6

Përgatitje për realizimin e projektit Weblab për ligjërime nga distanca

Një delegacion i huaj, që përfaqësohej nga Universiteti Teknik i Torinos, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Mariborit, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, ai i Shkencave Natyrore dhe Institutit të informatikës të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” të Shkupit dhe Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit “Shën Kliment Ohridski” të Manastirit, më 18 maj 2007 (të premten) ishin në vizitë pune në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u pritën nga prorektorët Agim Shabani dhe Etem Iseni.

Qëllimi i vizitës së këtij delegacioni ishte përgatitja e fillimit të realizimit të projektit Weblab, e cila pritet të fillojë në korrik të këtij viti, që mundësohet nga programi Tempus. Pritet që universitetet e lartpërmendura të bashkëpunojnë në projektin njëvjecar, që parasheh ligjërimin nëpërmjet internetit.

Në këtë projekt janë të përfshira gjashtë kurse, edhe atë: analiza ekonomike inxhinierike, ndërmarrësia dhe menaxhimi i biznesit të vogël, menaxhimi për zhvillimin e produkteve, ripërtëritja e burimeve të energjisë, eficenca e energjisë, rrjetet kompjuterike dhe dizajni i sistemeve informative.

Intenca e krijimit të këtij Weblabi është ligjërimi në distancë nga profesorët më eminentë të këtyre universiteteve, duke rritur kështu bashkëpunimin dhe duke u ofruar studentëve kurse on-line. Realizimi i projektit parasheh krijimin e një laboratori në kuadër të Fakultetit Ekonomik të USHT-së, me pajisjet e nevojshme për realizimin e weblabit, pastaj zhvillimin e një ambienti të ligjërimit (mësimit) përmes internetit, themelimit të infrastrukturës së nevojshme për realizimin e këtyre kurseve.

Gjatë këtij takimi, prorektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agim Shabani njoftoi të pranishmit për funksionimin e Universitetit prej themelimit e deri në ditët e sotme, si dhe dha hollësi për rrugën në të cilën ka kaluar ky universitet deri në legalizimin e tij, për infrastrukturën, numrin e fakulteteve, të studentëve, etj.

Ndërkaq, prof. dr. Hamit Aliu, i cili prezanton USHT-në në këtë projekt, falënderoi mysafirët për prezencën dhe tha se ky bashkëpunim i ndërsjellë do të jetë në shërbim të studentëve.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.