6

Delegacion i Universitetit AAB nga Prishtina qëndron në USHT

Një delegacion i Universitetit AAB (Arena e Arsimit Bashkëkohor), nga Prishtina ka qëndruar në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT). Delegacioni nga Prishtina, nën udhëheqjen e zëvendës rektorit prof. d-r Masar Stavileci, delegacioni i AAB-së është pritur nga prorektori për arsim në USHT, prof.dr. Agim Shabani dhe dekani i Fakultetit juridik prof.dr. Musli Halimi. Temë kryesore e takimit ka qenë bashkëpunimi ndëruniversitar.

“Konkretizimi i bashkëpunimit duhet të jetë i orientuar në interes të studentëve dhe kuadrit mësimdhënës. USHT-ja është universitet i hapur për bashkëpunim dhe kjo mund të shihet edhe nga marrëveshjet e shumta të cilat janë realizuar me universitete nga rajoni dhe më gjerë” ka thënë prorektori Shabani. Në vazhdim ai ka potencuar se në interes të përbashkët është bashkëpunimi ndërmjet universiteteve nga trojet shqiptare.

Ndërkaq, prorektori i AAB-së, prof. d-r Masar Stavileci duke prezantuar universitetin e tij, ka shprehur gjithashtu interes për bashkëpunim, duke potencuar këmbimin e përvojave ndëruniversitare. “Ne jemi këtu për herë të dytë, dhe shpresoj se bashkëpunimi edhe më tej do të thellohet.

Padyshim që të dyja palët kemi cfarë të marrim dhe cfarë të japim për njëra tjetrën”, ka thënë zëvendës rektori Stavileci. “Fakulteti juridik ka qenë baza e institucionalizimit të USHT-së. Ne duhet ta shtrojmë bashkëpunimin në rrafsh institucional dhe ta zgjerojmë atë”, ka thënë dekani i Fakultetit juridik, prof.dr. Musli Halimi.

Ky takim i ka paraprirë simulimit të një seance gjyqësore, të cilën e kanë realizuar studentët e Fakultetit juridik. Për realizimin e kësaj seance kanë kontribuuar prodekani i Fakultetit juridik të AAB-së, prof. d-r Valbon Mulaj dhe doc. d-r Mersim Maksuti nga Fakulteti juridik i USHT-së.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.