6

USHT ka bërë REVOLUCION gjatë 10 muajve të fundit

Të mërkurën, më 20 qershor 2007, në kuadër të edicionit të radhës të debatit universitar, të organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Radio Televizioni i Maqedonisë, Programi në gjuhën shqipe, në debat morën pjesë: Ministri i arsimit dhe shkencës së RM-së, z. Sulejman Rushiti dhe Rektori i Universiteti Shtetëror të Tetovës, prof. Dr. Sadi Bexheti. I ftuar në debat ishte edhe ish-ministri i arsimit, z. Aziz Pollozhani, i cili në momentin e fundit i njoftoi organizatorët se për shkak të një udhëtimi zyrtar nuk do të merr pjesë në debat.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës së RM-së, z. Sulejman Rushiti, fillimisht i informoi të pranishmit për qëndrimin pozitiv të marrë në mbledhjen e Qeverisë së RM-së për akreditimin e fakulteteve të reja të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Rreth dyshimeve të paraqitura në fillim të mandatit të tij si Ministër dhe rreth iniciativave të tij, nga disa struktura, ministri u shpreh se rezultatet e arritura në USHT demantojnë cdo paragjykim.

Lidhur me deklaratat negative të disa politikanëve rreth iniciativës së tij, ai u shpreh se kostoja e karrierës së tij politike nuk mund të jetë më e madhe se pesha, relevanca dhe vlerat rreth Universitetit Shtetëror të Tetovës, prandaj ai ishte gjatë gjithë kohës në shërbim të USHT-së. Sipas tij, tani pas akreditimit të 10 fakulteteve , duhet të orientohemi rreth së ardhmes, rreth sfidave të reja dhe të orientohemi që Universitetin Shtetëror të Tetovës ta shndërrojmë në qendër hulumtuese.

Rreth diplomave të paverifikuara, ministri Rushiti informoi se është i angazhuar drejtpërdrejt, së bashku me Komisionin verifikues të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe se punojnë bashkërisht për të pastruar një herë e mirë këtë cështje për hir të së ardhmes së Universitetit dhe studentëve. Rreth kësaj cështje propozon që pas përfundimit të verifikimit të diplomave, emrat e atyre që i kanë diplomat e rregullta të shpallen publikisht në mediume (Webfqaja e USHT-së dhe e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe mediume tjera) me qëllim që për ata që nuk konstatohet asnjë parregullsi, të mos bëhen më pre e paragjykimeve; ndërsa për pjesën tjetër të diplomave ku vërtetohet se janë bërë keqpërdorime dhe mashtrime e falsifikime, potencoi se me to do të merren organet e hetuesisë sipas Ligjit.

Ministri Rushiti bëri një retrospektivë të gjendjes reale në momentin kur mori mandatin e Ministrit për arsim dhe shkencë dhe gjendjes aktuale, duke potencuar lëshimet e shumta në kohën e legalizimit të atëhershëm të vetëm 4 fakulteteve dhe mospërputhjen e programeve studimore me Kartën e Bolonjës, si rasti me Qendrën politeknike të atëhershme, ku në rast diplomimi nuk do t'i njihej studentit diploma (bachelor) dhe nuk do të kishin të drejtë vazhdimi të studimeve pasdiplomike.

Ai potencoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me Qeverinë do të përkrah financiarisht USHT-në. Në fund u shpreh se USHT-ja në një të ardhme të afërt do të jetë lider në rajon dhe se është thellësisht i bindur se rreth USHT-së, do të mbyllen të gjitha cështjet e hapura. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti falënderoi Ministrin Rushiti dhe Qeverinë e RM-së për mbështetjen që i kanë ofruar USHT-së për cdo iniciativë që ka ngritur Rektorati..

Rektori qartësoi gjendjen para se të emërohej rektor i USHT-së dhe rreth legalizimit të Universitetit të Tetovës të atëhershëm, ku potencoi se problemi ishte politizimi apo partizimi tej mase i Universitetit dhe mbështetja joadekuate politike, me c' rast shumë profesorë u larguan nga Universiteti dhe UT-ja e atëhershme u izolua nga faktori i jashtëm dhe përmendej vetëm për abuzim. Rektori, prof. dr. Sadi Bexheti informoi mbi angazhimet që nga momenti i zgjedhjes Rektor, mbi ndryshimet e realizuara gjatë këtij viti, mbi hapjen e dyerve të Universitetit për bashkëpunim me faktorë dhe institucione të jashtme, duke i numëruar marrëveshjet e shumta të bashkëpunimit me Universitete të ndryshme nga Evropa, si me Universitetin e Shtutgardit dhe Universitetin Teknik të Shtutgartit, me Univeristetin e Frajburgut, me Universitetin e Gracit, me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Gracit, me Universitetin e Trakisë në Edrene etj., të gjitha këto bashkëpunime me qëllim të internacionalizimit të USHT-së.

Të gjitha këto bashkëpunime mundësojnë këmbim të lirë të profesorëve dhe studentëve, vazhdimin dhe përkrahjen mbi vazhdimin e ciklit të dytë të studimeve, ku përmendi edhe programet TEMPUS dhe Socrat për transfer të studentëve duke ulur në minimum pengesat administrative. Rektori, prof. dr. Sadi Bexheti u shpreh: “Ne kemi ndërtuar shtëpinë, pjesa tjetër e punës është kompletimi i kuadrit profesional” ku edhe informoi se momentalisht janë të angazhuar rreth 518 mësimdhënës e bashkëpunëtorë dhe rreth 100 të punësuar në administratë për dallim nga 180 të punësuar, bashkërisht stafi akademik dhe administrata, më parë në UT.

Ai deklaroi se Rektorati është më se i vendosur që të respektohet Ligji për arsim sipëror, Rregullorja dhe Statuti i USHT-së si dhe kriteret e vlerësimit, si nota mesatare dhe titujt shkencorë, në përzgjedhjen e asistentëve, profesorëve dhe bashkëpunëtorëve. Në vijim, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës paraqiti para të pranishmëve Fakultetet dhe Programet studimore të akredituara dhe informoi më gjerësisht rreth tyre.

 

Gjithashtu informoi më detajisht për Konkursin për zgjedhje/rizgjedhje të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve dhe rreth 120 punësimeve shtesë që ka miratuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pastaj edhe për regjistrim të studentëve në USHT për vitin akademik 2007/2008. Krejt në fund, Rektori potencoi se nuk do të ketë diskriminim financiar rreth studimeve, për studentët e RM-së dhe studentëve nga Shqipëria, Kosova dhe Lugina e Preshevës.

Në debat ishin të pranishëm dekanët e Fakulteteve, shefat e Programeve studimore, profesorë e studentë, të cilët u kycën në debat përmes pyetjeve të tyre. Ndër shumë profesorë e studentë, edhe profesor Ylber Lili nga Programi studimor Gjuhë dhe letërsi shqipe u kyc në debat duke konkluduar se Rektori dhe kjo udhëheqësi ka vendosur rregullat e lojës konform standardeve, për të qenë në sinkron me Universitetet tjera., dhe se gjatë këtyre 10 muajve është bërë revolucion.

Në aneks të kësaj informate është bashkangjitur edhe prezantimi në Power Point i të gjithë Fakulteteve dhe Programeve Studimore me drejtimet e vecanta, të akredituara.  

 

Prezentimi

 
 
© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.