6

Delegacion i Universitetit “Aleksandër Mojsiu”- Durrës vizitoi USHT-në

Një delegacion i Universitetit “Aleksandër Mojsiu”, të Durrësit, i udhëhequr nga rektori, Agim Kukeli, më 21 maj (të hënën), qëndroi në Universitetit Shtetëror të Tetovës, ku u prit nga prorektori Agim Shabani dhe shefi i zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare, Senad Abduli.

Qëllimi i vizitës ishte shkëmbi i përvojave universitare, si dhe mundësia e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy universiteteve. Rektori i Universitetit të Durrësit, Agim Kukeli, tha se universiteti i tyre është i ri, ka filluar të funksionojë më 9 tetor të vitit 2006 dhe tash do të përfundojë vitin e parë akademik.

Kukeli bëri të ditur se për momentin aty funksionojnë dy fakultete i ekonomisë dhe administrimit, si dhe ai i edukimit, ndërsa funksionon edhe një shkollë e lartë profesionale, ku janë 8 degë. Në këtë universitet studiojnë rreth 1 mijë studentë, ndërsa pritet që ky numër të dyfishohet gjatë vitit të dytë.

Prorektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agim Shabani, njoftoi mysafirët për ecurinë historike të këtij institucioni të lartë arsimor, duke nënvizuar sakrificën dhjetëvjecare të universitetit deri në legalizimin e plotë nga shteti.

Shabani theksoi se tash pritet që Qeveria të akreditojë fakultetet dhe programet studimore, që janë në kuadër të këtij universiteti. Në fund të këtij takimi u vendos që në një të ardhme të afërt këto dy universitete të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi që do të nënkuptonte këmbim të kuadrit mësimdhënës dhe studentëve.

Si një pikët të përbashkët këta dy universitete kanë programin studimor të turizmit, ku një bashkëpunim në këtë drejtim do të ishte i pashmangshëm.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.