
Lajmet:
Reagim i USHT-së kundër botimit të Enciklopedisë Maqedonase
Rikujtojmë hartuesit e Enciklopedisë Maqedonase se çështja e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët nuk u fut në shkencën albanologjike nga studiuesit shqiptarë por nga ata të huaj. Shumica e albanologëve ndërkombëtarë pajtohen se pjesa Perëndimore e Gadishullit Ballkanik, duke pasur si kufij natyror në lindje rrjedhat e lumenjve të Moravës e së paku të Vardarit të Mesëm, popullohej nga Ilirët. Mirëpo ky territor u rrudh dukshëm me rastin e dyndjeve sllave gjatë shek. VI-VII. Për dallim nga viset veriore ilire, ku popullsia ilire e romanizuar nuk qe në gjendje ta përballojë kolonizimin sllav, viset e Ilirisë Jugperëndimore, që i banojnë sot shqiptarët, i rezistuan me sukses dyndjes sllave. Sipas burimeve historike të shek. VI-VII, avaro-sllavët në atë kohë, duke ndjekur rrjedhat e lumenjve të përmendur i drejtuan sulmet e tyre kundër Selanikut dhe Kostandinopojës. Pikërisht në rrethinat e afërta, apo diç më të largëta të Selanikut sllavët krijuan territoret e tyre kompakte të njohura me emrin skllavini, ku ushtronin pushtetin e tyre. Historiografia shqiptare për dallim nga sajuesit e enciklopedisë së përmendur, nuk i fsheh ato pak informata burimore të cilat flasin për depërtime të grupeve të vogla sllave në territore të caktuara ku sot banojnë shqiptarët dhe me të drejtë konstaton se ato grupe mbetën të izoluara, duke mos mundur të krijojnë territore kompakte si në rastin e skllavinive. Le të jetë ky një shembull se si duhet shkruar historia, ndërsa hartuesve të enciklopedisë së përmendur ua rikujtojmë se një pjesë e fisit sllav të Draguvitëve u vendos në trevën e Pollogut vetëm në shek. XIII. Hartuesit e enciklopedisë, harrojnë të potencojnë se Kultura e Komanit, që lulëzoi në shek. VI-VIII, si një hallkë lidhëse midis ilirëve dhe arbërorëve të hershëm mesjetar (gjë që e pranon edhe medievisti bullgar Bojan Gjyzelev), përveç në territorin e shtetit shqiptar dhe në viset e tjera ku banojnë shqiptarët, është e pranishme edhe në disa lokalitet të pellgut të Ohrit e të krahinës së Prilepit. Këta hartues harrojnë të potencojnë edhe toponimet me prejardhje ilire si Skupi, Skardus etj., të cilat, sipas gjuhëtarëve me renome ndërkombëtare u ruajtën nga popullsia vendase në formën shqipe Shkup e Sharr. Po ashtu, ata harrojnë të evidentojnë faktin se Dardania, me kryeqendër Shkupin, sipas studiueses së mirënjohur Fanulla Papazogllu, i rezistoi më me sukses romanizimit, ndërsa popullsia e saj e mbijetoi dyndjen e madhe të popujve barbarë dhe hyri në mesjetë me emrin e ri Arbër. Zbërthimi i etnonimit arbër (arë banë d.m.th. bujk), të cilin sajuesit e enciklopedisë e tjetërsojnë në malësorë, tani më është i vjetruar. Sa për kureshtje po përmendim se emri Arbër (Albanum), iu vu fillimisht territorit malor në prapashpinë të Durrësit nga romakët, për shkak të ngjashmërisë gjeomorfologjike me Albano-n afër Romës, dhe ndoshta, edhe duke latinizuar emrin autokton ilir të vendit (Parthos/Bardh = Album). Në këtë mënyrë prej emrit të territorit, termi kaloi edhe në popullsinë e tij, që në shek. XI u quajt Albani, respektivisht Albanoi (ashtu siç i kishte quajtur gjeografi aleksandrian Kladudi Ptolomeu në shek. II) duke u përhapur gradualisht në trojet e banuara prej arbërve mesjetar, një proces i natyrshëm historik. Kur jemi te cilësimi i shqiptarëve për malësorë d.m.th. bujq e blegtorë, veprimtari që i kanë ushtruar të gjithë popujt, rikujtojmë hartuesit e enciklopedisë, se ata janë marrë edhe me zejtari, tregti etj., dhe se nga radhët e saj u krijua edhe aristokracia politike. Pikërisht, kjo klasë politike arbërore, në shek. VII-VIII, krijoi arkondinë e Durrësit, me një shtrirje të gjerë në lindje, e cila paraqitej autonome në kuadër të Perandorisë Bizantine. Në fillim të shek. XI në krye të Durrësit qëndronte familja bujare arbërore e Krisilëve, ndërsa në krye të temës së Bullgarisë me seli në Shkup, qëndronte David Arianiti, i cili sipas medievistit francez A. Dyselie ishte me përkatësi