6

Në USHT arrihet bashkëpunimi mbarëkombëtar i bibliotekave

Një delegacion i Ministrisë së Kulturës, asaj të Arsimit dhe të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, më 6 qershor qëndruan për një vizitë pune në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u pritën nga prorektori Agim Shabani.

Qëllimi i këtij takimi ishte ideja e bashkëpunimit mes bibliotekave kombëtare dhe universitare të rajonit, më saktësisht atyre shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, si dhe Mal të Zi dhe Preshevë, me cka mendohet se do të bëhej një liberalizim dhe furnizim të bibliotekave universitare me libra, revista dhe gazeta nga të gjitha viset, që do të ishte në shërbim të studentëve dhe profesorëve. Me këtë rast, drejtori i Bibliotekës universitare të USHT-së, Rami Kamberi tha se mbetet që të realizohet një takim edhe me përfaqësues të ministrive në Shqipëri dhe Malit të Zi dhe në fund të bëhet një kërkesë e përbashkët mes këtyre institucioneve për bashkëpunim të bibliotekave.

Burim Gashi, zyrtar për publikime dhe botime të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjive të Kosovës falënderoi nikoqirët për ftesën e bërë dhe tha se kjo ministri është e gatshme për cfarëdo lloj bashkëpunimi me Universitetin Shtetëror të Tetovës, sikundër edhe për këtë lloj projekti.

Besim Kokollari, shef i qendrës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke folur për punën e këtij institucioni, nënvizoi se biblioteka pranon donacione nga jashtë dhe brenda Kosovës, ndërsa një pjesë e këtyre mjeteve shfrytëzohet për nevojat e brendshme, një pjesë për ndihmë bibliotekave tjera të vendit dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë pengesë për bashkëpunim me USHT-në.

Pas këtij takimi, për gazetarë u prononcua Shkurte Kadriu, udhëheqëse e divizionit të promovimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, e cila nënvizoi se “Ne tashmë kemi filluar ndihmën si Ministri e Kulturës për Bibliotekën universitare të Tetovës, të cilës i kemi dhuruar 50 tituj dhe besoj se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të ardhmen”, u shpreh Kadriu.

Drejtori i Bibliotekës universitare të USHT-së, Rami Kamberi u shpreh se “qëllimi i vizitës nga Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ishte të thellojmë bashkëpunimin mes vete.

Me një fjalë, ne kërkojmë ndihmë nga këto dy ministri dhe biblioteka kombëtare dhe besojmë që ndihmën që kanë dhënë deri tani do të vazhdojnë ta japin edhe në të ardhmen, në mënyrë që një ditë Biblioteka universitare e Tetovës ta marrë shtatin, ashtu si i ka hije një biblioteke universitare, që të bëhet truri i shtatit të Universitetit Shtetëror të Tetovës”, tha Kamberi.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.