient akademik ku me përkushtim dhe shpresë do të regjistrohen gjeneratat e reja të studentëve. Pikërisht ata, studentët, janë në fokus të vëmendjes sonë. Ata janë motivi ynë kryesor, dëshmi e punës dhe angazhimit, tregues të sukseseve tona. Ata janë garancia se në të ardhmen Universitetit nuk do t’i mungojnë kuadrot e reja dhe të përgatitura. E dimë se vitet nuk krijojnë njerëz të mençur, por krijojnë pleq, po ashtu dimë se ardhmëria e një populli qëndron në rininë e tij.
Të nderuar kolegë profesorë, të dashur studentë, dua ta shprehi besimin e udhëheqjes së Universitetit tonë se që tani punojmë sipas planeve dhe programeve të reja mësimore; se i zbatojmë tërësisht parimet e Deklaratës së Bolonjës; punojmë në zhvillimin e programeve studimore; angazhohemi vazhdimisht për punësimin e kuadrit të aftë dhe të përgatitur profesionalisht, si në procesin mësimor edhe në administratën e universitetit;do të lidhim kontrata të reja bashkëpunimi me universitetet tjera nga vendi dhe nga jashtë, për shkëmbim të kuadrit dhe përvojave. Të gjitha këto i realizojmë me një përkushtim të madh dhe përgjegjësi. Kjo qasje besojmë se përherë do të jep rezultate. Ky përkushtim do të vazhdojë të jep rezultate edhe në të ardhmen.
Në fund, edhe një herë Ju shpreh respekt të madh të gjithëve në Universitet, studentëve dhe mësimdhënësve Ju urojë shëndet dhe suksese në vitin e ri akademik 2009/2010.
Gjithashtu për në fund doja të shtojë edhe diçka: USHT-ja është universiteti i parë i integruar. Konsideroj se në krahasim me universitetet tjera, universiteti ynë nga MTV-1dhe MTV-2 nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë. Andaj vlerësojmë se aktivitetet e USHT-së duhet të përfshihen dhe të zënë vend në punën e çdo shtëpie informative. Suksese.

Zyra për informim e USHT-së

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE

ISO 9001 - 2000