6

Televizionet publike favorizojnë kuadrot e reja

 

Në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në vazhdën e cikleve të “Debatit universitar”, më 17 maj 2007 (e enjte), u zhvillua debati lidhur me rolin e mediave publike në rrafshin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Mysafirë të këtij debati ishin drejtorë të televizioneve shtetërore: Radovan Miljanic i Malit të Zi, Avni Spahiu i Radiotelevizionit të Kosovës, Boris Stavrov i Televizionit të Maqedonisë dhe Janez Sajovic përfaqësues i OSBE-së, i punësuar në MTV. Janez Sajovic tha se nuk duhet parashtruar pyetja a duhet të ketë media publike, por si duhet të jenë këto media publike.

Sipas marrëveshjeve të ndryshme që janë realizuar dhe deklaratave të BE-së, cdo shtet detyrimisht duhet të ketë nga një shërbim publik. Ai tha se ka qenë i angazhuar në më shumë televizione, kurse problemi te të gjithë ka qenë financimi. Radovan Miljanic tha se mediat publike gjatë kohës së ish-Jugosllavisë kanë pasur një rol të rëndësishëm në shërbimin qytetar.

Kjo shihet edhe nga objektet e ndërtuara për këto shërbime publik, të cilët janë mjaft të mëdha. Sipas tij, kjo punë ndërpritet pas viteve të ’90-ta, me cka ndërpritet edhe profesionalizmi. Në skenë paraqiten partitë politike, që marrin gazetarë dhe i udhëheqin pa ndonjë profesionalizëm. “Televizioni shtetëror i Malit të Zi ka ngecur në përparim të teknologjisë, por është pozitiv zvogëlimi i numrit të të punësuarve dhe ruajtja e cilësisë”, tha Miljanic. Drejtori i Televizionit shtetëror të Maqedonisë, Boris Stavrov tha se është e vërtetë se reformat bëhen me zvogëlimin e numrit të të punësuarve, të cilën gjë e mundëson edhe digjitalizimi.

Sipas Stavrov, tendencat e reja në një televizion sjellin reforma dhe ndryshime në kuadrot televizive. Drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Avni Spahiu tha se “RTK ka filluar me një fazë krejt ndryshe nga disa televizione të tjera, ngase ka nisur nga e para. Kjo është arritur falë BE-së dhe BBC, që kanë dhënë përkrahje teknike dhe materiale. Në këtë drejtim RTK ka nisur edhe me një staf më të ri të punëtorëve, si dhe është mbajtur një numër i vogël i stafit më të vjetër dhe me më shumë përvojë.

Gazetari Qani Mehmedi nënvizoi se problemi nuk qëndron në konfliktin mes gjeneratave, por se këto media në shoqëritë e tranzicionit janë shndërruar në ente sociale. Ndërkaq, gazetari Ylber Lili nga Shqipëria kërkoi një sqarim nga drejtorët e televizioneve, që të tregojnë dallimin mes televizionit shtetëror dhe atij publik, ngase në të shumtën e rasteve këto media financohen nga shteti.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.