Lajmet:

 

Filloi Seminari i III-të ndërkombëtarë i albanologjisë   

Në praninë e një numri të madh të studiuesve të shkencës së Albanologjisë, si dhe të drejtuesve të lartë të institucioneve qendrore të shtetit, por edhe të liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoni, në Tetovë, solemnisht filloi punimet Seminari i III-të ndërkombëtarë i Albanologjisë. Rektori i USHT-së, Agron Reka, tha se ky Seminar ka vlerë të veçantë pasi vjen në kohën e arritur nga ne, në vendin e duhur në Shkup, dhe në kohën e ëndërruar nga breza, që fjala, mendimi dhe gjuha shqipe të thuhen lirisht. Kjo, e bën më madhështor këtë Seminar, dhe i jep kuptimin e plotë të studimeve tek ne. Sot, në kushte dhe rrethana të reja, jam i bindur se Ju, studiues të respektuar, do ta çmoni me kujdes çdo avancim dhe zhvillim të kulturës sonë.

Universiteti Shtetëror i Tetovës, sot priti studiuesit më në zë të albanologjisë, etnologjisë dhe historisë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga vende të ndryshme të botës.

Seminari solemnisht u shpall i hapur në amfiteatrin e rektoratit të USHT-së, me ç‘rast të pranishëm përpos një numri të madh të studiuesve dhe shkencëtarëve të albanologjisë, etnologjisë dhe historisë, ishin edhe zv.kryeministri i Qeverisë së RM-së Abdylaqim Ademi, zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Lindita Qazimi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, anëtari i Kryesisë Qendrore të DR-së dhe ish ministër i arsimit Sulejman Rushiti, si dhe shumë deputetë dhe drejtues të lartë të institucioneve shtetërore.

U.d. Rektor i USHT-së, Agron Reka, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi: “Ky është viti i tretë me radhë i Seminarit të Albanologjisë, që e organizon dhe e mbështet Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe shpresojmë si edhe viteve të tjera të jetë një aktivitet i suksesshëm, i cili do t’u kontribuojë shkencave të albanologjisë dhe përgjithësisht studimeve shkencore.

Manifestimet shkencore, debatet dhe mendimet që pritet të paraqiten gjatë ditëve në vijim, do të nxjerrin në dritë vlera të rëndësishme dhe me peshë shkencore. Seminari i Albanologjisë ka qenë dhe do të mbetet në vazhdimësi në shërbim të këtij qëllimi me porosi të mëdha humane dhe civilizuese.

Ky Seminar, është një vatër e cila i tubon studiuesit e gjuhës, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare, nga vendi ynë dhe nga të gjitha anët e botës, që ti paraqesin, t’i shtrojnë tezat e tyre shkencore dhe të debatojnë për çështje që kanë të bëjnë me fushat e albanologjisë”. Rektori Reka poashtu përgëzoi studiuesit për aktivitetet e tyre shkencore në lëmin e Albanologjisë, duke ju drejtuar me fjalët: “Krahas përgëzimeve, vij këtu, me porosinë e veçantë, që t’i jepni gjuhës, letërsisë dhe historisë sonë kuptimin, që ta prezantojmë më mirë jetën tonë shkencore të albanologjisë. Ne, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, jemi të gatshëm, që ta zhvillojmë me kujdes shkencën e albanologjisë. Qasjet shkencore dhe të drejta të studimeve, për studentët dhe profesorët e Universitetit Shtetëror të Tetovës, paraqesin një detyrim profesional dhe kombëtar, por që përmbajnë në vete një krenari dhe konkurrencë pozitive. Ne jemi të vendosur që të arriturat tona shkencore, t’i shprehim në gjuhën e drejtë dhe të kuptuar. Veprimtaria juaj shkencore, na e lehtëson këtë synim tonë. Andaj punën tuaj të vazhdueshme në pasurimin e shkencës së albanologjisë e shohim si plotësim për atë që kemi vënë si rregull dhe synim”.

Seminarin e III-të ndërkombëtarë të Albanologjisë e shpalli të hapur, Drejtori i këtij Seminari, Dr.sc. Fehari Ramadani, duke theksuar: “Seminari III Ndërkombëtar i Albanologjisë përmes veprimtarisë së tij jep mesazhe bashkëpunimi e respekti, jo vetëm për botën shqiptare, por për të gjithë ata, që çmojnë shkencën, kulturën dhe vlerat tjera njerëzore.

Seminari i sivjetmë synon të zhvilloj veprimtari të shumanshme shkencore dhe kulturore. Ai është i ndarë në katër sesione shkencore, në të cilat studiuesit nga fusha të ndryshme të albanologjisë, do të mbajnë kumtesa në fusha të tilla, si: gjuhësia, letërsia, historia dhe etnokultura. Referimet do të shoqërohen me debate të frytshme shkencore.

Gjatë sesioneve shkencore të këtij Seminari, do të lexohen rreth 60 kumtesa nga studiues të shquar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, si dhe nga albanologë të njohur nga Evropa dhe vende të tjera të botës. Nga ky Seminar pritet të dalin rezultate të reja shkencore, të cilat, pa dyshim, do t’i çojnë përpara studimet në fushat e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe të etnokulturës shqiptare”.

Drejtori Ramadani, po ashtu njoftoi të pranishmit edhe me sesionet shkencore që do të zhvillohen gjatë këtij Seminari, siç janë:

Sesioni shkencor i Gjuhësisë, me temë bosht: Gjuha shqipe mes së shkuarës dhe së ardhmes në të cilin do të lexohen rreth 20 kumtesa, të cilat sigurisht se do të sjellin arritjet e fundit në fushën e gjuhësisë.

Në Sesionin shkencor të letërsisë, ku temë bosht është: Ditarët dhe kujtimet në letërsinë shqipe, do të lexohen rreth 20 kumtesa të studiuesve nga viset e ndryshme etnike shqiptare, si dhe studiues nga vendet tjera.

Në dy sesionet e fundit, atë të historisë, me temë bosht: Shqiptarët në kontekstin e historiografisë ballkanike dhe sesionin e etnokulturës, me temë bosht: Kultura tradicionale (gojore dhe materiale) në kontekste të reja, do të lexojnë kumtesat e tyre rreth 30 studiues, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vende të tjera të botës. Edhe në këto dy sesione, pritet që studiuesit të sjellin arritje të reja nga këto dy fusha.

Punimet e Seminarit, do të shoqërohen edhe me vizita dhe kontakte me studiues vendas dhe qytetarë të Shkupit, të Tetovës dhe qyteteve të tjera të Maqedonisë, të cilët gjithnjë shfaqin interesim të madh për mysafirët e tyre të respektuar.

 

 


Zyra për informim e USHT-së

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE

ISO 9001 - 2000