Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë, i organizuar nga USHT-ja, do t’i tubojë emrat më eminentë të gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare
Reagim ndaj shkrimit të botuar në gazetën ,,Koha”, me titull “Farsë dhe komprometim i albanologjisë” si dhe shkrimit me titull “Falsifikime dhe aktivitete klandestine që rrënojnë USHT-së, të botuar në gazetën ,,24 Orë”, të datës 18.08.2009
Të shkarkuarit nga postet drejtuese në USHT, nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me Vendimin e datës 2 korrik 2009, edhe më tej nuk kanë të ndalur me shpifjet dhe broçkullat e ndryshme nëpër media. Kësaj radhe, këta njerëz duke parë se nuk gjetën asgjë të jashtëligjshme në emërimin e strukturës së re udhëheqëse të USHT-së dhe funksionimit të këtij institucioni të lartë arsimor, janë hedhur në sulm kundër Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, të cilin e organizon USHT-ja, si dhe drejtorisë së re të këtij Seminari, të emëruar nga Këshilli i Rektoratit të USHT-së, më 30 korrik 2009.
Siç mund të vërehet, nga vreri që shprehin në shkrimet e tyre, kabineti i ish u.d. rektorit të shkarkuar dhe të strukur në kthinat e Komunës së Tetovës, janë të shastisur nga interesimi i studiuesve të albanologjisë, nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë. Duke mos mundur ta përballojnë këtë të vërtetë, ata kanë filluar t’i nënçmojnë studiuesit më në zë të shkencës së albanologjisë, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre në këtë seminar, si pjesëmarrje në një “argëtim pa vlerë dhe limonadë mashtruese”. Është paksa e çuditshme që këtë vrer e hedh një “punonjës shkencor”, por edhe kjo e ka arsyetimin e vet. Vite me radhë shumë “punonjës akademikë”, USHT-në e kanë konsideruar si vend për shitje të limonadës (investo shumë pak, përfito dhjetëfish).
Zotëri Qemal Muratit, mos vallë i duhet të emërohet drejtues, apo siç i parapëlqen ta quajnë, bartës i funksioneve “drejtor”, “senator”, “shef” edhe në ndonjë seminar tjetër në rajon? Ju pyesim publikisht: mos vallë keni themeluar marrëdhënie të rregullt pune, pos në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup, në Universitetin Shtetëror të Tetovës edhe në ndonjë “Institut” fantom. Andaj, shkencëtarët e mirëfilltë nuk kanë vend dhe nuk e meritojnë të jenë në ekzil. Nëse ju vërtet jeni të bindur se jeni në shërbim të shkencës, atëherë, në cilin institucion është adresa juaj?
Me këtë rast, u bëjmë me dije se Seminari i Tretë Ndërkombëtar i Albanologjisë, i organizuar nga USHT-ja, do të mbahet në kohën e duhur, kur edhe Drejtoria e Seminarit e ka shpallur, dhe për të cilin, pjesëmarrjen e tyre tani më e kanë konfirmuar emra të njohur të gjuhësisë. letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare.
.
Zyra për informim e USHT-së |