6

 

 

Ambasadori hungarez, Ferenc Kekeshi viziton USHT-në

Tetovë, 15 nëntor - Ambasadori i Hungarisë, Ferenc Kekeshi, ka vizituar Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT). Ai është pritur nga Rektori Sadi Bexheti, ndërsa temë e bisedimeve ka qenë mundësia e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve hungareze dhe USHT-së. “Duhen parë të gjitha mundësitë për bashkëpunim. Ne jemi dy shtete të ngjashme dhe mund të ndihmohemi duke këmbyer përvojat tona.

Jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë duke ofruar ndërmjetësimin tonë për të vënë kontakt me universitetet hungareze që ju keni nevojë të bashkëpunoni” ka thënë Kekeshi. Në vazhdim ai është shprehur se edhe universitetet hungareze do të kishin cfarë të përfitonin nga bashkëpunimi me USHT-në, duke aluduar në ekspertët e fushave të ndryshme të këtij Universiteti.

Nga ana tjetër Rektori i USHT-së, prof.dr. Sadi Bexheti ka shprehur kënaqësi për vizitën, duke shtuar se USHT-ja con një politikë të hapur për bashkëpunim. “Deri më tani ne kemi bërë të qartë se jemi universitet i hapur për bashkëpunim. Përvoja dhe tradita hungareze në arsim do të ishte e mirëseardhur për ne.
Aktualisht ne kemi nevojë për bashkëpunim në disa fusha, sikurse mjekësia, shkencat e aplikuara si dhe disa drejtime të reja, të cilat janë akredituar këtë vit. Ndërkaq, gjithashtu kemi edhe cfarë të ofrojmë dhe me siguri nga universitetet hungareze do të kishte interes, për ligjëruesit tonë të gjuhëve dhe drejtimeve të tjera” tha rektori Bexheti.
Takimi është realizuar pasditen e së mërkurës, ndërsa nga të dyja palët janë paralajmëruar edhe takime të tjera, për të konkretizuar bashkëpunimin e ndërsjellët.

 

Zyra për informim  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.