6

DELEGACIONET E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË SË TURQISË E MAQEDONISË NË USHT

 

Të premten (9 nëntor 2007) në Universitetin Shtetëror të Tetovës qëndruan delegacionet e ministrisë së shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë në krye me ministrat përkatës, z. Imer Selmani dhe z. Rexhep Akdag. Bashkë me delegacionin ishte dhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Maqedoni, z. Taner Karakash.

Vizita e delegacionit turk në Universitetin Shtetëror ishte pjesë e programit të paraparë të vizitës së delegacionit në Republikën e Maqedonisë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy ministrive përkatëse. “Vizita jonë në Universitetin Shtetëror të Tetovës është me qëllim informimi për gjendjen aktuale të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe rreth nevojave të Universitetit, sidomos rreth fakultetit të mjekësisë.” – u shpreh ministri Akdag. Ndërkaq, Rektori i USHT-së, prof.dr. Sadi Bexheti u shpreh mirënjohës për vizitën e delegacioneve të Turqisë dhe Maqedonisë.

Me këtë rast prezantoi para mysafirëve fakultetet e akredituara në Universitetin Shtetëror të Tetovës si dhe në pika të shkurtra ndryshimet e fundit në Universitet, me theks të vecantë Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, me programet studimore farmaci dhe infermieri, si dhe informoi për përgatitjet e deritanishme për fillim me punë të programit studimor mjekësi e përgjithshme dhe stomatologji nga viti i ardhshëm akademik. ”Bëmë një prezantim të shkurtër të kurikulumit të universitetit të Tetovës, konkretisht me hapjen e fakulteteve të reja. Ka ekzistuar një marrëveshje që në vitin 1995 me Turqinë, dhe kjo marrëveshje tani është ripërtërirë dhe deri tani shërbimet e shëndetësisë së Turqisë, i ka shfrytëzuar vetëm universiteti i Shkupit ndërsa tani na jepet edhe neve mundësia që të shfrytëzojmë shërbimet e tyre.

Kemi bashkëpunim me universitetet “Trakia” në Edrene, “Yeditepe” nga Ankaraja, dhe me shumë universitet dhe me fakultete të mjekësisë, si dhe ato të shkencave matematikore. Në vitin e ardhshëm, të gjithë mjekët do të kenë mundësi që të shkojnë në specializim në ndonjërin në universitetet turke”, tha Rektori Bexheti, duke përcjell bisedën nga takimi me ministrin turk të shëndetësisë dhe shtoi: “Bashkëpunimi me Universitetet turke është në nivel të lartë. Një numër i konsiderueshëm i profesorëve dhe asistentëve janë në studime të doktoraturës dhe magjistraturës në Turqi dhe të gjithë kanë përvoja të mira.

Universiteti Shtetëror i Tetovës është i hapur për të gjithë profesorët dhe shumë lehtë mund të realizojmë që viziting profesorët nga Turqia të vijnë në USHT dhe të ligjërojnë”. Ministri Selmani me këtë rast njoftoi për përgatitjet që bëhen për fillimin me punë të fakultetit të Mjekësisë. “Kjo vizitë është një rast i mirë që të njihemi mes veti dhe me përgatitjet që bëhen për fillimin me punë të fakultetit të mjekësisë në kuadër të USHT-së. Kjo nuk do të jetë një punë e lehtë, jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por ne kemi shumë miq dhe ndër ato janë edhe miqtë turq, të cilët do të na ndihmojnë në këtë drejtim. Konkretisht me fillimin e fakultetit të mjekësisë dhe shndërrimit të spitalit të Tetovës, në klinikë studentët do të kenë se ku të kryejnë punën praktike dhe atë edukative. Në këtë drejtim, kemi mbështetje edhe nga ana e autoriteteve shëndetësore të Turqisë”, deklaroi Ministri Selmani. Të pranishëm në bisedimet ishin edhe Slobodanka Temova nga sektori për evrointegrime, drejtorët e Spitaleve të përgjithshme: Asan Luma (Tetovë), Betim Dauti (Gostivar), Shkëlqim Selami (Dibër), Faruk Saraci (Strugë), si dhe drejtorët e Shtëpive të shëndetit: Pllumb Vela (Tetovë), Mensur Elezi (Gostivar), Lumi Pashuli (Dibër), Vera Popovska (Strugë).  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.