Lajmet:

 

 

USHT-ja inauguroi fakultetet e disperzuar në Shkup   

Pas 15 vjet të funksionimit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, filloi funksionimin edhe në kryeqendrën e Maqedonisë, në Shkup. Në mënyrë solemne me praninë e një numri të madh të personaliteteve akademike dhe të jetës shoqëroro-politike, në Shkup, u bë inaugurimi i objekteve të fakulteteve të disperzuara të USHT-së.

 

Në praninë e drejtuesve më të lartë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në Shkup, sot u bë inaugurimi i studimeve të disperzuara të USHT-së në Shkup. Në solemnitet ishin të pranishëm edhe  kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi, zëvendësministrja e Arsimit, Lindita Qazimi, Kryetari i Komunës Çair, Izet Mexhiti, Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë Arben Çeku, si dhe shumë deputetë dhe ministra shqiptarë.

 

 

Universiteti Shtetëror i Tetovës prej këtij viti akademik filloi edhe me dy degë të reja në Shkup, edhe atë me programet studimore të disperzuara, atë të Administratës së Biznesit dhe Fakultetit Juridik që funksionojnë në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Në ceremoninë e rastit fjalim hyrës mbajti rektori i USHT-së profesor dr. docent Agron Reka, i cili mes tjerash tha se Universiteti i Tetovës sot shënon një ditë të rëndësishme në veprimtarinë e saj se sot është ditë e madhe më hapjen e disa fakulteteve këtu në Shkup.
"Këtë vit akademik e fillojmë me një numër të konsiderueshëm të studentëve të rinj, të përfshirë në 11 fakultete dhe 34 programe studimore, si dhe studime të disperzuara në disa qytete të Maqedonisë, siç janë Kumanova, Kërçova Struga, dhe tani edhe këtu në Shkup. Udhëheqësia e pranishme e USHT-së ka ndërmarrë aktivitete për lehtësimin e sferën e pagesave për studentët. Edhe në të ardhmen do të vazhdojmë me këto masa me qëllim të përmirësimit të standardit studentor, dhe bëjmë gjithçka që është e mundur për konsolidimin e këtij Universiteti." theksoi Reka.

 



Ai shtoi se hapja e studimeve e disperzuara në kanë rëndësi të veçantë për shkak se Shkupi është kryeqytet, dhe gjenden shumica e përfaqësive të vende të huaja.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, duke përshëndetur studentët e rinj, dhe duke ju uruar studime të suksesshme theksoi se ndanë gëzimin e madh me tërë popullin shqiptarë.

 



"As që kam lexuar as që kam ngjëgjuar që ka forcë që ndal ortekët e majeve të larta të mbuluara me borë, as nuk kam dëgjuar e as nuk kam lexuar që një burrë të ndalë valët e detit, apo ndonjë forcë, apo ndonjë pushtet sado i fortë mund të ndal vrullin, vullnetin e një populli për dije për kulturë, për libër shkencë apo për abetare", tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij.

 



Në emër të Qeverisë së RM-së, studentët dhe stafin akademik të USHT-së i përshëndeti zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi i cili ditën e sotme në Shkup e krahasoi me atë të 15 viteve më të parë në Tetovë, duke thënë: “më lejoni të ndaj këtë gëzim që shpresoj të jetë njëjtë sikur se 15 vjet më parë kur në Tetovë u hap Universiteti i Tetovës. Ademi më pas theksoi: “Unë mendoj që përurimi i këtij Universiteti në Shkup është shumë i rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë dhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, është momenti kur disa akademikë ose disa intelektualë po mundohen të bëjnë shpifje dhe ofendime për popullin shqiptarë dhe të vënë në dyshim autoktoninë tonë. Prandaj nëse Shkupi është identifikuar me Çarshinë e Vjetër dhe Skënderbeun, në të ardhmen do të identifikohet edhe me Universitetin Shtetëror të cilin ne sot po e inaugurojmë këtu në Shkup", theksoi Ademi.

 



Ademi po ashtu tha se Qeveria e Republikës së Maqedonisë gjithmonë do t'i përkrahë projektet e këtij Universiteti, dhe në vitet e ardhshme akademike do të ketë disperzime edhe në qytetet tjera. Ademi tha se vetëm për Universitetin Shtetëror të Tetovës, Qeveria do të ndërtojë 14 laboratori për të gjitha fakultetet e USHT-së, ndërsa poashtu ka filluar edhe përkthimi i 500 titujve prej të cilave do të ketë përkthime edhe në gjuhën shqipe.
Zëvendësministrja e Arsimit, Lindita Qazimi tha se është kënaqësi e madhe të marrësh fjalën në një mjedis i cili prodhon mençuri.

 



"Jemi tubuar sot të fillojmë një nisje fisnike në dobi të gjeneratave të reja dhe për të gjithnjë ne bashkërisht, t'i gëzohemi hapjes së dy drejtimeve të reja të disperzuara studimore, Administratës së Biznesit dhe atij Juridik në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, studime këto që sipas konkursit do të përfshihen 200 studentë", tha Qazimi.
Ajo tha se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, respektivisht Qeveria, asnjëherë si deri tani nuk kanë qenë të përkushtuar jetësisht në ngritjen arsimore të gjeneratave të reja në të gjitha nivelet, kohë më parë kjo hapësirë që ne gjendemi sot ballafaqohej me probleme të shumta që lidheshin me edukimin dhe edukimin e gjeneratave të reja, sidomos për shqiptarët.
Rektorati i USHT-së në fund, në mënyrë simbolike pesë studentëve të rinj të fakultetit Juridik, të disperzuar në Shkup u ndau indekset studentorë.

 

 

Shpalimin e panosë para ndërtesës së universitetit e bënë, rektori i USHT-së, doc.dr. Agron Reka dhe kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

 

 

 


Zyra për informim e USHT-së

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE

ISO 9001 - 2000