6

Bashkëpunimi me Tiranën do të orientohet në bartjen e projekteve të përbashkëta

 

Thellimi i bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në sferën e shkencave natyrore është konceptuar si një prolog i bashkëpunimit në cështje më sensitive në sferën e arsimit.

Kjo është diskutuar të premten (1.06.2007), mes kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të RM-së, Sulejman Rushiti. Me fillimin e ekzekutimit të marrëveshjes tre vjecare në fushën e arsimit mes dy vendeve që u nënshkrua nga dy ministrat Sulejman Rushiti dhe Genc Pollo, masteri mes Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Institutit të Kërkimeve Seizmologjike në Universitetin e Shkupit, konsiderohet si një prej projekteve të para që do t’i hapë rrugë studimeve të përbashkëta në sferën e shkencave natyrore. Në një prej pesë pikave të programit të tre viteve të ardhshme, potencohet se, duke pranuar rëndësinë e një paraqitjeje sa më të denjë të historisë dhe gjeografisë të të dy vendeve në tekstet shkollore, dy ministritë homologe do të shkëmbejnë rregullisht informacion për programet mësimore të të dy lëndëve. Në këtë takim në Tiranë, prezent ka qenë edhe rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti. "Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, bashkëpunimi me Tiranën do të orientohet më së shumti në bartjen e projekteve të përbashkëta, faktikisht për projekte që janë profesionale dhe projekte shkencore, ku Universiteti Shtetëror të Tetovës dhe ai Tiranës me kontraktor edhe universitetin e Prishtinës, Shkupit, Sofjes do të konkurrojmë në projekte të përbashkëta me një konkurrencë shumë të lartë, prandaj jemi duke bashkëpunuar që pjesëmarrja jonë të jetë e përbashkët", pohon rektori i USHT-së, Sadi Bexheti. Pas akreditimit të programeve të reja studimore në USHT, rektori Sadi Bexheti ka marrë mbështetjen edhe për këtë vit e më tutje për angazhimin e specialistëve më të mirë të kuadrit arsimor të Tiranës, ndërkohë që Rrokaj ka siguruar se garancia e diplomave, kurikulave, është rritur maksimalisht. “Gjykojmë se USHT ka nevojë për ndihmën tonë dhe ne do të japim me kënaqësi deri në rimëkëmbjen e plotë të tij, kur të rinjtë tetovarë e nga Maqedonia të bëhen profesorë dhe ne të shkojmë gjithmonë e më pak, pasi kjo është një lodhje e madhe edhe për ne”, ka thënë Rrokaj. Rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj pohon se nuk ka më shkencë në kuptimin nacional, por ka një shkencë globale e cila ka një princip të vetëm dhe ajo është e vërteta që nuk njeh kufij. Ai ka theksuar se nuk ka më zgjidhje tjetër përvec bashkëpunimit dhe qarqet akademike këtë kanë kuptuar ashtu sikurse edhe qarqet politike. Ndërsa ministri i Arsimit dhe Shkencës së RM-së, Sulejman Rushiti thekson se “themelimi i bashkëpunimit si një nevojë e kohës, implementimi i plotë i Kartës së Bolonjës, cka nënkupton këmbimin e studentëve, profesorëve dhe vlerave, janë disa prej prioriteteve të programit tre vjecar”.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.