Mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të prof. dr. Musli Halimi
Me rastin e ndarjes nga jeta të prof dr. Musli Halimi, Universiteti Shtetëror i Tetovës organizoi sot mbledhje komemorative kushtuar jetës dhe veprës së tij.
Para miqve, familjarëve, intelektualëve dhe studentëve, rektori i USHT-së doc.dr. Agron Reka theksoi : Jemi tubuar sot me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit tonë, prof. dr. Musli Halimi, për t’ia dhënë lamtumirën e fundit njeriut të zellshëm dhe shembullor, i cili me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë profesionale, deri në çastet e fundit të jetës së tij, e kreu detyrën e profesorit në USHT-së.

Profesor Musli Halimi do të kujtohet nga të gjithë për kontributin që dha në themelimin e Universitetit të Tetovës dhe fakultetit Juridik në të cilin punoi si mësimdhënës dhe ishte bartës i disa funksioneve udhëheqëse ndër të cilat edhe dekan i këtij fakulteti.
Në këto çaste të vështira, për familjen dhe të afërmit, shokët dhe miqtë, e ndajmë dhimbjen tonë të thellë edhe ne kolegët e tij të punës, profesorët, studentët dhe gjithë të punësuarit në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Rasti i ndarjes nga jeta i profesor Musliut është një rast i fundit për t’i shprehur nderimin dhe mirënjohjen tonë, për veprimtarinë e tij të palodhur dhe për rezultatet në jetën profesionale dhe intelektuale. Ky moment pikëllimi është një rast për t’i shpalosur vlerat e vërteta të njeriut, shkencëtarit dhe studiuesit dhe i porosisë për ta ndjekur shembullin e tij.

Profesori Musli Halimi ishte e do të mbetet simbol i punës, i sakrificës, i ndërgjegjes dhe moralit të shëndoshë, si dhe profesor shembullor që do të kujtohet përherë nga studentët dhe profesorët e Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Për jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë para të pranishmëve në amfiteatrin e USHT-së foli edhe dekani i Fakultetit Juridik Mr. sc. Agim Nuhiu, i cili tha :Është vështirë të thuash fjalë komemoracioni për profesor Musli Halimin. Aq më shumë për mua që e kam pasur profesor në studimet e drejtësisë, profesor të lëndës, udhëheqës të fakultetit, që më deshi dhe më ndihmoi gjatë studimeve, që më mbolli dashurinë ndaj drejtësisë mua dhe shumë të tjerëve në Kosovë, Maqedoni dhe gjetkë.

Në këto momente të nderuar, kujtojmë veprimtarinë e denjë kombëtare të profesorit, orën e parë të ligjëratave simbolike të mbajtur në fakultetin juridik që asaj kohe u mbajt në Poroj të Tetovës, hartimin e Statutit të UT-së veprimtarinë arsimdashëse dhe karrierën e tij prej një juristi të mirëfilltë, prej një profesori të denjë. Këtu kujtojmë sakrificën e profesorit për arsimin e brezave të rinj, për themelimin e fakultetit juridik të USHT-së, për të cilën gjë, nga obskurantistët e regjimit u dënua me burg me dy vjet e gjysmë .Dr. Musli Halimi u lind me 16.10.1948 në fshatin Rakovec të Tetovës. Shkollën fillore dhe atë të mesme(për mësues) e ka të kryer në Tetovë. Pas kryerjes së shkollës së mësuesisë, një vit shkollor e ka ushtruar punën e mësuesit në fshatin Pallaticë të Tetovës. Më 1968 u regjistrua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 1971 ka diplomuar. Në vitin 1972 dhe 73 ka ushtruar funksionin e prokurorit publik në Ferizaj. Në tetor të vitit 1973, në Fakultetin Juridik të Prishtinës është pranuar për asistent për grupin e lëndëve civile (me përcaktim dhe përkushtim për lëndën E drejta romake). Më 1974 është regjistruar në studime pasdiplomike pranë Fakultetit Juridik, në Universitetin Kiril dhe Metodij, në Shkup, në drejtimin civilo-juridik (me përcaktim për studimin e veçantë të lëmisë nga E drejta romake, të mentoruar deri në magjistrim, nga Dr.prof. Ivo Puhan), ndërsa në vitin 1988 mbron temën e magjistraturës me titull ”Solutio si mënyrë e shuarjes së detyrimeve në të drejtën romake dhe në të drejtën bashkëkohore” dhe me këtë fiton titullin e magjistrit të shkencave civilo-juridike.Prof. Musli Halimi ka doktoruar në janar të vitit 2003 në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës me temën ”Marrëdhëniet juridiko-civile në Ligjin e XII tabelave” dhe me këtë ka fituar titullin Dr. i shkencave civilo-juridike .Dr. Musli Halimi ka ligjëruar në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës mbi tridhjetë e dy vjet në lëndën E drejta romake, dhe para katër viteve edhe në lëndën E drejta e procedurës civile-romake. Në Fakultetin Juridik pranë USHT-së që nga themelimi e deri më ditën e ndarjes në lëndën E drejta romake dhe E drejta trashëgimore, ndërsa në UEJL ka mbajtur lëndët: E drejta familjare dhe E drejta trashëgimore. Profesori ka kaluar në të gjitha shkallët e rregullta të kualifikimit profesional dhe shkencor: asistent, asistent i rizgjedhur dhe ligjërues dhe profesor. Pas një sëmundje të rëndë, dje u nda fizikisht nga ne, por gjithnjë do të ngelet në zemrat tona, dhe në historinë e bujshme të Fakultetit Juridik. Ai ishte shembull për të gjithë ne, dhe në emër të arriturave dhe rezultateve të punës na mbetet ti ruajmë dhe ngritim vlerat kombëtare, arsimore dhe shoqërore në përgjithësi.

Universiteti Shtetëror i Tetovës në rektorat hapi Librin e zisë në të cilin u nënshkruan udhëheqës të Universitetit, profesor, studentë dhe qytetarë të tjerë
Zyra për informim e USHT-së |