6

11 korrik – USHT dhe USHA të Shtutgardit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi dhe themelimi të Forumit-Këshillit të ndërtimtarisë

Të mërkurën (11 korrik 2007), në ora 09:00, në Amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, u mbajt konferencë me gazetarë, ku Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti dhe Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Shtutgartit, prof. dr. Martin Stohrer, informuan gazetarët për marrëveshjen e arritur për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy Universiteteve në fushën e shkencave aplikative.

Gjithashtu, informuan gazetarët për krijimin e Forumit-Këshillit, të përbërë nga anëtarë të dy Universiteteve dhe përfaqësues të ndërmarrjeve ndërtimore, qëllimi i së cilit do të jetë organizimi, përcjellja dhe mbarëvajtja e semestrit praktik për studentët e drejtimit të ndërtimtarisë pranë USHT-së, angazhimi i studentëve në ndërmarrje dhe anasjelltas - angazhimi i inxhinierëve dhe sipërmarrësve të ndërmarrjeve ndërtimore në procesin e mësimdhënies për të plotësuar pjesën teorike të procesit mësimor.

Gjithashtu, në kuadër të kësaj iniciative është paraparë që të organizohet edhe Shkolla Verore 2008, e karakterit regjional, ku pjesëmarrës do të jenë profesorë dhe studentë nga USHA të Shtutgardit, profesorë dhe studentë nga USHT-ja dhe nga rajoni.

Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, informoi gazetarët edhe për marrëveshjen e arritur me Institutin e ndërtimtarisë në Shkup për shfrytëzimin e objektit (me hapësirë 300 m?), në Qendrën sportive të Tetovës, ku është paraparë krijimi i laboratorit për studentët e ndërtimtarisë si dhe hapësira tjetër do të pajiset me kompjuterë.

Rektori u shpreh se punimet tanimë kanë filluar dhe pritet shumë shpejt që ky objekt të futet në përdorim për studentët e drejtimit të ndërtimtarisë. Në fund të Konferencës, dy Rektorët, ai i USHT-së dhe i USHA të Shtutgardit nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit dhe të themelimit të Forumit-Këshillit të ndërtimtarisë.

Me këtë marrëveshje parashihet këmbimi i profesorëve dhe studentëve nga Universiteti Shtetëror i Tetovës në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Shtutgardit dhe anasjelltas, si dhe angazhimin e studentëve në semestrin praktik në ndërmarrjet ndërtimore që kanë bashkëpunim me Universitetet.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.