Atasheu amerikan ligjëroi në USHT
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Atasheu për kulturë i Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, John Surface, para studentëve dhe stafit akademik, prezantoi ligjëratën me titull: ,,Mentorimi: Trajnimi i mësuesve të rinj për gjeneratën e ardhshme”.

Në fillim, z. John Surface, theksoi se është mjaft i kënaqur që para studentëve dhe stafit akademik të USHT-së ka mundësinë të ligjërojë për trajnimin e mësuesve të rinj në të ardhmen. Ai, gjatë prezantimit theksoi se arsimtarët e rinj nuk mund të presin se që nga ora e parë të arrijnë suksese në karrierën e tyre. ,,Suksesi juaj fillon me kujdesin e dikujt, për suksesin tuaj”, tha Surface. Atasheu për kulturë i SHBA-ve, para auditorit, sugjeroi krijimin e një lidhje të qëndrueshme në mes stafit të ri dhe stafit më me përvojë. Kjo marrëdhënie profesionale duhet krijuar që nga viti i parë i punësimit të kuadrove të reja.

Ai prezantoi edhe përvojën amerikane, si dhe investimet që janë bërë në këtë veprimtari të rëndësishme arsimore. ,,Në SHBA, gjatë 20 viteve të fundit është investuar shumë në trajnimin me metodologjinë dhe praktikat për profesionalizimin e mësuesve të rinj. Bashkëpunimi, trajnimi dhe puna e përbashkët ka rezultuar me sukses në përgatitjen e mësuesve të rinj”, theksoi atasheu Surface, i cili më tej shtoi se duhet mësuar nga tjetri, por edhe duhet ndarë përvojën me tjetrin. Kjo përvojë duhet të respektohet edhe në fushat tjera, si në biznes, sport, kulturë, etj.

Atasheu, John Surface, në fund i porositi mësuesit e rinj që të krijojnë lidhje në dobi të stafit, nxënësve, studentëve dhe institucionit ku punojnë.
Atasheu për kulturë në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, John Surface, në USHT, para mbajtjes së ligjëratës së tij realizoi një takim pune me Prorektorin për arsim, Prof. dr. Ismail Ahmedin, Prorektorin për shkencë, Doc. dr. Reshat Qahilin, si dhe me Këshilltarin për marrëdhënie me jashtë, të Rektorit, Doc. dr. Bashkim Ziberi.

Zyra për informim
|