6

Prezantim për përparësitë e punës voluntare për studentë

Me rastin e Ditës së volonterizmit, në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, të mërkurën (23.05.2007), u mbajt një prezantim që ishte organizuar nga Unioni i Studentëve të USHT-së dhe Aleanca Rinore e Tetovës.

Kryetari i Unionit të Studentëve të USHT-së, Kushtrim Ahmeti tha se “jemi mbledhur këtu për të diskutuar për punën vullnetare, e cila në Maqedoni ende nuk është afirmuar aq sa duhet”.

Lidhur me prezantimin konkret të punës së voluntarizmit foli Blake Childs, përfaqësues i Korpusit paqësor nga SHBA, vullnetar i cili punon në USHT nga shtatori i vitit të kaluar. Childs tha se “qëllimi i këtij takimi është analiza e mundësisë për kycjen e dikujt nga ju në një organizatë me qëllime vullnetare dhe në një të ardhme do të punonte në këtë drejtim.

Kërkojmë një bashkëpunim nga studentët, që të mund të inkuadroheni në procese të edukimit të fëmijëve”. Ai foli për mundësinë e inkuadrimit në disa organizata joqeveritare, që veprojnë në Maqedoni. “Ka shumë të rinj këtu në Maqedoni që e zotërojnë mirë gjuhën angleze dhe nuk janë të kycur në asnjë organizatë, ku u jepet mundësi që të fitojnë përvojë, ashtu sic erdha unë këtu dhe mësova shumë për kulturën, gjuhën dhe traditat në Maqedoni”.

Në emër të Aleancës rinore të Tetovës, Afrim Imeri tha se “kampet punuese janë vend takime ndërkombëtare për të rinjtë nga vende të ndryshme të botës, të cilët në një periudhë kohore prej 2-4 javësh jetojnë dhe punojnë së bashku në projekte dhe aktivitete të ndryshme”. Imeri njoftoi studentët se kush dhe si mund të aplikojë në këto kampe punuese. Po ashtu, vullnetarët duhet të paguajnë një participim simbolik, që shfrytëzohet për mbulimin e shpenzimeve postare, telefonike etj. Ai bëri të ditur se voluntarizmi nuk duhet të kuptohet si punësim pa pagesë, por se është një shans i mirë për të rinjtë që të mësojnë dicka në këto kampuse. Pas këtij prezantimi, para Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës u organizua një praktikë e punës vullnetare, ku përfaqësues të Aleancës rinore të Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Rinore të Manastirit, ekspozuan punimet e tyre.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.