6

USHT lidh marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Universiteti Shtetëror i Tetovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Mahir Hoti u shpreh se kjo marrëveshje shkon mirë me interesat akademike e shkencore të të dy Universiteteve tona e për më tepër me frymën gjithë-evropiane të Kartës së Bolonjës, pjesë e së cilës tashmë jemi bërë e që synojmë të integrohemi sa më mirë.

“Eshtë e rëndësishme, se sot, me nënshkrimin e kësaj marrëveshje realizohet edhe strategjia e Universitetit tonë për bashkëpunim ndërmjet universiteteve të trojeve shqiptare. Kjo marrëveshje e cila shtrihet në shumë fusha dhe ka shumë prioritete krijon hapësira për bashkëpunim reciprok për zhvillimin e Universiteteve tona” u shpreh Rektori Hoti.

Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti mes të tjerash tha se kjo marrëveshje zgjeron fushën e bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare në fusha ku kemi interesa të ndërsjella. Kjo marrëveshje plotëson mozaikun e marrëveshjeve të tjera që USHT këtë vit ka lidhur me universitete nga vendi, rajoni e bota. Kësisoj Universiteti Shtetëror i Tetovës krijon lidhje të qëndrueshme me institucionet e arsimit të lartë në drejtim të ndërkombëtarizimit të Universitetit.

“USHT përfundon një akt të rëndësishëm me nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe shpresojmë se kjo do të konkretizohet në vepra dhe aktivitete që do të ndërmerren”.

Marrëveshja përfshin disa pika kryesore: aktivitete dhe projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme përfshirë edhe ato pasuniversitare, shkëmbimin e studentëve, shkëmbimin e personelit akademik dhe administrativ, shkëmbimin e përvojave dhe materialeve për ECST-në, shkëmbimin e literaturës, konferenca të përbashkëta shkencore etj.

Marrëveshja përfshin bashkëpunim mes fakulteteve respektive të universiteteve, me theks të vecantë Fakulteti i shkencave matematiko-natyrore, i shkencave të mjekësisë dhe Fakulteti filologjik. Me rastin solemn të nënshkrimit të marrëveshjes Rektorët shkëmbyen dhurata, libra për bibliotekat përkatëse dhe mbanë press-konferencë për gazetarë.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.