6

9&10 korrik 2007- Universiteti i Shkencave te Aplikuara te Shtutgardit me projekte konkrete vazhdon bashkepunimin me USHT-në

9&10 korrik- Delegacioni i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Shtutgardit nga Gjermania, i udhëhequr nga Rektori, prof. dr. M. Stohrer, së bashku me Prorektorin për arsim, prof. dr. A. Schneider, profesoreshën prof. dr. S.Weber dhe përfaqësuesin e HRK-së (Konferenca e Rektorëve të Gjermanisë), z. Somralzcyk, qëndrojnë në një vizitë pune disaditore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në vazhdimin e bashkëpunimit të filluar qysh në vitin 2002, tani me konkretizim të bashkëpunimit në fushën e ndërtimtarisë dhe arkitekturës, për studentët dhe profesorët e drejtimeve Ndërtimtari dhe Arkitekturë pranë Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të USHT-së.

Ata u pritën nga Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, Prorektori për arsim, prof. dr. Agim Vela, Prorektori për marrëdhënie me jashtë, prof. dr. Hamit Mehmeti dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, prof. dr. Sulejman Meta.

Në mbledhjen të mbajtur me datë 09 korrik (e martë) , Rektori falënderoi Rektorin e USHA të Shtutgardit dhe u shpreh mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme që nga viti 2002. Në vazhdim, Rektori prof. dr. M. Stohrer dhe Prorektori prof. dr. A. Schneider, mbajtën dy ligjërata para studentëve të drejtimit të ndërtimtarisë me temë “Ndërtimi si mbrojtje e njerëzve nga mjedisi” dhe “Sjellja punuese e sistemeve bartëse diverse”.

Gjithashtu ata informuan edhe rreth mundësisë së bashkëpunimit në shkëmbimin e studentëve në mbajtjen e semestrit praktik në Gjermani dhe anasjelltas në USHT, dhe në ndërmarrjet ndërtimore të RM-së.

Të mërkurën (10 korrik 2007), në Amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së u organizua një punëtori ku ishin të ftuar profesorë, studentë të drejtimit të ndërtimtarisë dhe përfaqësues të Shoqatës së ndërtimtarisë si dhe sipërmarrës dhe inxhinierë e arkitektë nga Maqedonia perëndimore, ku Rektori i USHA të Shtutgardit, prof.dr. M. Stohrer i informoi të pranishmit rreth bashkëpunimit të arritur dhe inicoi krijimin e një Forumi apo Këshilli, të përbërë nga anëtarë të USHT-së, USHA të Shtutgardit dhe përfaqësues të Shoqatës së ndërtimtarëve, qëllimi i së cilit do të ishte bashkëpunimi i ndërsjellët mes tre subjekteve në krijimin e kushteve për mbajtjen e semestrit praktik për studentët e ndërtimtarisë dhe arkitekturës, shkëmbimin e përvojave mes USHA të Shtutgardit e firmave ndërtimore gjermane dhe USHT-së dhe firmave ndërtimore të Maqedonisë.

Gjithashtu është paraparë edhe organizimi i Shkollës verore 2008 në Strugë me pjesëmarrës studentë nga i tërë rajoni, profesorë të USHT-së, profesorë të USHA të Shtutgardit dhe sipërmarrës nga Gjermania dhe Maqedonia. “Nga një bashkëpunim i tillë do të përfitojnë edhe studentët edhe Universiteti, por sidomos edhe ndërmarrjet, meqenëse do kenë mundësinë t'i përzgjedhin studentët më të mirë, inxhinierë të ardhshëm” u shpreh Rektori i USHA të Shtutgartit, prof. dr. Martin Stohrer.

Për të mërkurën (11 korrik), është paraparë të mbahet një Konferencë me gazetarë ku Rektori i USHT-së dhe Rektori i USHA të Shtutgardit do të informojnë më shumë për projektin e realizuar dhe informacione tjera rreth bashkëpunimit .  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.