Lajmet:

 

USHT me aparaturë për analizën e sipërfaqeve dhe për analizë të plotë reflektuese fluoreshente   

Universiteti Shtetëror i Tetovës, është universiteti i parë në vend i cili tani më posedon instrumente për analizën e sipërfaqeve dhe për analizë të plotë reflektuese fluoreshente. Këto instrumente janë dhuratë nga Instituti Lajbnic për Modifikimin e Sipërfaqeve nga Lajpcigu i Gjermanisë

 

 

Në laboratorin e Bioteknologjisë, që funksionon në kuadër të Fakultetit të teknologjisë ushqimore dhe ushqimit në USHT, gjatë ditës së sotme u bë prezantimi i dy instrumenteve për analizën e sipërfaqeve dhe për analizë të plotë reflektuese fluoreshente, të cilat janë të vetmet të këtij lloji në Maqedoni dhe të cilat vijnë nga Instituti Lajbnic për Modifikimin e Sipërfaqeve nga Lajpcigu i Gjermanisë.

 

 

Prorektori për shkencë i USHT-së, prof.dr. Reshat Qahili, me këtë rast deklaroi se ky donacion është arritur në saje të bashkëpunimit që ka USHT me universitetet tjera, si në rajon, ashtu edhe më gjerë. Sipas prorektorit Qahili, këto dy instrumente mjaft të sofistikuara, në mënyrë të veçantë janë të dedikuara për Fakultetin e Shkencave Matematiko – Natyrore, edhe atë për Programin Studimor Fizikë dhe Kimi, si dhe për Fakultetin e Teknologjisë ushqimore dhe ushqimit.

 


Prorektori për shkencë i USHT-së, prof.dr. Reshat Qahili, poashtu potencoi se më meritorë për ardhjen e këtyre instrumenteve në USHT, është dr.Bashkim Zyberi i cili njëherit është bashkëpunëtorë i Institutit Lajbnic në Lajpcig të Gjermanisë, por edhe dekani i Fakultetit të Teknologjisë ushqimore në USHT, dr.Ahmed Jashari, i cili gjatë tërë kohës ka qenë i angazhuar në realizimin e këtij donacioni dhe i cili , i cili drejtpërdrejtë ka qenë i angazhuar në trajnimin intensiv për instalimin, përdorimin dhe transportimin e këtyre instrumenteve nga Lajpcigu i Gjermanisë.

 

 

Dr. Bashkim Zyberi i cili është edhe iniciatorë për realizimin e këtij donacioni mjaft të rëndësishëm për USHT-në theksoi se arsyeja që këto instrumente janë sjellë pikërisht në USHT, është pasi vetë rrjedh prej një fshati të rrethinës së Tetovës, Radiovcës, kështu që qëllimi kryesorë i tij gjithmonë ka qenë se si mund të kontribuojë në USHT, që siç tha gjendet në rajonin dhe në rrethinën ku ka lindur dhe jetuar, por edhe ku dëshiron të veproj në të ardhmen

 

 

Sipas dr.Zyberit këto dy instrumente janë instrumente të mirëfillta shkencore. “Përpos punës së diplomës dhe të magjistraturave që mund t’i bëjnë në to studentët, këto aparatura me të vërtetë kanë vlerë të mirëfilltë shkencore, domethënë mund të kryhen eksperimente që kanë vlerë shkencore për ditën e sotme. Këto dy aparatura shfrytëzohen në shkencën e materialeve, hulumtimin e materialeve dhe përbërjen elementare të materialeve të ndryshme.

 

Poashtu shfrytëzohen edhe për analiza sipërfaqësore të sipërfaqes së këtyre materialeve, përbërjen materiale dhe deri tek trashësia e shtresave të ndryshme të këtyre materialeve, kur kemi kompozim të materialeve të ndryshme në një mostër, apo në një kampion”, theksoi dr. Bashkim Ziberi nga Instituti Lajbnic për Modifikimin e Sipërfaqeve nga Lajpcigu i Gjermanisë ku merret me hulumtimin e materialeve në fushën e nanoteknologjisë dhe gjysëmpërçuesve.
Donacioni i sotëm për USHT-në, kap vlerën në mes 150 mijë deri në 200 mijë euro.

 

 

 


Zyra për Informim
Universiteti Shtetëror i Tetovës.
Kontakt:
e-mail: press@unite.edu.mk

044-356-500, lokal 542

 

 

 

 

GAZETA UNIVERSITARE

PARLAMENTI I STUDENTËVE

ISO 9001 - 2000