6

Manifestim kulturor në USHT me rastin e Ditës së Alfabetit shqip

Të mërkurën, për nder të 22 nëntorit, Ditës së Alfabetit, në Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizua një manifestim kulturor nga Fakulteti Filologjik së bashku me Fakultetin e Arteve respektivisht, programet studimore të artit dramatik dhe artit muzikor.

Manifestimin e shpalli të hapur, Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti i cili me këtë rast u uroj të pranishmëve Ditën e Alfabetit: “Kjo datë ka tejkaluar përmasat e një kremtimi të zakonshëm dhe është shndërruar në një festë të përgjithshme kombëtare që na bashkon në përpjekjet tona për përparimin e arsimit, shkencës dhe të shkollës shqipe, si sinonim i progresit të përgjithshëm.

Jemi të bindur se përmes përpjekjeve tona për gjuhën, zhvillimin e arsimit dhe shkencës, ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve arsimore, do ta përmbushim me sukses edhe amanetin e misionarëve të gjuhës, në procesin e integrimit të shoqërisë sonë, në përputhje të plotë me standardet bashkëkohore të qytetërimit modern.”

Fjalë rasti për ditën e Alfabetit mbajti edhe Dr. Salajdin Mehmeti i cili u shpreh: “Kongresi i Manastirit shënon një ngjarje me rëndësi për gjuhën dhe kulturën shqiptare jo vetëm të kohës por edhe sot. Neve na mbetet të vazhdojmë më tej në përdorimin e drejtë të pasurisë gjuhësore dhe të mjeteve shprehëse të saj.”

Manifestimi ishte i pasur me orë letrare nga poetë, lexime letrare nga studentë dhe pika muzikore nga studentë të arteve. Me këtë rast u bë edhe promovimi i librit të Ibrahim Veliut “Resh etje”. Fjalë rasti kishte Salajdin Salihu mbi librin “Resh etje”.

Të pranishëm në manifestim ishin profesorë, studentë e dashamirë të artit e kulturës shqipe.

 

Zyra për informim  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.