6

Hapja solemne e Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë në USHT

Sot, në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, në mënyrë solemne u bë hapja e Seminarit të Parë Ndërkombëtar të Albanologjisë. Në këtë manifestim madhështor, ishin të pranishëm Kryeministri i RM-së, z. Nikolla Gruevski, nënkryetarët e qeverisë Ymer Aliu dhe Zhivko Jankulovski, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Sulejman Rushiti, Ministri i Kulturës, z. Arifikmet Xhemaili, akademik Rexhep Qosja, kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaci, Kryetari i PPD-së, z. Abdylhadi Vejseli dhe fytyra të shquara të letërsisë, gazetarë etj.

Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti bëri hapjen solemne të Seminarit, me c’rast tha: “Këtë takim të dijetarëve, albanologë të vendit e të huaj, e bën të mundur Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe besojmë që do të jetë tradicional.

Ky seminar mbahet nën patronatin e Kryeministrit të Maqedonisë dhe me ndihmën e qeverisë dhe ministrave gjegjës të saj, dhe kjo dëshmon se në këtë vend po hapet hapësirë për dijen dhe për kulturën pavarësisht prej etnive, sepse në fund të fundit, dija dhe kultura janë të mira universale dhe u takojnë të gjithë popujve.” Fjalë rasti mbanë edhe Kryeministri z. Nikolla Gruevski, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Sulejman Rushiti, Ministri i Kulturës, z. Arifikmet Xhemaili, Drejtori i Seminarit, prof. dr. Qemal Murati, Prorektori i Univeristetit të Tiranës si dhe autori i “Nobelistët e letërsisë”, Avni Spahiu, libër ky i paraparë në kuadër të edicionit botues të Seminarit.

Veprimtaria Seminari Albanologjik, që organizohet për herë të parë këtë vit në Tetovë, është fryt i bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor ndërmjet Universitetit Shtetëror të Tetovës, të Tiranës dhe atij të Prishtinës, e në të cilin do të shpërfaqen, përmes një debati shkencor, rezultate, teza, pikëpamje a metodika studimore në disa fusha të studimeve albanologjike.

Seminari do të zhvillohet në Ohër, nga 17 deri 23 shtator, në Qendrën e Kongreseve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

Pjesëmarrës në seminar janë specialistë të fushave të ndryshme albanologjike në gjuhësi, letërsi, histori, etnokulturë. Në kuadër të Seminarit, pos ligjëratave, do të zhvillohen edhe një varg aktivitetesh si përurime librash, kurs i gjuhës shqipe për të huajt etj.

 

 

Zyra për informim  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.