6

20 Nëntor DEBATI UNIVERSITAR me temë Themelimi i Institutit për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë.

Të martën filloi cikli i ri debateve universitare organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës në bashkëpunim me Radiotelevizionin e Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe. Debati Universitar i parë për këtë cikël, u sigurua për një temë aktuale dhe shumë të rëndësishme: Themelimi i Institutit të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore “Pjetër Bogdani”dhe aktivitetet Java e kulturës me rastin e alfabetit shqip dhe përvjetorit të shtetit shqiptar. Mysafirë në debat ishin Ministri i arsimit dhe shkencës së RM-së, z. Sulejman Rushiti, nga këshilli organizativ i Institutit, zëdhënësi i Qeverisë z. Veton Ibrahimi dhe prof. Fejzulla Shabani, si dhe eksperti i gjuhësisë Z. Fadil Sulejmani. Ministri i arsimit, z. Rushiti u shpreh se viti 2007 është vit i rëndësisë së vecantë.

“Jeta kulturore shqiptare për herë të parë është institucionalizuar. Instituti i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore ka qenë ëndërr dijetarëve shqiptarë. Instituti do të paraqesë një mundësi më tepër për gjuhëtarët, albanologët, historianët, shkencëtarët si nga vendi ashtu edhe për tërë rajonin” tha ministri Rushiti. Në pyetjen se sa sektorë funksionojnë në kuadër të Institutit, z. Rushiti u përgjigj: “ Instituti është i ndarë në disa sektorë: sektori për gjuhë dhe letërsi, për etnologji e etnomuzikologji, për histori, sektori i migrimeve, për bashkëpunim të ndërsjellë me tjerë, sektori për arkitekturën e vjetër.”

Sipas tij, aktivitetet e fundit të ndërmarra të Qeverisë dhe Ministrive përkatëse në institucionalizimin e festave me rëndësi për shqiptarët, themelimi i Institutit trashëgimor, për ruajtjen dhe konservimin e vlerave kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve ne Maqedoni, nuk është politikë ditore, por strategji e forcimit të kapaciteteve intelektuale. Ministri foli gjithashtu edhe për të arriturat e USHT-së, për hapësirat, për objektin në Gostivar, për donacionin e fundit të Qeverisë italiane për laboratorin e Fakultetit të Teknologjisë ushqimore, duke nënvizuar se Universiteti dalëngadalë po shndërrohet nga një vatër arsimore në një qendër hulumtuese-kërkimore. Zëdhënësi i Qeverisë së RM-së, z. Veton Ibrahimi, njëkohësisht edhe anëtarë i këshillit organizativ për themelimin e Institutit trashëgimor foli për rëndësinë e këtij Instituti duke nënvizuar se të gjitha këto aktivitete që shënohen gjatë kësaj jave dhe gjatë muajit nëntor, janë nën patronatin e Qeverisë. “Dita e alfabetit shqip është festë zyrtare, për të cilën përkujdesen institucionet e shtetit. ” tha z. Ibrahimi. Për rëndësinë, funksionimin si dhe për aktivitetet në të ardhmen foli edhe eksperti i gjuhësisë, profesor Fadil Sulejmani.

“Sonte jemi këtu për të promovuar dhe festuar sukseset tona të mëdha, në vëllim dhe rëndësi të mëdha sic është Instituti. Shqiptarët kanë trashëguar një pasuri të madhe kulturore, prandaj duhet ta ruajmë këtë trashëgimi, identitetin e gjuhës, veshmbathjeve, lojërave, ritet familjare etj.” Profesor Fejzulla Shabani, nga këshilli organizativ për themelimin e Institutit tha se Instituti, pos që ka karakter gjuhësor ka edhe karakter historik. Ai gjithashtu para të pranishmëve paralajmëroi edhe ngjarjet që janë në vijim në kuadër të Javës së Kulturës, organizuar na Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe përkrahur nga Ministritë përkatëse të arsimit e shkencës dhe të kulturës. Të pranishëm në debat ishin Rektori i USHT-së, profesorë e studentë si dhe gjuhëtarë e historian shqiptarë.

 

Zyra për informim  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.