6

STUDENTË TË USHT-së MARRIN PJESË NË GJYSËM-MARATONËN E FRANCËS 

Studentët e Programit studimor të Kulturës Fizike pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, Adem Selmani dhe Zarife Elmazi do të marrin pjesë në gjysmëmaratonën evropiane në Francë, Huelgoat-Carhaix, nën mbështetjen financiare të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Gara evropiane- gjysmëmaratona mbahet me datë 07 korrik 2007 në Carhaix, Francë.

Adem Selmani dhe Zarife Elmazi edhe më herët kanë përfaqësuar Universitetin Shtetëror të Tetovës në gara të ndryshme sportive. Kanë qenë pjesëmarrës në gjysmëmaratonën e Prishtinës me datë 6 maj 2007, në gjysmëmaratonën e Shkupit me datë 13 maj 2007, në gjysmëmaratonën e Nishit të mbajtur me datë 2 qershor 2007 dhe me datë 9 qershor 2007 në Kocanë, ku kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme.

Në gjysmëmaratonën në Kocanë kanë marrë vendin e dytë-Zarifja, respektivisht vendin e 4-të-Ademi, me cka kanë marrë plasman për në garën evropiane në Francë. Përfaqësuesit e USHT-së do të udhëtojnë për në Francë të premten (6 korrik 2007) dhe do të qëndrojnë atje deri më 9 korrik 2007.

Pjesëmarrës nga Maqedonia, pos studentëve të USHT-së, do të jenë edhe sportistë nga Federata e Atletikës së Maqedonisë. Gjysmëmaratona Huelgoat-Carhaix është e karakterit garues ndërkombëtar ku marrin pjesë atletë nga të gjitha vendet evropiane e më gjërë. Është eveniment i përkrahur nga Federata franceze e atletikës dhe një hap drejt garave të karakterit profesional si ajo e Tour de France.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.