6

Ambasadori bullgar në USHT

Tetovë, 20 nëntor- Ambasadori bullgar, Miho Mihov ka qëndruar për vizitë në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT). Ai është pritur nga Rektori prof. dr. Sadi Bexheti, ndërsa temë e takimit ka qenë mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve bullgare dhe USHT-së. “Si dy shtete fqinje që jemi, bashkëpunimi i ndërsjellët duhet të jetë i padiskutueshëm.

Ne do të bëjmë gjithcka për afrimin e universitetit tuaj me universitetet tona. Besoj se ju do të gjeni gjuhë të përbashkët për realizim dhe avancim të këtij bashkëpunimi” ka thënë ambasadori Mihov. Në vazhdim ai ka thënë se është në dispozicion për të ndihmuar edhe për cështje tjera të cilat do të ishin në interes të USHT-së. “Interesi jonë për bashkëpunim me institucionet arsimore bullgare është mjaft i madh dhe këtë e vërtetojmë me vetë faktin se USHT-ja ka nënshkruar marrëveshjen me Universitetin e Arkitekturës, Ndërtimtarisë dhe Gjeodezisë nga Sofja.

Ndërkaq jemi në përgatitje të disa marrëveshjeve tjera me universitete bullgare. Kjo gjë do të na ndihmojë për realizimin e shumë projekteve të cilat kanë për bazë afirmimin dhe avancimin e arsimimit dhe segmenteve tjera shoqërore”, ka thënë Rektori prof. dr. Bexheti. Ai në vazhdim ka shtuar se institucionet arsimore bullgare kanë traditë më të madhe, të cilat mund t’i shërbejnë USHT-së në zhvillimin e saj. Në takim gjithashtu janë shqyrtuar mundësitë për avancim të kuadrove mësimdhënëse të USHT-së në universitete bullgare, mundësitë për furnizim me literaturë bullgare për bibliotekën universitare si dhe cështje tjera.

Mihov gjithashtu ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të fakultetit juridik dhe ekonomik në temë “Përvoja e integrimeve euro-atlantike e Bullgarisë, parë nga prizmi i sigurisë kombëtare”. Në këtë ligjëratë ai ka trajtuar problemet me të cilat është ballafaquar Bullgaria në rrugën e integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. I pyetur nga studentët ai është përgjigjur edhe për pozicionin e Sofjes zyrtare për statusin e Kosovës. “Zëvendëskryeministri jonë është shprehur kohë më parë është shprehur se duhet punuar për afrimin e pozicioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Pozicioni jonë ka për bazë dokumentin e ndërmjetësuesit Marthy Ahtisari” tha Mihov.

 

Zyra për informim e USHT-së  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.