6

 

Seminari “Bolonja dhe Universiteti” në Ohër

Nga data 10 deri 12 shtator 2007, zhvillohet Seminari “Bolonja dhe Universiteti”, organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Seminari i zhvillon punimet në hapësirat e Qendrës së kongreseve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Ohër.

Në strategjinë e Universitetit Shtetëror të Tetovës një pjesë të rëndësishme zë edhe trajnimi i kuadrit dhe ngritja e vazhdueshme intelektuale dhe kulturore, përmes hulumtimeve shkencore, seminareve, punëtorive etj. Ky seminar, është një lloj prej tyre dhe paraqet avancim të njohurive mbi sistemin ECST dhe Deklaratën e Bolonjës. Synimi përfundimtar është integrimi final i parimeve evropiane mbi arsimin e lartë, në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Seminari “Bolonja dhe Universiteti” ka për qëllim ti informojë të gjithë ligjëruesit dhe asistentët me reformat e fundit në fushën e arsimit të lartë, me Deklaratën e Bolonjës, sistemin ECST (Sistemi evropian i transferim të kredive), Ligjin për arsim të lartë dhe përshtatja me standardet e Deklaratës së Bolonjës, implementimi i tyre në përgatitjen e programeve studimore, format e organizimit, teknikat e të mësuarit e deri tek mënyra e vlerësimit të studentëve.

Ligjërues në këtë seminar janë dr. Milan Qosevski, dr. Zoran Velkovski, profesorë të certifikuar për sistemin ECTS. Ndër temat që do të trajtohen janë: “Bolonja, cka më tutje?”, “Bolonja dhe ligji për arsim të lartë”, “Zhvillimi i kutikulave dhe dizajnimi i programeve lëndore”, “Teknikat e të mësuarit”, “Notimi dhe progresi i studentëve”, “Dokumentacioni sipas ECST-së” etj.

Rektori, prof. dr. Sadi Bexheti, me këtë rast u shpreh: “Përmes këtij Seminari, Universiteti Shtetëror i Tetovës synon të krijojë një imazh të ri dhe përkrah universiteteve të tjera nënshkrues të këtij procesi, t’i zbatojë në formë të mirëfilltë reformat mësimore dhe shkencore të parapara me Kartën e Bolonjës. Krahas zbatimit të rregullativës ligjore të paraparë t’i inkorporojmë në sistemin tonë arsimor edhe dituritë dhe përvojat evropiane. Universiteti ynë edhe në të ardhmen do të organizojë aktivitete të këtilla, pasi që kemi marrë këtë mision të cmuar t`i kushtohemi arsimimit dhe përgatitjes profesionale të gjeneratave të reja, duke i nxjerrë në dritë vlerat e mirëfillta të dijes dhe shkencës.” Seminari “Bolonja dhe Universiteti” mbështetet edhe nga Ministria e arsimit dhe shkencës.

Zyra për informim e USHT-së  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.