etnike arbërore. Aty nga pragu i gjysmës së shek. XI arbërorët paraqiten si izopolitë (d.m.th. autonomi vetëqeverisëse - izopolitia ishte institucion që rregullonte marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me popujt e tjerë, që konsideroheshin të ndryshëm nga bizantinët) dhe armiq të Perandorisë Bizantine, të cilët kishin drejtuar armët kundër saj. Klasa politike arbërore suksesin më të madh e arriti, aty nga fundi i shek. XII dhe fillimi i shek. XIII, kur krijoi shtetin e Arbërit. Duke mos radhitur edhe të dhëna të tjera historike, të cilat dëshmojnë për një mjedis të qytetëruar arbëror (si p.sh. arkitektë, piktorë, muzikologë, klerikë, principatat shqiptare të gjysmës e dytë shek. XIV, shteti i Skënderbeut në shek. XV etj.), termi malësor që u mëveshët shqiptarëve është tendencioz dhe provokon popullsinë shqiptare në Maqedoni. Burimet historike edhe pse mjaft të cunguara nuk flasin për një shtegtim të arbërorëve në drejtim të Maqedonisë së sotme Perëndimore. Me këtë rast pyesim sajuesit e enciklopedisë, sipas të cilëve edhe më tej vendi fillestar i shqiptarëve duhet kërkuar në krahinën malore të Krujës, a ka mundur kjo krahinë e vogël, ku nuk ka kushte natyrore për zhvillimin e mirëfilltë të bujqësisë e të blegtorisë, të ketë pasur potencial aq të madh njerëzor për të vërshuar jo vetëm trevat e Maqedonisë së sotme Perëndimore, por edhe Shqipërinë Jugore deri në Artë dhe Dardaninë? - diç e njohur nga historiografia serbe. Ne nuk do të ndalemi në burimet e shkruara historike të periudhës së mesjetës, se në çfarë cilësie përmendet Maqedonia e banorët e saj dhe ku shtrihej ajo. Këtu do të përmendim se, në gjysmën e dytë të shek. XIII, në Dibër zotëronte territore mjaft të gjera bujari arbërorë Pal Gropa. Krahina e Dibrës, në fillim të shek. XIV, bënte pjesë në kuadër të “Provincës së Arbërisë”. Bujari arbëror Progon Zguri, në fund të shek. XIII, rindërtoi kishën e Shën Mërisë së Bekuar në Ohër, ndërsa arbërorët e rrethinës së këtij qyteti në vitet e 20-ta të shek. XIV u çuan në kryengritje kundër Perandorisë Bizantine. Midis viteve 1300-1354, arbrit përmenden në krahinën e Prilepit, të Pollogut, të Shkupit, të Kumanovës e madje edhe në atë të Shtipit. Aty nga vitet e 70-ta të shek. XIV sundimtari arbëror Andrea Gropa kishte ngritur principatën e pavarur me qendër në Ohër, e që përfshinte edhe Dibrën, duke farkëtuar monedha të veta. Madje, autori i “Gjenealogjisë së Muzakajve”, Gjon Muzaka, thotë se kufiri midis “Arbërisë dhe Bulgarisë” ishte te mali Pelister i Manasirit. Për periudhën para sundimit osman është e rëndësishme të theksohet se arbërorët katolikë iu nënshtruan një përndjekje të egër shtetërore-ortodokse, e cila u kodifikua me kodin famëkeq të Stefan Dushanit (ky titullohej edhe si perandor i arbërorëve) të shpallur në Shkup. Shumë prej tyre u detyruan të konvertohen me dhunë në fenë ortodokse serbe, ndërsa Ipeshkvia arbërore e Shkupit, arriti të mbijetojë falë përpjekjeve të Stefan Dushanit, i cili për të relaksuar marrëdhëniet me Papatin, në vitin 1354, i premtonte papës se do t'u jepte fund persekutimeve ndaj katolikëve në shtetin e tij, duke shprehur dëshirën për t'u konvertuar edhe ai vetë në fenë katolike. Rikujtojmë sajuesit e Enciklopedisë Maqedonase se, duke mos hyrë në elaborimin e pranisë së arbërorëve sipas defterëve osmanë, të shek. XV-XVI, ku ata ishin popullsi mbizotëruese në viset e Maqedonisë ku banojnë sot, por edhe më gjerë në lindje, të mos i identifikojnë shqiptarët si mysliman dhe të ardhur në Maqedoni pas shek. XIV. Shembulli më i mirë, i mbijetesës së arbërorëve të ritit ortodoks është ai Kërçovës, ku sipas defterëve osman të shek. XV në këtë qytet ekzistonin mëhalla e serbëve dhe ajo e arnautëve (arbërorëve), banorët e të cilave mbanin emra ortodoks, diç e ngjashme dhe në qytetet e tjera Maqedonisë. Antroponimia dhe toponimia sllave, që ndeshet te një pjesë e banorëve dhe e vendbanimeve shqiptare nuk mund të shërbej si kriter për të përcaktuar karakterin etnik të popullsisë së atyre vendbanimeve. Emrat