6

Qeveria e Italisë mbështet USHT-në për ndërtimin e laboratorit të bioteknologjisë

16 nëntor 2007 (e premte) – Në një ceremoni solemne, në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, u bë pranim dorëzimi i donacionit të Qeverisë italiane, përfaqësuar nga ambasadori i Italisë në RM, ekselenca e tij z. Donatino Marcon, për Universitetin Shtetëror të Tetovës, dedikuar ndërtimit të laboratorit dhe pajisjes me mjete laboratorike për nevojat e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe ushqimit.

Të pranishëm ishin edhe Ministri i arsimit dhe shkencës së RM-së, z. Sulejman Rushiti, shefi i misionit të IMG-së, z. Paolo Leoni, koordinator i projektit, z. Argjend Karai, përfaqësues të lartë universiteteve tjera, profesorë e studentë. Ndërtimi i laboratorit me ndihmën e Qeverisë italiane bashkë me investimet nga ana e Universitetit Shtetëror të Tetovës arrin vlerën prej gjysmë milioni euro. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë donacion i Qeverisë italiane, projekt të cilin e implementon IMG (International Management Group).

Projekti “Ndërtimi i Laboratorit për nevoja të Fakultetit të teknologjisë Ushqimore dhe ushqimit” është pjesë e programit “Pilot Aktivitete për arsim dhe kulturë” të Qeverisë së Italisë për Republikën e Maqedonisë. Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti u shpreh mirënjohës dhe falënderues për këtë donacion. “Kjo ditë e sotme hap shtigje të reja bashkëpunimi mes USHT-së dhe Qeverisë Italiane dhe thellon bashkëpunimin me Qeverinë e Maqedonisë dhe me aktivitete të kësaj natyre ky Universitet dëshmon edhe një herë se është institucion në të cilin vlen të investohet.

Ky projekt paraqet vazhdimësinë e angazhimit të pandërprerë të stafit udhëheqës të USHT-së që vijon pas dy projekteve të mëparshme, ndërtimit të objektit të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara në Gostivar dhe sallës sportive në Tetovë, dhe kjo dëshmon seriozitetin e angazhimit të udhëheqësisë së USHT-së” u shpreh Rektori Bexheti. Nga ana tjetër, ambasadori i Italisë në Maqedoni, ekselenca e tij, z. Donatino Marcon u shpreh: “Qëllimi i këtij donacioni është nxitja e arsimit të lartë drejt zhvillimeve dhe progresit.

Donacioni në USHT është pjesë e projektit të Qeverisë italiane për Qeverinë e RM-së, projekt i fokusuar kryesisht në fushën e arsimit të lartë. Edhe për shfrytëzimin e literaturës në gjuhën italiane do të bëhen angazhime në kuadër të projektit.” Ministri Rushiti me këtë rast para të pranishmëve u shpreh: “Ministria e arsimit dhe shkencës ka përkrahur të gjitha aktivitetet, projektet, idetë që vijnë nga ana e Universitetit Shtetëror të Tetovës, me qëllim që në kontinuitet të ndiqet rruga e reformave, rrugë e cila shpie deri tek një ardhmëri më e shëndoshë dhe e begatshme. ”Duke iu falënderuar Qeverisë italiane për donacionin, z. Rushiti shtoi: “Arsimimit duhet t'i japim ndihmë dhe resurse të nevojshme me qëllim që ta zhvillojmë kreativitetin, duke arritur rezultate dhe standarde të larta”. Të pranishmit më tutje vizituan hapësirat ku edhe do të ndërtohet objekti (laboratori) ku dhe u mbajt press konferencë për gazetarë. Laboratori do t'i ofroj studentëve të Fakultetit të teknologjisë ushqimore dhe ushqimit mundësinë e hulumtimeve dhe kërkimeve, duke e shndërruar kështu Universitetin Shtetëror të Tetovës në një qendër hulumtuese-kërkimore.

 

Zyra për informim  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.