6

Kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaci qëndroi për vizitë në Universitetin Shtetëror të Tetovës

 

Kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaci qëndroi për vizitë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u takua me Rektorin e USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti për t'u njohur për së afërmi me punën e Universitetit. Kjo është vizita e parë e tij zyrtare në postin e Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare.

Pas mbledhjes së mbajtur, u realizua konferencë me gazetarë prej ku z. Thaci dhe Rektori, prof. dr. Sadi Bexheti informuan gazetarët rreth qëllimit të vizitës dhe temave që trajtuan gjatë takimit. Z. Menduh Thaci para gazetarëve u shpreh:” Qëllimet e vizitës janë shumë të mira, ne dëshirojmë që projekti që kemi filluar, të rrumbullakohet si shumë i suksesshëm, që USHT të bëhet një institucionin modern”.

Z. Menduh Thaci u shpreh se gjatë bisedave me Rektorin, i prekën dy tema kryesore, edhe atë: që të mos ketë ndikime politike dhe partiake në Universitet dhe cështjen e seleksionimit të kuadrit. Z. Thaci u shpreh se Partia Demokratike Shqiptare dhe koalicioni në pushtet, do të përkrahin ecuritë pozitive në USHT, dhe siguroi që nuk do të ketë ndikime politike e partiake.

Rreth cështjes së seleksionimit, Kryetari i PDSH u shpreh se seleksionimi i kuadrit duhet të bëhet përbrenda Universitetit, pa tendenca të ndërhyrjes, duke u bazuar në sistem vlerash dhe kësisoji duke e krijuar USHT-në, një Universitet të vlerës, që mund të krahasohet me Universitete me renome në regjion e më gjerë. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti gjithashtu informoi gazetarët rreth temave që trajtuan me z. Menduh Thaci, duke potencuar se koalicioni PDSH dhe VMRO, përkrahja e tyre dhe udhëheqësia e re në USHT, janë përgjegjës për ndryshimet e bëra 10 muajt e fundit. Rektori u shpreh se me mbështetjen e kësaj Qeverie është arritur hapja e Fakulteteve të reja, akreditimi i Programeve studimore të reja, me drejtime të reja etj.

Gjithashtu, Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti deklaroi se në USHT respektohen vlerat, Konkurset janë të hapur dhe transparentë, se respektohet Ligji për arsim të lartë si dhe atë, se USHT si institucion, në cdo moment është i hapur me të gjitha partitë politike. Rreth temës së kuadrit, Rektori potencoi se duhet respektuar Ligjin për arsim të lartë dhe se përzgjedhja e kuadrit mësimdhënës bëhet në bazë të kualiteteve që posedojnë profesorët, kritereve të përzgjedhjes dhe në bazë të recensioneve, gjithnjë duke qenë transparent përmes shpalljes së Buletinit.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.