6

 

PËRFAQËSUES TË USAID-IT NË USHT

 

Të enjten (14 qershor 2007) në Universitetin Shtetëror të Tetovës qëndruan përfaqësues të USAID-it të udhëhequr nga zëvendës drejtori për zhvillim ekonomik i USAID-it, zotëri Peter Lampesis. Ata u pritën nga Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, Prorektori për Marëdhënie me Jashtë, prof. dr. Hamit Mehmeti dhe shefi për marrëdhënie ndërkombëtare pranë USHT-së, doc. Senad Abduli.

Qëllimi i vizitës ishte avancimi i bashkëpunimit mes USAID-it dhe USHT-së dhe ofrimi i mëtutjeshëm i përkrahjes për Universitetin. Zotëri Peter Lampesis u interesua për infrastrukturën e rrjetit kompjuterik të USHT-së, kapacitetet ekzistuese dhe rreth mundësisë së ngritjes së këtyre kapaciteteve duke krijuar kështu mundësi për realizimin e kurseve dhe Workshopeve online në kuadër të Universitetit.

Kurset do të jenë nga aspekti i logjistikës, transportit, menaxhimi i zinxhirit të furnizimit (suply chain management) që janë shumë aktuale dhe që do të realizoheshin me profesor nga Gjermania, Austria etj. Rektori informoi përfaqësuesit e USAID-it rreth ngjarjeve të fundit dhe projekteve në vijim dhe atyre që planifikohen, ndër ta edhe angazhimi i më shumë profesorëve me përvojë pune disa vjecare nga Universitete të ndryshme si ai “Shën Kirili dhe Metodi“ e Universitete tjera nga rajoni, edhe atë sidomos në Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe në Programin studimor Arkitekturë.

Gjithashtu i informoi për planet e zgjerimit të rrjetit kompjuterik Wireless dhe të telefonit për të tri objektet e USHT-së, duke ofruar në këtë mënyrë shërbime plotësuese për studentët dhe profesorët përmes një infrastrukture moderne. Zotëri Peter Lampesis gjithashtu mbajti një prezantim, në amfiteatrin e rektoratit të USHT-së me temë: Rritja ekonomike përmes një Strategjie partneriteti - Rruga drejt ndërtimit të partneritetit mes punëkërkuesve dhe bizneseve (Economic Growth through Strategic Partnership – A path for building partnership between jobseekers and business). Ai u shpreh se është i nderuar që mban këtë prezantim dhe falënderoi Rektorin për mikpritjen.

Para të pranishmëve, Z. Lampesis prezantoi pikat kryesore lidhur me temën si cështja e papunësisë, dinamizmin e tregjeve dhe zhvillimet rajonale, rëndësinë e ndërmarrësisë dhe rolit gjithnjë në rritje të bizneseve të vegjël dhe atyre të mesëm, si dhe rreth mjeteve dhe aftësive që duhet të posedojnë punëkërkuesit për të pasur sukses. Zotëri Peter Lampesis sqaroi se norma e lartë e papunësisë vjen si rezultat i arsimimit që është në një nivel jo të mjaftueshëm dhe institucioneve jo mjaft të fuqishme, pastaj si rezultat i investimeve të vogla të huaja në vitet e kaluara e faktorë tjerë.

Duke ofruar këshilla për studentët, rreth mënyrës së punësimit të tyre, ai potencon rëndësinë e aftësive komunikatave dhe avancimit të vazhdueshëm të tyre, paraqitjes para intervistuesit, paraqitjen e vlerave personale dhe aftësive, rëndësinë e trajnimeve, punët vullnetare etj, që ndikojnë direkt në mundësitë për punësim. Në prezantim ishin të pranishëm, Rektori, prof. dr. Sadi Bexheti, Prorektori Hamit Mehmeti, profesorë dhe studentë, kryesisht ata të drejtimit të mekatronikës të cilët në vazhdim prezantuan punimet e tyre rreth modelimeve inxhinierike.  

 

 

 

 

 

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.