Akademi solemne për nder të 131 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit – 10 qershor 1878
Nën organizimin e programit studimor të Historisë pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës u organizua Akademi solemne për nder të 131 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit -10 qershor 1878. Akademinë e shpalli të hapur përgjegjësi i programit studimor të historisë, doc.dr. Vebi Xhemaili, i cili potencoi rëndësinë e kësaj date historike për popullin shqiptar si dhe rëndësinë e shënimit të përvjetorit nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, si institucion i vetëm në Maqedoni që shënon këtë datë. Të pranishëm në Akademi ishin prorektori për studime pasdiplomike dhe arsim, prof. dr. Fejzulla Shabani, profesorë e studentë të katedrës së historisë etj. Akademia u përcoll me disa pika instrumentale nga studentët e artit muzikor dhe recitale. Referatin kryesor e kishte përgatitur doc. dr. Nebi Dervishi. Në vijim gjendet referati i plotë i lexuar në Akademinë solemne:

Dr. Nebi Dervishi - Referat me rastin e 131 vjetorit të LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT
Të nderuar studentë, profesorë e kolegë Zonja dhe zotërinj, Mysafirë të nderuar,
Jam shumë i nderuar që sot në 131 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, këtu, para jush, në USHT, të them disa fjalë, për këtë organizatë politike mbarëshqiptare, me një platformë e një program politik-kombëtar e më një strukturë organizative të shtrirë në të gjitha viset shqiptare; e përbërë nga organe lokale e qendrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike e kulturore, e cila luftoi për çlirimin e vendit nga robëria shekullore osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit kombëtar.

Duke përkujtuar faktin se, 131 vjet më parë, më 10 qershor 1878, vetëm tri ditë para Kongresit të Berlinit, i cili duhej të vendoste për fatin e trojeve shqiptare, përfaqësuesit më në zë të të gjitha viseve shqiptare u tubuan në Prizren për të lidhë BESA-BESËN e për t'i dalë zot vatanit. Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u mbajt në një moment kyç e shumë domethënës për të ardhmen e kombit tone dhe përcaktoi qartë programin, rrugën dhe metodat e realizimit të aspiratave të popullit shqiptar për të qenë të lire dhe i pavarur.
Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, aktin më kuptimplotë jo vetëm për momentin, por edhe për mesazhet e tij që përcillet deri në ditët tona, sepse vendimet e Kuvendit qenë dhe mbeten pikat më kulmore të aspiratave tona kombëtare për të cilat u flijuan breza të tërë luftëtarësh. Këto përpjekje e sakrifica morën epilogun ngadhënjimtar në luftën e fundit çlirimtare të popullit tonë, Prandaj, përvjetori i 131 i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bëhet më madhështor edhe për faktin se bashkë me ditën e përkujtimit të" kësaj ngjarjeje po shënojmë dhjetëvjetorin e lirisë përkatësisht të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, me çka i dhanë fund robërisë serbe.
Zonja dhe zotërinj!

Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kohën e robërimit të popujve të Ballkanit ishte parlamenti unik i shqiptarëve të katër vilajeteve të ndara, ku u shpreh vetëdija kombëtare dhe u përcaktuan rrugët e faktorët e zhvillimit të shqiptarëve, të kombit e të shtetit të shqiptarëve. Me programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk ishte vetëm një ngjarje spontane historike e politike,por një nga hallkat e forta të zinxhirit historik të politikës, të ekonomisë dhe të raporteve ndërshqiptare, të raporteve ndërkombëtare dhe të atyre ndërshtetërore, sepse me Programin e Lidhjes akceptohet ardhmëria e shqiptarëve, në mbështetje të njohjes së të kaluarës së tyre.
Traktati i Shën Stefanit (3 Mars 1878) dhe Kongresi i Berlinit (13 Qershor 1878) janë dy ngjarje tepër indinjuese për shqiptarët, sepse sipas vendimeve të tyre, trungut shqiptar iu shkëputën tokat më të mira dhe iu dhanë Bullgarisë, Malit të Zi e Serbisë. Kundruall vendimeve të Fuqive të Mëdha u vu Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me në krye Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes, të cilit i printe Iljaz Pashë Dibra dhe Komiteti Kombëtar (organi ekzekutiv) i udhëhequr nga Imer Prizreni. Kuvendin e përbënin 110 delegate (më vonë 140) që përfaqësonin vullnetin e shqiptarëve dhe që kishin marrë përsipër organizimin e mbrojtjes së vendit, me të gjitha mjetet, madje edhe me armë.
Lëshimet e Portës së Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë, i dhanë një hov të madh Lëvizjes për Autonomi për krijimin e vilajetit shqiptar, si hap i parë për fitoren më vonë të pavarësisë së plotë.
E tronditur nga veprimtaria e dendur kombëtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qeveria osmane (Porta e Lartë) i dha urdhër Dervish Pashës që me një ushtri të armatosur mirë që ta shtyp atë. Më 25 mars 18F:1, me forca të shumta, ai me tradhti pushtoi Shkupin dhe anëtarët e Komitetit të Lidhjes së" qytetit i internoi. Pas betejave të përgjakshme në Sliovë dhe në Shtimje, ushtria osmane hyri në Prizren dhe me pushtimin e Gjakovës shtiu nën kontrollin e vet të gjitha qytetet tjera të Kosovës.
Edhe pse u shtyp Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Epopeja e madhe që ajo shkoi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare.duke ushtruar një ndikim të madh në luftërat e mëvonshme për liri. Në momentet kyçe, kur u ndesh përsëri me qëndrimin armiqësor të Fuqive të Mëdha dhe të qarqeve shoviniste fqinje, populli shqiptar u mbështet në idetë patriotike të Lëvizjes Shqiptare, në përvojën e saj politike, ushtarake e organizative. Platforma e saj e përpunuar në zjarrin e luftës çlirimtare që përshkonte ruajtjen e tërësisë tokësore dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar, mbeti si bazë e Programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë gjithë periudhës deri më 28 Nëntor 1912.
Derisa çështja shqiptare depërtonte me vështirësi në rrugët politike labirintore të interesave të llojllojshme të shumë vendeve, shqiptarët vuanin, ndiqeshin, arrestoheshin, vriteshin, masakroheshin, depërtoheshin dhe digjeshin. U hartuan projekte e projekte nga shumë "koka" të firmuara shkencore dhe nga institucionet të mendimit shkencor për shfarosjen e shqiptarëve. Mirëpo, vetëdija kombëtare shqiptare, kristalizuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ngeli përgjithmonë farë e kultivuar shpitërore, e cila ushtroi ndikim të qëndrueshëm në kërkimin e rragëve të çlirimit dhe të zhvillimit të lirë. Mbi themelin e programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u miratuan vendimet e Lidhjes së Pejës, Programi i KONARE-s, Programi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Marrëveshja e Mukjes, Rezoluta e Konferencës së Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, Kushtetuta e Kaçanikut etj. Pra, u krijua një sistem institucionesh politike përgjatë historisë sonë, i cili mbështeti veprimtarinë e tij në objektiva të Lëvizjes Shqiptare të Prizrenit.
Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare angazhohej për çlirimin dhe bashkimin kombëtar dhe u krijua si një imperativ kohe në ndërgjegjen e atdhetarëve demokratë shqiptarë, për të penguar ricopëtimin e trungut etnik shqiptar dhe njëkohësisht krijimin e një shteti me orientim demokratik properëndimor, nën çatinë e të cilit do të jetonin dhe do të përparonin të gjitha viset e banuara nga shqiptarët, ashtu siç ishte objektivi madhor i drejtuesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, është lidhur ngushtë me konstalacionet e ngjarjeve të pavolitshme që u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse shqiptarët e dhanë kontributin e tyre me pjesëmarrje.
Regjimi i ri sllavokomunist, pas marrjes së pushtetit, pa humbur kohë filloi ta jetësojë planin e vjetër serbomadh për pastrimin etnik dhe shndërrimin e tokave shqiptare në krahina serbosllave. Për realizimin në praktik të këtyre projekteve u vunë në veprim një sërë masash represive e terrorit shtetëror me të vetmin qëllim që të detyroheshin shqiptarët që të shpërnguleshin. Gjatë viteve 1945-1989, shqiptarët nëpërmjet grupimeve dhe organizatave ilegale do të mundohen që t'i sfidojnë këto projekte antishqiptare, gjithnjë duke u frymëzuar te programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Periudha 1989-1999, ishte e shoqëruar me shumë ngjarje dhe ndryshime shoqërore dhe politike jo vetëm në Ballkan, Evropë e më gjerë. Këto ndryshime botërore u reflektuan me forma negative në Federatën Jugosllave, siç ishte ringjallja e sërishme e projektit të borgjezisë serbe "Serbia e Madhe", por tani e iniciuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve serbe, që do të shoqërohet me fillimin e shpërbërjes së shtetit jugosllav.
Sikur në epokën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shqiptarët duhej të zgjidhnin ndërmjet dy ekstremeve: të jetosh në robëri i pushtuar nga i huaji ose të zhdukesh dhe të dëbohesh nga vendi, apo të qëndrosh dhe të luftosh për ekzistencën e qenies kombëtare shqiptare, ashtu edhe tash pas më shumë se 120 vjetësh, shqiptarët e Kosovës u gjendën në situate të ngjashme. Këtë e dalluan, para të tjerëve, bijtë më të mirë të popullit shqiptar që nga të gjitha anët, ku ata jetuan, u rreshtuan në mbrojtje të njerëzisë dhe të kombit shqiptar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës vuri digën e nderit kombëtar duke luftuar kundër të gjitha formave të dhunës, të terrorit dhe të masakrave ndaj shqiptarëve. Kundër kësaj dhune dhe shumë formave të modifikuara të saj u ngrit edhe opinioni liridashës dhe demokratik i Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke intervenuar në mars të vitit 1999.
Falë angazhimit të këtillë, sot Kosova zhvillohet e liruar nga represaliet, dhuna, terrori dhe e pavarësuar, e shpallur më 17 shkurt 2008. Për ne erdhi koha, që sikur patë thënë në vitin 1878 Abdyl Frashëri, i madhi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: "DO TË VIJË DITA KUR EDHE EVROPA DO TË BINDET SE SHQIPTARËTI SHËRBEJNË ÇËSHTJES SË NJERËZIMIT DHE TË QYTETËRIMIT MË TË MIRË SE ÇDO POPULL TJETËR".
Zonja e zotërinj!
Dhjetë Qershori, Dita e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shpresojmë se sot i ka tubuar përsëri bashkë shqiptare:, me zemër, trup e shpirt, kudo që janë e kudo që gjenden, se rruga drejt pavarësisë së Kosovës u realizua me ndihmën e madhe e të pakompromisë të SHBA-ve.
131 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 10 vjetori i hyrjes së NATO-s në Kosovë, përcjellin mesazhe të forta për lirinë, humanizmin, tolerancën dhe besën shqiptare, në interes të kombit dhe të atdheut që reflektojnë një ardhmëri të sigurt që populli ynë të mos përjetojë kurrë tragi edinë që ia shkaktuan fqinjët grabitqarë në të kaluarën e largët dhe të afërt.
Ju faleminderit! 10 Qershor 2009, Tetovë
|