Lajmet:

 

 

Reagim i USHT-së kundër botimit të Enciklopedisë Maqedonase  

Universitetit Shtetëror i Tetovës, reagon ndaj të pavërtetave eklatante dhe botimit skandaloz të “Enciklopedisë” të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Ky botim është tendencioz, i pa bazuar në fakte shkencore, me frymëzim të tejskajshëm nacionalist dhe i mbështetur në fiksione dhe paragjykime. Akademikët maqedonas, harrojnë se për të shkruar historinë, historiani është i detyruar t’u qëndroj besnik fakteve historike, çka nuk e kanë pasur parasyshë hartuesit e “Enciklopedisë”.

Botimi i një “Enciklopedie” të tillë është i dëmshëm për shtetin tonë multietnik, pasi minon të gjitha urat e bashkëjetesës dhe pengon integrimin evropian të vendit.

Fatkeqësisht, botimi i një “Enciklopedie” të tillë dëshmon se në vendin tonë ende kemi një vazhdimësi të një politike antishqiptare. E vërteta është se ky botim i Akademisë nuk mbështetet mbi dokumente historike të asaj kohe, por mbi material gojor të mbledhur në mënyrë tendencioze dhe në shumë raste të sajuar nga vetë autorët.

Rikujtojmë hartuesit e kësaj “Enciklopedie” se historiografia shqiptare dhe ajo e huaj kanë vërtetuar në mënyrë shkencore vazhdimësinë e autoktonisë së shqiptarëve në këto troje.

Kjo Akademi harron se vendi ynë, në fillim të këtij shekulli, ka nisur një proces me orientim properëndimor dhe botime me një frymë të tillë, të pa mbështetura në argumente shkencore, dëmtojnë këtë proces, i cili ka rëndësi jetike për Maqedoninë.

Punonjësit akademikë dhe shkencorë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, do t’u përgjigjen me argumente shkencore, trillimeve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

                                                                                             U.D Rektor
Tetovë, 22.09.2009                                                     Doc.dr Agron Reka

.


Zyra për informim e USHT-së

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE

ISO 9001 - 2000