6

U bë hapja solemne e Shkollës së IV

 

Të hënën (23 korrik 2007), në Strugë, në Hotel “Drini i zi” u bë hapja solemne e Shkollës së IV Verore, në kuadër të aktiviteteve të rrjetit të bashkëpunimit “Shkenca dhe teknologjia e materialeve” ndihmuar nga Fondacioni DAAD i Gjermanisë, me anëtarë: Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti Teknik Bergakademie Freiberg, Universiteti i Prishtinës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Teknologjik i Vlorës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Tiranës dhe LVQ Mulheim an der Ruhr (Firmë e akredituar në përmasa evropiane për prova dhe kontroll të materialeve me dhe pa shkatërrim).

Në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin Shtetëror të Tetovës u organizua Shkolla Verore 2007 në Strugë me temë “Krijimi i mikrostrukturës te materialet metalike”, prej 23 korrik deri më 03 gusht 2007.

Ligjërues në këtë Shkollë Verore janë profesorë nga Universiteti Teknik i Freibergut, Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Elbasanit dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, si Prof. Dr. Eva Cyrener, Prof. Dr. Teuta Dilo, Prof. Dr. Dervish Elezi, profesor Adhurim Hoxha, Prof. Dr. Peter Klimanek, Prof. Dr. Emil Lamani, Prof. Dr. Heinrich Oettel etj. Të pranishëm në hapjen solemne ishin Ministri i Kulturës së RM-së, z. Arifikmet Xhemaili, prefekti i qytetit të Strugës, z. Ramiz Merko, Prorektori për Shkencë i USHT-së, Prof. dr. Agim Shabani, Prorektori për marrëdhënie me jasht i USHT-së, Prof. dr. Hamit Mehmeti, studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Hapjen solemne e bëri Prorektori për marrëdhënie me jashtë i USHT-së, prof. dr. Hamit Mehmeti me ç'rast falënderoi profesorët gjerman, profesorët tjerë dhe Rektorin e USHT-së, prof. dr. Sadi Bexhetin për kontributin e madh në realizimin e këtij projekti. Prorektori gjithashtu informoi se projekti do të zgjasë deri më 3 gusht dhe se në fund të Shkollës Verore, kandidatët do të marrin certifikatë pas nënshtrimit të provimeve përkatëse.

Prof. Dr. Heinrich Oettel nga Universiteti Teknik i Freiburgut u shpreh se ky projekt është përpjekje për t'i bashkuar 3 vendet në mësim të përbashkët, duke aluduar në Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas tij, jo rastësisht është zgjedhur Struga, sepse Maqedonia në botë identifikohet përmes këtij qyteti të bukur. Profesori gjerman shprehi falënderim të vecantë për USHT-në për kontributin në realizimin e këtij projekti. Prefekti i qytetit të Strugës, z. Ramiz Merko përshëndeti këtë iniciativë dhe falënderoi USHT-në për themelimin e institutit të Ekologjisë në Strugë duke e shndërruar Strugën në qytet universitar. Edhe studentët e pranishëm falënderuan realizuesit e këtij projekti për të bashkuar dhe arsimuar të rinjtë e këtyre tre vendeve.  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.