sllavë të popullsisë shqiptare, të atyre territoreve, ishin pasojë e ndikimit të fuqishëm të faktorëve social-politikë dhe fetarë, kurse emrat sllavë të vendbanimeve, ishin pasojë e pushtimit sllav të tyre. Me interes është të theksohet se te pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare e besimit katolik dhe ortodoks u përhap feja islame, kurse te popullsia sllave nuk ndodhi një gjë e tillë. Kjo shpjegohet me faktin se ndikimi i Patrikanës së Pejës ishte mjaft i madh tek popullsia ortodokse sllave, kurse nga shqiptarët ajo shihej si institucion që u shërbente sunduesve të huaj serbë, prandaj autoriteti i saj te shqiptarët ishte i dobët. Historiografia serbe, të cilës tani i janë bashkangjitur edhe hartuesit e Enciklopedisë Maqedonase, ka propaganduar se pas luftërave austro-osmane të fundit të shek. XVII, qeveria osmane, pas shpërnguljes së sllavëve ka sjellë në Kosovë dhe në Maqedoninë e sotme Perëndimore, popullsi nga Shqipëria e sotme Veriore. Mirëpo, në burimet historike të kohës nuk bëhet fjalë për ndonjë lëvizje të popullsisë shqiptare për në Kosovë dhe në Maqedoninë e sotme Perëndimore nga territoret e brendshme malore, si Mirdita, Dukagjini e Malësia e Mbishkodrës etj. Në të kundërtën burimet historike dëshmojnë se gjatë shek. XV-XVI nuk ka pasur potencial njerëzor për lëvizje të tilla. Numri i shtëpive që kishin gjithsej malësitë e Shqipërisë së Veriut arrinte në rreth 1.214 shtëpi, kurse vetëm në sanxhakun e Vushtrrisë kishte rreth 28.000 shtëpi. Numri i shtëpive në malësitë e Shqipërisë Veriore përbënte më pak se 1/7 e numrit të shtëpive që kishte vetëm sanxhaku i Vushtrrisë. Edhe sikur e gjithë popullsia e malësive të kishte lëvizur, gjë që është e pamundur, nuk do të arrinte të ndryshonte karakterin etnik të popullsisë së Kosovës dhe të Maqedonisë së sotme Perëndimore, në rast se ajo do të kishte qenë krejtësisht sllave. Po të kishte pasur një lëvizje të madhe të sllavëve nga Maqedonia e sotme Perëndimore dhe nga Kosova, drejt veriut të Ballkanit, do të regjistrohej në dokumentet kishtare sllave. Mirëpo këto prova mungojnë. Në fakt pas tërheqjes te ushtrisë austriake bashkë me të u shpërngul një numër i vogël serbësh me patrikun Arsenie Cernojoviq në krye. Bashkë me ushtrinë austriake u shpërngulen edhe shqiptarë vendas që kishin marrë pjesë në kryengritje kundër ushtrisë osmane. Ata u vendosen përtej kufirit osman, në krahinën e Sremit. Pjetër Mazreku, arqipeshkv i Tivarit, i cili, më 1623, vizitoi Shkupin, i raportonte Vatikanit se ky qytet ishte i banuar me shumicë prej shqiptarësh. Udhëpërshkruesi osman Evlija Çelebi, më 1637, pohon se shumicën e banorëve të Shkupit, Kumanovës etj., e përbënin shqiptarët. Sipas tij, në Shkup flitej gjuha shqipe dhe rumelishte, dhe se lumi Vardar buronte në Shqipëri. Arqipeshkvi i Tivarit, Gjergj Bardhi, më 1638, i raportonte Selisë së Shenjtë se Shkupi e Kratova janë shqiptare. Në relacionin e Andre Bogdanit, kryeipeshkv i kishës katolike shqiptare të Shkupit, të viti 1656, thuhet se Shkupi ishte qytet i madh prej 30.000 banorësh, nga të cilët shumica ishin shqiptarë myslimanë. Në dokumentet e komandës austriake, në memorialin mbi Shqipërinë të datës 1 prill 1690, të gjeneral Marsiglit, anëtar i Shtabit të ushtrisë austriake, në letrat e vikarit katolik të Shkupit, Thoma Raspasarit, që zëvendësoi Pjetër Bogdanin, dëshmohet se Shkupi përfshihej në Shqipëri, ku flitej gjuha shqipe. Vetë perandori i Austrisë, Leopoldi I, kur ushtritë e tij hynë në Kosovë dhe në Shkup, theksonte se ato luftonin në Shqipëri etj. Pjetër Bogdani cilësohej “arqipeshkv i Shqipërisë” dhe ipeshkvia e Shkupit si ipeshkvi e përfshirë në Shqipëri. Gjithashtu, dokumentet austriake dëshmojnë për një numër të madh kryengritësish shqiptarë vendas (mbi 10.000 vetë), që u bashkuan me ushtrinë austriake në vitin 1689. Të dhënat e mësipërme dëshmojnë krejt të kundërtën nga ajo që pretendohet në Enciklopedinë Maqedonase.
Katedra e Historisë Fakulteti Filozofik - USHT
Zyra për informim e USHT-së |
PARLAMENTI I STUDENTËVE 
