6

PËRFUNDOI ME SUKSES “SHKOLLA E IV VERORE 2007”

Në Strugë të premten (03.08.2007), në Hotelin “Drini i Zi”, përfundoi me sukses “SHKOLLA E IV VERORE 2007”, që u mbajt prej 23 korrik deri më 03 gusht 2007, organizuar në kuadër të aktiviteteve të rrjetit të bashkëpunimit “shkenca dhe teknologjia e materialeve”, me temë “Krijimi i mikrostrukturës te materialet metalike” e ndihmuar nga Fondacioni DAAD i Gjermanisë, me anëtarë: Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti Teknik Bergakademie Freiberg, Universiteti i Prishtinës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Teknologjik i Vlorës, Universiteti i Elbasanit dhe LVQ Mulheim an der Ruhr (Firmë e akredituar në përmasa evropiane për prova dhe kontroll të materialeve me dhe pa shkatërrim).

Në aktin e mbylljes morën pjesë koordinatori e rrjetit Prof. dr. Heinrich Oettel nga Universiteti Teknik i Bergakademie Freiberg, Prof. dr. Eva Cyrener, Prof. dr. Agim Shabani, prorektor për shkencë i USHT-së, Prof. dr. Hamit Mehmeti, prorektor për marrëdhënie me jashtë i USHT-së, përkatësisht zëvendës koordinator i rrjetit.

Pasi që studentët iu shtruan provimit dhe e kaluan me sukses, studentëve pjesëmarrës u dorëzuan certifikata për kryerjen me sukese të shkollës verore. Studentët shprehën mirënjohje dhe u ndanë shumë të kënaqur nga puna dhe rrjedha e shkollës verore. Gjithashtu, shprehën interesim dhe dëshirë që kjo shkollë të vazhdojë punën edhe më tej ngase mbresat dhe përvoja e të arriturave të shkencës ndihmojnë në zhvillimin e gjithmbarshëm të kësaj materie, që është në interes të studentëve për pasurimin dhe zgjerimin e diturive përkatëse.

Porosia e studentëve ishte pos që falënderuan organizatorët, njëherit shprehën interesim që në vitin e ardhshëm të ketë aktivitete të ngjashme. Në emër të Rektorit, Prof. Dr. Sadi Bexheti dhe Rektoratit të USHT-së, prorektori Prof. dr. Agim Shabani, premtoi se këto aktivitete do të kenë mbështetje edhe në të ardhmen.

Koordinatori Prof. Dr. Heinrich Oettel i NMST, nga Universiteti Teknik i Bergakademie Freiberg, shprehu falënderime dhe mirënjohje Rektorit Prof. Dr. Sadi Bexheti dhe dy prorektorëve Prof. Dr. Agim Shabani dhe Prof. Dr. Hamit Mehmeti të USHT-së, për mbështetjen e realizimit të “SHKOLLËS SË IV VERORE 2007” dhe studentëve pjesëmarrës.

 

 

ZYRA PËR INFORMIM E REKTORATIT TË USHT-së

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.