6

Profesorë nga Gjermania do të instalojnë një punëtori në USHT

Të mërkurën (20 qershor 2007) në Rektoratin e Universitetit Shtetëror të Tetovës u realizua një takim mes profesor Hans Herpich nga Nurnbergu, prof.Mag.art. Bernhar Holleman nga Limbergu i Gjermanisë dhe z. Klime Korobar, kryetar i Asociacionit për kulturë IKON, dhe Rektorit të USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti.

Profesorët shprehën gatishmëri për hapjen e një punëtorie për përpunime grafike me tekstil. Ata do të ofrojnë aparaturat dhe mjetet tjera të nevojshme për krijimin e kësaj punëtorie. Në realizimin e këtij projekti do të kycen personalisht profesorët nga Gjermania, së bashku me profesorët dhe studentët nga programi studimor- Arti figurativ. Intenca e instalimit të kësaj punëtorie është ofrimi i teknologjisë moderne për dizajn me materiale të ndryshme, ku studentët do të mbajnë pjesën praktike gjatë studimeve.

Ata, përmes kësaj teknologjie do të mund të krijojnë vepra arti prej tekstili e materiale tjera, do të kenë mundësinë që mendimet e tyre t'i shprehin në mediumin-tekstil. Rektori, prof.dr. Sadi Bexheti falënderoi profesorët për ndihmesën dhe bashkëpunimin, duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm këtë projekt në vazhdën e projekteve tjera ë këtë fushë.

Profesor Safet Spahiu nga drejtimi dizajn grafiku, u shpreh mirënjohës për iniciativën e ndërmarrë dhe ndihmën e ofruar, e cila është më se e nevojshme për pjesën praktike të studentëve. Ai u shpreh se studentët janë më se të interesuar për realizimin e këtij projekti dhe se janë në gatishmëri të ofrojnë ndihmën e duhur për instalimin e aparaturave në punëtori. Projekti do të filloj të realizohet nga fundi i këtij muaji dhe pritet që me angazhimin e studentëve dhe profesorëve të përfundoj për një kohë shumë të shkurtër dhe për vitin e ardhshëm akademik të jetë gati për studentët e ri. Profesor Hans Herpich ka punuar një numër të konsiderueshëm të veprave artistike dhe është i angazhuar në më shumë projekte të tilla në Gjermani.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.