6

Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i USHT-së në Gostivar

Sot, me datë 24 gusht 2007 (e premte), në Banjicë të poshtme – Gostivar, në mënyrë solemne u bë firmosja e Vendimit për pranim-dorëzim të objektit për nevojat e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Në këtë ceremoni solemne ishin të pranishëm Ministri i Arsimit dhe Shkencës së RM-së, z. Sulejman Rushiti, nënkryetar i parlamentit të RM-së, z. Besim Dogani, sekretari shtetëror i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe përfaqësues tjerë të Ministrisë së Arsimit dhe të Qeverisë së RM-së, Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, Prorektorët e USHT-së, shefat e programeve studimore, profesorë dhe studentë.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, z. Sulejman Rushiti, me këtë rast u shpreh se jemi dëshmitarë të realizimit të programit të Qeverisë së Maqedonisë, Vendimi për disperzimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe zhvillimin e njëtrajtshëm regjional të vendit.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë ndarë mjete Universitetit Shtetëror të Tetovës, për përfundimin e objektit, prej ku procedurat e mëtutjeshme vetë Universiteti do t’i vazhdojë. Ndër të tjera ai u shpreh: “Shpresojmë që shumë shpejt objekti do të jetë gati për studentët. Ne nuk do të përfundojmë këtu, kjo është vetëm një pjesë e të gjithë strategjisë, konkretisht për Universitetin Shtetëror të Tetovës.

10 (Dhjetë) fakultetet e akredituara do të kenë nevojë sigurisht për hapësira të reja dhe kuadër mësimdhënës. Mendojmë se deri në fillimin e vitit të ri akademik do t’i përmbushim të gjitha aktivitetet e parapara dhe nga ky vit akademik do të fillojnë fakultetet e reja të akredituara ndërsa nga 2008 do të regjistrohen studentët në Fakultetin e Mjekësisë, i cili tashmë është i akredituar por Vendimi është të fillohet me punë në vitin akademik 2008/2009.

Ky është një akt shumë solemn, besojmë se do të vazhdojmë aktivitetet. Ai uroi Rektorin e USHT-së, prof. dr. Sadi Bexhetin për punën, ambiciet dhe strategjinë që ka në lidhje me mëkëmbjen dhe organizimin si Rektor i USHT-së.

Në fund uroj Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe studentëve punë të mbarë. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti u shpreh: “Kam nderin sot ta përuroj Fakultetin e ri – Fakulteti i Shkencave të Zbatuara ku do të përfshihen katër drejtime: Arkitekturë, Ndërtimtari, Mekatronikë dhe Inxhinieri Ekonomike”.

Rektori i USHT-së, u shpreh se të gjitha përpjekjet për studimet programore janë realizuar, si rrjedhojë të gjitha fakultetet dhe programet studimore janë të akredituara dhe studentët do ta fillojnë vitin shkollorë ashtu si duhet.

Duke iu falënderuar Ministrisë së Arsimit u mundësua edhe pranim-dorëzimi i objektit në Gostivar i dedikuar Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, i cili ndoshta është i vetmi objekt që e ka të rregulluar cështjen pronësore-juridike.

Ne do të mundohemi të shtrihemi edhe në qytete tjera, kësisoj duke kontribuar në ngritjen dhe zhvillimin ekonomik e kulturor të qyteteve, duke mos u koncentruar vetëm në Tetovë por edhe në qytete tjera të RM-së, tha Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti. Në fund të gjithë të pranishmit u ftuan në koktejin e organizuar me këtë rast. Zyra për Informim  

© Universiteti Shtetëror i Tetovës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.