6

USHT nënshkruan marrëveshje me UANGJ nga Bullgaria

Tetovë, 15 nëntor - Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT), ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim me Universitetin për Arkitekturë, Ndërtimtari dhe Gjeodezi (UANGJ), nga Sofja e Bullgarisë. Marrëveshja është nënshkruar nga dy Rektorët, prof. dr. Sadi Bexheti dhe prof. dr. Penio Penev, në Tetovë.

Kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat i punës intensive ndërmjet dy universiteteve në muajin e kaluar, kur janë bërë edhe vizita të ndërsjella. “Jam i kënaqur që kjo marrëveshje u finalizua me sukses. Në të dy universitetet ka ekspertë të shkëlqyeshëm të cilët padyshim do të krijojnë një rrjet të suksesshëm bashkëpunimi, si rrjedhojë e të cilit do të realizohen projekte të mëdha”, ka thënë Rektori i USHT-së prof. d-r Sadi Bexheti.

Ai në vazhdim ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit të paraparë në marrëveshje, e cila sipas tij do të reflektohet pozitivisht në procesin arsimor në USHT. Nga ana tjetër, Rektori prof. dr. Penio Penev ka thënë se UANGJ-ja, si Universitet nga një vend i Bashkimit Evropian, do të jetë urë për bashkëpunim në projektet e financuara nga ky organizëm. “Bashkëpunimi jonë në të ardhmen, përvec sferës së arsimit, programeve studimore, këmbimit të studentëve dhe ligjëruesve, duhet të orientohet edhe në projektet që financon BE-ja, për vendet anëtare në bashkëpunim me vendet jashtë unionit. Kur veprojmë të bashkuar, suksesi do të jetë në anën tonë”, ka thënë z. Penio Penev.

Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunim ndërmjet Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të USHT-së, në kuadër të së cilës janë programet studimore të ndërtimtarisë, arkitekturës dhe mekatronikës, dhe fakulteteve të arkitekturës, ndërtimtarisë dhe gjeodezisë së UANGJ-së nga Sofja. Në marrëveshje janë paraparë vizita të ligjëruesve nga të dyja palët, këmbimi i studentëve, paraqitje e përbashkët për projekte nga fusha arsimore, avancimi i programeve studimore, metodologjia e mësimdhënies, këmbim i përvojave, pjesëmarrje në konferenca, seminare dhe simpoziume, këmbim i publikimeve shkencore, etj. UANGJ është universitet shtetëror, me qendër në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje. Ky universitet është themeluar në vitin 1942. Në kuadër të UANGJ-së veprojnë pesë fakultete, respektivisht fakulteti i arkitekturës, fakulteti ndërtimtarisë, fakulteti i hidroteknikës, dhe fakulteti i gjeodezisë, si dhe 33 katedra. Nga periudha e ekzistimit, nga ky universitet kanë dal të diplomuar rreth 6 mijë arkitektë dhe 25 mijë inxhinierë.

 

Zyra për informim  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.